BotëBotë.PortalSvet.Slajder

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se nuk do të bashkëpunojë në përgatitjet e aktakuzës kundër presidentit

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se nuk do të marrë pjesë në seancat e ardhshme dëgjimore për procesin e shkarkimit të presidentit, që mbahen nga Komiteti gjyqësor i Dhomës së përfaqësuesve.

Uashington, 7 dhjetor 2019 (MIA) – Shtëpia e Bardhë konfirmoi se nuk do të marrë pjesë në seancat e ardhshme dëgjimore për procesin e shkarkimit të presidentit, që mbahen nga Komiteti gjyqësor i Dhomës së përfaqësuesve.

Në një letër drejtuar kryetarit të Komitetit, Xheri Nadler, këshilltari i Shtëpisë së Bardhë Pet Çipolone ka thënë se hetimet për procesin e shkarkimit të presidentit, të udhëhequra nga demokratët janë “të pabaza”.

Një seancë për procesin e shkarkimit të presidentit Donald Tramp është caktuar të mbahet javën e ardhshme, për të shqyrtuar se çfarë akuzash do të mund të ngriten ndaj presidentit.

Në letrën e Shtëpisë së Bardhë nuk është dhënë ndonjë arsye specifike për mospjesëmarrjen në këtë seancë.

Por, Çipolone në këtë letër ka akuzuar ligjvënësit demokratë se po humbin kohën e amerikanëve me këtë procedurë duke e cilësuar si “abuzim me pushtetin”.

“Çfarëdo rruge që zgjidhni, siç ka thënë presidenti së fundmi: ‘Nëse doni të nisni procedurat e shkarkimit, bëjeni tani, shpejt, në mënyrë që të ketë një gjyq korrekt në Senat’”, ka shkruar Çipolone në letrën e tij.

Dhoma e Përfaqësuesve, që udhëhiqet nga demokratët, ka hetuar për dy muaj nëse presidenti Tramp ka kryer krime, që do të mundësonin shkarkimin e tij.

Në qendër të hetimeve është biseda telefonike e 25 korrikut ndërmjet Trampit dhe homologut të tij ukrainas, Volodimir Zelenski, ku gjatë bisedës, Kievi është nxitur që të nisë hetime ndaj rivalëve politikë të Trampit.

Shtëpia e Bardhë kishte ndaluar ndihmën ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 391 milionë dollarësh para kësaj telefonate, por kjo ndihmë iu dha Kievit në muajin shtator. mb/

Back to top button
Close
Close