EvropëEvropë.PortalSvet.Slajder

PE e mbështeti Marrëveshjen për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja

Parlamenti evropian me 621 vota "për", 49 kundër dhe 13 të përmbajtur e mbështeti Marrëveshjen për dalje të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Bruksel, 29 janar 2020 (MIA) – Parlamenti evropian me 621 vota “për”, 49 kundër dhe 13 të përmbajtur e mbështeti Marrëveshjen për dalje të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Miratimi i Parlamentit evropian dhe dakordimi zyrtar i Këshillit është procedura e fundit ligjore, e domosdoshme që Britania e Madhe ta braktisë Bashkimin Evropian në mënyrë të rregullt, në mesnatë të 31 janarit.

“Votimi historik”, me të cilin konfirmohet braktisja e parë e dakorduar nga BE-ja nga ana e ndonjë vendi-anëtar, kaloi në atmosferë ceremoniale.

Deputetët britanikë, varësisht nga përcaktimet e tyre politike, paralajmëruan festë për të premten në mesnatë apo e porositën BE-në se do të kthehen.

“Të gjithë jemi të pikëlluar që erdhëm deri te kjo, një vend-anëtar shumëvjeçar ta braktisë familjen e BE-së. ne çdoherë në tërësi e respektojmë vendimin e popullit britanik. Ju jeni partnerët dhe aleatët tanë dhe çdoherë do të kemi marrëdhënie të afërta. Ju po e braktisni BE-në, por çdoherë do të jeni pjesë e Evropës”, tha kryetari i Parlamentit evropian, David Sasoli pas votimit.

Parlamenti evropian për më 1 shkurt planifikon ceremoni për heqjen e flamurit të Britanisë së Madhe, që ndodhet para selisë së Parlamentit në Bruksel, krahas flamujve të 27 vendeve të tjera anëtare.

Flamuri britanik do të bëhet pjesë e koleksionit të Muzeut të historisë evropiane që ndodhet shumë afër Parlamentit evropian në Bruksel.

Marrëveshja të cilën e arritën BE-ja dhe Britania e Madhe parasheh mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të BE-së të cilët mbeten në Britani të Madhe pas Brekzitit dhe anasjelltas. Ata, gjithashtu, u dakorduan për obligimet financiare që Londra duhet t’i shlyejë ndaj BE-së, si dhe për mënyrën në të cilën do të funksionojë kufiri mes Republikës së Irlandës dhe Irlandës Veriore.

Pas Brekzitit, është paraparë “periudhë kalimtare” në marrëdhëniet e të dy vendeve deri në fund të vitit 2020.

Gjatë asaj periudhe Britania e Madhe obligohet që si “vend i tretë” do të vazhdojë t’i respektojë ligjet e Unionit.

Komisioni evropian deri në mars duhet ta prezantojë planin për negociata për marrëdhëniet e ardhshme mes Londrës dhe Brukselit.

Me daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja do të ndërrojë përbërja dhe numri i Parlamentit evropian, i cili prej 751 deputetë do të ketë 705.

Me largimin e 73 deputetëve britanikë, 27 vende do t’i plotësojnë deputetë nga 14 vende të tjera anëtare, përderisa 46 vende do të presin përfaqësues të “vendeve të mundshme të ardhshme anëtare”. ab/

Таг
Back to top button
Close
Close