Netanjahu në konferencën për shtyp me Mercin: Ekziston një "mundësi për paqe" në Lindjen e Mesme, por jo një shtet i pavarur palestinez
- Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu sot deklaroi se në Lindjen e Mesme ekzistojnë "mundësi për paqe", por përsëriti se Izraeli nuk e pranon krijimin e një shteti të pavarur palestinez.
Jerusalem, 7 dhjetor 2025 (MIA) - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu sot deklaroi se në Lindjen e Mesme ekzistojnë "mundësi për paqe", por përsëriti se Izraeli nuk e pranon krijimin e një shteti të pavarur palestinez.
"Boshti iranian është prekur ndjeshëm", tha Netanjahu pas bisedimeve me kancelarin gjerman Fridrih Merc në Jerusalem, duke u përqëndruar në konfliktet që kanë tronditur rajonin në dy vitet e fundit. "Besojmë se ekziston një rrugë drejt paqes më të gjerë me shtetet arabe dhe një rrugë drejt vendosjes së paqes së qëndrueshme me fqinjët tanë palestinezë", vazhdoi ai.
"Por ne nuk do të krijojmë një shtet që është i përkushtuar ndaj shkatërrimit tonë në dyert tona", shtoi kryeministri izraelit.
Merci deklaroi se Gjermania po punon "drejt qëllimit të një Lindjeje të Mesme të re" në të cilën shteti i Izraelit do të njihej. Ai theksoi se formimi i një shteti palestinez, i cili do të ekzistonte përkrah Izraelit, ishte "rruga më e mundshme" drejt një të ardhmeje të tillë.
Megjithatë, Merci tha se një zgjidhje me dy shtete mund të arrihet vetëm përmes negociatave dhe se do të ishte "rezultati përfundimtar" i këtyre bisedimeve. Negociatat, shtoi ai, nevojiten menjëherë.
Zgjidhja me dy shtete nënkupton në të njëjtën kohë ekzistimi i Izraelit dhe një shteti të pavarur palestinez.
Netanjahu deklaroi se faza e parë e planit të Presidentit amerikan Donald Tramp për Gazën është "pothuajse e përfunduar", me trupin e vetëm një pengu që ende ndodhet në Gazë.
Ai theksoi se çarmatimi i Hamasit militant është një parakusht për një marrëveshje paqeje. Sipas Netanjahut, faza e dytë e planit të armëpushimit do të jetë më e vështirë për t'u zbatuar sesa e para.
Kryeministri izraelit paralajmëroi gjithashtu për një ringjallje të rrezikshme të antisemitizmit në të gjithë botën. Pavarësisht krimeve të Hamasit ndaj civilëve më 7 tetor të vitit 2023, flamujt e tij valëviten në demonstratat në kryeqytetet botërore, tha ai.
"Kjo është skandaloze", shtoi Netanjahu.
Pas takimit me Netanjahun, Merci tha se "për momentin, nuk po shqyrtohet mundësia që kryeministri izraelit" të ftohet në Gjermani. "Nuk ka asnjë arsye për ta shqyrtuar këtë për momentin. Nëse koha lejon, do t'i bëja një ftesë të tillë, por kjo nuk është një temë për mua ose për të tani për tani", tha Merci.
Kundër Netanjahut është lëshuar një urdhër arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJND) në nëntor të vitit 2024 për shkak të dyshimit për krime lufte në Rripin e Gazës - akuza që ai i mohon kategorikisht. Izraeli nuk e njeh gjykatën dhe kërkon që urdhër arresti të rrëzohet.
Netanjahu tha se "sigurisht do të ishte i lumtur" sërish ta vizitojë Gjermaninë dhe të zhvillojë bisedime me kancelarin në Berlin, por shtoi se nuk mund ta bëjë këtë për momentin për shkak të urdhër arrestit të GJND-së, duke e kritikuar ashpër atë.
Foto: EPA