0_MIA Investigon.Portal0_Web_Ballina - SllajderIntervistëKorrespondentë MKD

Samir Ajdini për MIA: Përpunohet ideja për fotosafari në PK “Mavrovë”

Parku kombëtar “Mavrovë” është zona më e madhe e mbrojtur sipas sipërfaqes në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe sivjet shënon shtatë dekada nga marrja e statusit të tillë. Me këtë rast biseduam me njeriun e parë të këtij institucioni Samir Ajdini për gjendjen aktuale, sfidat dhe planet e menaxhmentit lidhur me mbrojtjen e pasurisë natyrore dhe zhvillimin.

Gostivar, 28 dhjetor 2019 (MIA) – Parku kombëtar “Mavrovë” është zona më e madhe e mbrojtur sipas sipërfaqes në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe sivjet shënon shtatë dekada nga marrja e statusit të tillë. Me këtë rast biseduam me njeriun e parë të këtij institucioni Samir Ajdini për gjendjen aktuale, sfidat dhe planet e menaxhmentit lidhur me mbrojtjen e pasurisë natyrore dhe zhvillimin.

Ju jeni rritur në parkun kombëtar, të rrethuar me natyrë, e cila është e mbrojtur dhe kultivohet, gjë që konsiderohet si privilegj. Tani si udhëheqës i institucionit IPPK “Mavrovë”, cilat specifikat do t’i veçoni nëse duhet të krahasohet me dy parqet tjera nacionale në vend?

Specifike është ajo se PK “Mavrovë” është një prej parqeve më të mëdha në rajon, e ndoshta edhe në Evropë. Në të jetojnë rreth 11 mijë banorë në rreth 36 vendbanime sipas regjistrimit të fundit. Popullata lokale është e përkatësisë së ndryshme religjioze dhe etnike dhe bashkëjetesa është karakteristikë sipas të cilës dallohet i tërë rajoni.

Megjithatë, PK “Mavrovë” është i mbushur me florë dhe faunë të pasur dhe është vendbanim natyror i risit ballkanik, arushës ngjyre kafeje, dhisë së egër, troftës së Radikës. Nga ana tjetër, shikuar në aspektin orografik, për vetitë unike bëjnë të ditur edhe këto të dhëna për parkun tonë: 86 maje malore me lartësi mbi 2.000 metra l.m., të shpërndara në katër male Korab, Bistra, Malin Sharr dhe Deshat, gjashtë breze klimatike duke filluar prej 600 metrave l.m. me klimë të nxehtë kontinentale deri në mbi 2.250 metra l.m. me brez të klimës së alpeve, 16 kanionë, 42 shpella, burime, liqene të akullit, ujëvara, lloje endemike bimore.

Qasja dhe vendpozita jonë janë thuajse ideale. Në më së shumti 90 minuta udhëtim me makinë mund të arrihet deri te dy aeroporte. Megjithatë, më e rëndësishme dhe e dallueshme për ne është edhe fakti se në territorin tonë gjendet edhe ski-qendra më e madhe në vendin tonë.

Duke marrë parasysh se vizitat turistike bëhen gjithnjë e më aktuale dhe interesante për vizitorët, çfarë është ajo që veçanërisht ua rekomandoni?

– Parku kombëtar “Mavrovë” ofron më shumë përmbajtje që janë interesante përgjatë gjithë vitit. Në territorin e parkut gjenden vende të bukura dhe të rëndësishme, lokalitete dhe monumente kulturore-historike, si maja e Korabit të Madh, si më e larta në vend dhe njëra prej majave më të larta në rajon, fshatrat e vjetra dhe të bukura të mijakëve, ujëvara Projfel në Lumin e Thellë, kisha e përmbytur “Sh. Nikolla”, por edhe parku safari “Bunec”, manastiri “Sh. Jovan Bigorski”, ura “Kërcimi i drerit”, ujëvara Duf ose Ujëvara e Rostushës, liqeni i akullt Lokuv mbi Trebishte dhe edhe shumë peizazhe të bukura.

Të gjitha këto vende janë të arritshme dhe deri te ato mund të arrihet lehtë. Në territorin e parkut, thuajse deri te të gjitha majat më të bukura shpijnë më shumë se 500 km shtigje të markuara për bjeshkatarë dhe çiklistë.

Trend botëror është që parqet kombëtare të jenë më të hapura ndaj vizitorëve dhe punohet në tërheqjen e tyre, Kjo do të thotë edhe përfitim plotësues financiar, gjë që, nga ana tjetër, mundëson që parku të mbijetojë. Cila është strategjia e menaxhmentit për tërheqjen e vizitorëve?

– Ashtu siç shkojmë përpara ashtu rritet edhe nevoja për zhvillim dhe vendosje të instrumenteve të reja për tërheqjen e mysafirëve. Jemi aktiv në reklamimin e parkut përmes internetit, e veçanërisht përmes rrjeteve sociale. Prej para do kohë në funksion është ueb-faqja e re e dedikuar vetëm për turizëm. Në këtë mënyrë i afrojmë informacionet deri te çdo i ardhur dhe mysafir potencial, e nga ana tjetër, duam të sigurohemi se çdo vizitor do të shikojë pjesën më të madhe të bukurive të parkut dhe ta përmirësojmë sigurinë e tyre.

Gjithë këtë e bëjmë ngadalë dhe i ndjekim kapacitetet dhe ofertat. Ashtu siç popullata lokale dhe biznesmenët do të orientohen drejt turizmit ashtu edhe ne do të ngremë nivelin e reklamimit dhe prezantimit të parkut. Konsideroj se Mavrova dhe tërë rajoni duhet doemos të adaptojnë dhe të orientojnë ofertën e tyre ndaj mysafirëve vendorë.

Ndonëse mbrojtja është veprimtaria themelore e parkut, e përmendni turizmin si segment të rëndësishëm për mbijetesën e tij. Çfarë duhet bërë që oferta turistike në Mavrovë të jetë edhe më e mirë?

– Duhet doemos të ketë bashkëpunim, si mes institucioneve ashtu edhe mes sektorit privat. Veç asaj që çdo ofertues i shërbimit turistik e ofron individualisht dhe është specifike vetëm për të, duhet doemos të ekzistojë koordinim kur bëhet fjalë për ofertë të përbashkët. Prandaj ne ofrojmë dorën e bashkëpunimit dhe iniciojmë takime në infoqendrën dhe drejtorinë  e parkut. Por, këto takime dhe iniciativa ndonjëherë duhet të vijnë nga vetë hotelierët, nga ata që japin dhoma ose ofrojnë ndonjë shërbim. Në periudhën paraprake, në këtë plan kemi bashkëpunim dukshëm të rritur me vetëqeverisjen lokale, ndërmarrjen komunale, institucionet shëndetësore, etj. Tashmë jemi duke punuar në disa aktivitete të projektit rezultatet e të cilave duhet t’i presim së shpejti.

Ueb-faqja për parkun kombëtar “Mavrovë” u promovua me rastin e Ditës botërore të ciceronëve turistik. Çfarë mund t’u ofrohet shfrytëzuesve përmes saj?

– Ueb-faqja është e dedikuar vetëm për promovimin e turizmit në territorin e PK Mavrovë. Ndonëse e promovojmë, ajo gjithsesi do të sendërtohet. Kjo është një lloj i platformës, që është e përpiluar të sendërtohet me përmbajtje të reja, por në këtë moment ofron disa shërbime specifike. Ekziston një pjesë ku shfrytëzuesi do të mund të kërkojë informacione për hotele, restorante, akomodim privat ose aktivitete të organizuara nga ana e ndonjë klubi, agjencie, etj.

Pjesa e dytë ka të bëjë me arkëtimin elektronik të shërbimeve, e në këtë moment fillimisht do të mundësohet arkëtim të taksës për hyrje në territorin e parkut dhe arkëtim për leje ditore për peshkim, për çka ende jemi duke biseduar dhe menduar opsionet që e gjithë kjo të ketë edhe bazë ligjore. Pjesa e tretë e faqes ka të bëjë me informacionet për shtigjet bjeshkatare dhe shtigjet për çiklizëm malor. E kuptuam edhe mundësinë për lëshimin e GPS-skedave dhe kjo të jetë e ndërlidhur me arkëtimin e taksës për hyrje në parkun, por e gjithë kjo është ende në tavolinë dhe e hapur për të menduar. Kështu që ngrohtësisht e rekomandoj www.npmavrovo.mk.

Vizitimi i botës së egër dhe rekreacioni në hapësirë të hapur janë sektorët me rritje më të shpejtë në botë dhe turizmin në përgjithësi. Ka shembuj ku turizmi i qëndrueshëm i mbështetur në natyrën sjellë përfitime të mëdha. Si është situata te ne?

– Pajtohem me komentin tuaj dhe njëherësh konsideroj se kjo është ajo drejt së cilës duhet të synojmë. Ne tashmë jemi duke përpunuar ide për vendosjen e turneve për mbikëqyrjen e kafshëve të egra ose të ashtuquajturën fotosafari. Paraprakisht bashkëpunonim me një agjenci me të cilën realizonim disa turne të këtilla për mbikëqyrjen e arushës dhe ato kaluan mjaftë suksesshëm. Gjithashtu, një pjesë e të punësuarve morën vendim për udhëheqjen e turneve të këtilla, por edhe trajnim nga programi „leave no trace“. Planifikojmë ndërtimin e disa vendeve për vrojtim dhe strehimoreve. Një pjesë e pajisjes së parashikuar për një lloj të këtillë të aktiviteteve e kemi, kemi në dispozicion edhe numër të mjaftueshëm të automjeteve, por është e domosdoshme që të furnizohet edhe pajisje plotësuese. E gjithë kjo presim të realizohet edhe me ndihmën e mjeteve financiare të siguruara nga projektet. Ndonëse jemi në fillim, konsideroj se kjo ide së shpejti do të kalojë në ofertë nga e cila do të kenë leverdi edhe bizneset lokale.

Është praktikë botërore që të arkëtohet hyrja në parqet kombëtare, veçanërisht nëse përdoren automjete private. Praktika tregon se kjo ndihmon në mirëmbajtjen dhe zhvillimin e parkut. Zyrtarisht edhe PK Mavrovë ka biletë, që kushton 30 denarë për person. Si e arkëton PK “Mavrovë”?

– Obligimi ynë, por edhe e drejtë e parkut është të arkëtojë taksa të caktuara. Ne këtë e bëjmë edhe deri tani. Për shkak të specifikës së parkut, e këtu para së gjithash për shkak të madhësisë së tij, fakti që përmes tij kalon rruga drejt Dibrës, për shkak të numrit të madh të popullatës dhe një varg rrethanash të tjera, ne ende nuk e kemi gjetur zgjidhjen më të mirë për këtë problem. Shqyrtojmë dhe mendojmë për disa variante, por nuk do të ngutemi me këtë vendim dhe me siguri do të kërkojmë hulumtim më të hollësishëm nga ana e personave profesionistë. Në këtë moment arkëtimi i taksës për hyrjen në parkun bëhet në hapësirat e Infoqendrës në Hanet e Mavrovës. Çmimi i një bilete është vetëm 30 denarë për një person.

Si opsion i dytë do të jetë arkëtimi përmes ueb-faqes, prej ku presim rritje të caktuar në realizimin, por megjithatë konsideroj se së shpejti do të duhet të ndërmerren hapa më serioz dhe më vendimtarë në këtë drejtim. Gjithashtu, opsioni që është mjaft real është arkëtimi i taksës në hotelet, kapacitetet e akomodimit dhe ski-qendra, por megjithatë për këtë nevojiten mjaft bisedime dhe harmonizim.

Përballemi edhe me një fakt më pak ironik. Ja, disa agjenci vendore dhe shoqata sportive bjeshkatare, ndonëse dinë për këtë taksë, shpeshherë bëjnë çmos për t’iu shmangur asaj. Por, ne nuk do të heqim dorë nga synimi që turizmi të na jetë një burim i konsiderueshëm i financimit. Unë personalisht, e edhe ekipi im i bashkëpunëtorëve, konsiderojmë se ardhmëria e parkut qëndron në zhvillimin e turizmit, e me këtë rast do të jetë e pashmangshme vendosja e sistemit të arkëtimit të taksës për hyrje në park, por edhe taksë për parking, etj.

Çfarë bëni që të mbrohet biodiversiteti i Parkut kombëtar, e njëherësh t’u ofroni vizitorëve përmbajtje kreative dhe interesante?

– Në këtë moment punojmë në disa programe për mbrojtje. Bashkë me Shoqatën ekologjike të Maqedonisë jemi duke e realizuar projektin për mbrojtje të risit ballkanik. Gjatë periudhës së verës, me ndihmën e foto-kurtheve do të bëhet edhe numërimi dhe përcaktimi i situatës së dhisë së egër dhe kafshëve të tjera të egra. Paralelisht me këtë realizohen punëtori edukative për të punësuarit, për popullatën lokale, por më me rëndësi se gjithçka është fakti se realizojmë aktivitete edukative në shkollat fillore nëpër komunën. Paraprakisht, në bashkëpunim me USAID-in, u realizua një projekt për trajnimin e grumbulluesve të frutave pyjore, me çka popullata lokale përvetësoi certifikata për grumbullim. Me trajnimet kishin edhe edukim për mënyrën e grumbullimit të frutave pyjore në territorin e parkut. Është hapur edhe Shtegu i Petkos dhe banorëve të pyllit, i dedikuar për fëmijë, të cilët përmes lojërave dhe bashkëveprimit mësojnë për natyrën dhe parkun.

Në fazë të avancuar është projekti me Akademinë ushtarake për parandalim të hershëm dhe mbrojtje nga zjarret. Në kuadër të këtij projekti është furnizua një dron profesional dhe realizohet trajnim për katër të punësuar për menaxhimin e fluturakes pa pilot. Janë vendosur tri kulla të veçanta në kodrën “Kozha” me nga pesë sensorë, që do të ndërlidhen me server në PK “Mavrovë” ku do të detektohet rreziku nga zjarri. Me përcaktimin e lokalitetit do të mund edhe të reagohet shpejtë. Ky është një pilot-projekt që, nëse tregohet produktiv, kulla të njëjta me sensorë do të instalohen në tërë territorin e parkut.

Përfundoi realizimi i projektit për trajnimin e udhëheqësve profesional në mal, që ishte financuar nga Rrjeti i zonave të mbrojtura Parqe Dinaride me bashkëfinancim nga parku ku në konkurs u përzgjodhën 9 kandidatë nga popullata lokale dhe e ndiqnin trajnimin sipas standardit UIMLA. Janë nga fundi aktivitetet për fillimin e realizimit të nënprojektit Zhvillim i Luginës së Mavrovës në kuadër të projektit për konkurrencë lokale dhe rajonale, të financuar nga Bashkimi Evropian.

Zoran Maxhoski

 

Back to top button
Close
Close