• четврток, 26 септември 2024

Hoxhaj: Fitoren historike të policisë në Banjskë, diplomacia kosovare e shndërroi në izolim dhe sanksione

Hoxhaj: Fitoren historike të policisë në Banjskë, diplomacia kosovare e shndërroi në izolim dhe sanksione

Prishtinë, 25 shtator 2024 (MIA) – Ish ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj deklaroi se fitorja e policisë së Kosovës në rastin prej para një viti në Banjskë në veri të Kosovës, të cilën e quajti “historike”, diplomacinë e Kosovës e shndërroi në izolim dhe sanksione, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në shkrimin e sotëm në rrjetin social Fejsbuk, Hoxhaj thotë se rezultati i agresionit serb në Banjskë para një viti është “fitore e policisë dhe strukturave të sigurisë (të Kosovës), por mossukses kolosal të diplomacisë”, duke pasur parasysh se “Serbia nuk ishte dënuar si përgjegjëse për agresionin, këtu ndodhi e kundërta – izolimi dhe sanksionimi i Kosovës”. 

“Kosova mbeti jo vetëm nën sanksione, por edhe u largua nga partneriteti me aleatët perëndimorë, duke ia mundësuar Serbisë një afrim dhe rikthim në Perëndim. Serbia sot është më e përkëdhelur se para sulmit të Banjskës, ndërsa qeveria e Kosovës, që kishte premtuar se nuk do të kishte dialog pa dorëzimin e kryerësve të Banjskës, diskuton sot me Beogradin në Bruksel për kufijtë e komunave të Kosovës dhe për urën e Ibrit. Një vit respekt për policinë dhe strukturat e sigurisë, si dhe aleatët që i përkrahën ata, e rikujtim për fiaskon diplomatik që po përjeton Kosova: atë që policia e Kosovës e arriti në terren, si një fitore të mirëfilltë historike, diplomacia e shndërroi në humbje strategjike”, shkroi Hoxhaj, i cili është nënkryetar i Kuvendit nga radhët e partisë më të madhe parlamentare opozitare, Partia Demokratike e Kosovës.

Dje u bënë një vjet nga sulmi terrorist i grupit serb në Banjskë në veri të Kosovës, në të cilin ishte vrarë rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku. Në këmbim zjarrin që vijoi, humbën jetën edhe tre nga sulmuesit, përderisa të tjerët ikën në Serbi. 

Lidhur me rastin, më 11 shtator të këtij viti, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti akuzë kundër 45 personave, në mesin e të cilëve edhe kundër ish nënkryetarit të partisë të serbëve të Kosovës, Lista Sërbska, Millan Radoiçiq, i cili e mori përgjegjësinë si udhëheqës i grupit. fc/

 

Остани поврзан