0_Maqedoni.Portal0_Web_AktualeKorrespondentë BotëShoqëri

Për shkak të koronavirusit ndalohet hyrja e shtetasve të Maqedonisë së Veriut nga Kroacia në Serbi

Në pajtim me masat e miratuara dje të Qeverisë serbe për ndalesë për hyrje të shtetasve të huaj të cilët vijnë nga vatrat e virusit Kovid-19, nga vendkalimi "Batrovci" në kufirin e Serbisë me Kroacinë sot janë kthyer rreth njëzet automjete me rreth 50 udhëtarë, mes të cilëve shumica shtetas nga Maqedonia e Veriut të cilët punojnë në pjesën veriore të Italisë.

Beograd, 11 mars 2020 (MIA) – Në pajtim me masat e miratuara dje të Qeverisë serbe për ndalesë për hyrje të shtetasve të huaj të cilët vijnë nga vatrat e virusit Kovid-19, nga vendkalimi “Batrovci” në kufirin e Serbisë me Kroacinë sot janë kthyer rreth njëzet automjete me rreth 50 udhëtarë, mes të cilëve shumica shtetas nga Maqedonia e Veriut të cilët punojnë në pjesën veriore të Italisë.

Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi, masat e reja nuk zbatohen vetëm  në komunikacionin rrugor, por edhe në atë ngarkues, për ç’shkak nga vendkalimet kufitare janë kthyer edhe disa kamionë.

Shërbimet kufitare serbe e kanë pajisjen e nevojshme mbrojtëse – dorëza, maska dhe mjete dezinfektimi, ndërkaq sipas nevojës përdorin edhe kostume mbrojtëse.

Shtetasit serbë të cilët vijnë nga Italia iu nënshtrohen të gjitha masave mbrojtëse, si edhe udhëtarët e tjerë. Pas kontrollit të inspeksionit sanitar, deri më tani nuk ka pasur nevojë të ndërmerren masa shtesë për mbikëqyrje.

Prej dje, në Serbi përkohësisht janë anuluar fluturimet nga vendet të cilat janë vatra të virusit, mes të cilave Italia dhe Zvicra.

Kur bëhet fjalë për aeroportet, shtetasit e huaj të cilët vijnë nga shtetet – vatra të koronavirusit, nuk mund ta kalojnë kontrollin kufitar, siç ishte rasti dje, kur nga aeroporti i Nishit u kthyen të gjithë shtetasit e huaj të cilët arritën në Serbi nga qyteti italian Bergamo, përderisa qytetarët serbë u nisën në vetëizolim shtëpiak. ab/

 

Back to top button
Close
Close