• среда, 25 септември 2024

Takim i Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve dhe Komisionit për Financim dhe Buxhet me përfaqësuesit e kursimores FULM

Takim i Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve dhe Komisionit për Financim dhe Buxhet me përfaqësuesit e kursimores FULM

Shkup, 24 shtator 2024 (MIA) - Në Kuvend sot është mbajtur takimi i Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve dhe Komisionit për Financim dhe Buxhet, me përfaqësuesit e kursimores FULM, ku morën pjesë Sanja Llukarevska, kryetare e Komisionit për Financim dhe Buxhet; Vesna Gjorgjieva, nënkryetare e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve, Eleonora Zgonjanin Petroviq, përfaqësuese e kursimores FULM dhe përfaqësuesit e Rrjetit Evropian të Unioneve Kreditore nga disa vende të Evropës dhe SHBA-së.

Siç kumtoi pres shërbimi i Kuvendit, kryetarja e Komisionit për Financim dhe Buxhet uroi 25-vjetorin e Kursimores FULM dhe nënvizoi se është detyrë e deputetëve që vazhdimisht të gjejnë mënyra për tejkalimin e sfidave të qytetarëve, të bëjnë përpjekje për miratimin e ligjeve që do t'i përmirësojnë shërbimet që i marrin qytetarët. Ligjet e tilla duhet të bazohen gjithmonë në përfitime, si për qytetarët, ashtu edhe për shtetin, prandaj deputetët dhe Kuvendi mbeten të hapur për bashkëpunim, sugjerime dhe propozime nga të gjitha institucionet e shoqërisë sonë.  

Vesna Gjorgjieva, nënkryetare e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve, uroi kursimoren FULM për përvjetorin e themelimit, informoi për aktivitetet dhe rëndësinë e Komisionit për Mundësi të Barabarta, duke theksuar qëllimet për përfaqësimin e barabartë dhe të drejtë të meshkujve dhe femrave në të gjitha sferat e shoqërisë, duke përfshirë në sferën e kreditimit, kursimit dhe shërbimeve të pagesave.

Të ftuarit nga SHBA-ja, Irlanda, Polonia, Rumania dhe Kroacia informuan për sistemet e shërbimeve të pagesave në vendet e tyre, duke theksuar praktikën e debatit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve kompetente dhe anëtarëve të Rrjetit Evropian të Unioneve Kreditore në drejtim të ndihmës, mbështetjes dhe zhvillimit të kursimoreve, korniza ligjore për linjat kreditore, por edhe inkurajimi dhe përmirësimi i arsimimit financiar të qytetarëve, si dhe mundësive të barabarta për kreditim dhe kursim për femrat nga zonat urbane dhe rurale.

Eleonora Zgonjanin Petroviq, duke folur në emër të të gjithë anëtarëve të kursimores FULM, nënvizoi se angazhimi i kursimores FULM në 30 vitet e fundit është t'u ofrojë qytetarëve barazi dhe drejtësi në shërbimet financiare që i përdorin.

"Korniza ligjore që i nevojitet vendit tonë duhet t'u sigurojë qytetarëve drejtësi në shërbimet e pagesave bazuar në të drejtën e zgjedhjes. FULM mbetet i përkushtuar në përmirësimin e shërbimeve të tij, inkurajimin e arsimimit financiar të qytetarëve dhe rritjen e ndërgjegjësimit për planifikimin buxhetor, veçanërisht te brezi i ri", thuhet në kumtesë. bsh/

Foto: Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut

Остани поврзан