0_Maqedoni.PortalKronikëKronikë.PortalMakedonija.SlajderMIA InvestigonPolitikëTemë

Pas gjashtë muajsh, çështja “Reket” me përfundim, aktgjykimi u shpall sot

Pas një gjyqi gjashtëmujor sot, Gjykata Penale e Shkupit e shpalli aktgjykimin për çështjen “Reket”, ku ]akuzohen Bojan Jovanovski-Boki 13 dhe Katica Janeva.

Shkup, 18 qershor 2020 (MIA) – Pas një gjyqi gjashtëmujor sot, Gjykata Penale e Shkupit e shpalli aktgjykimin për çështjen “Reket”, ku ]akuzohen Bojan Jovanovski-Boki 13 dhe Katica Janeva.

Gjatë këtij procesi gjyqësor u paraqitën një numër provash materiale dhe verbale. Si dëshmitarë në gjykatë lidhur me këtë rast dëshmuan Orce Kamçev, gruaja e tij Ana Kamçeva, llogaritare në firmat private të Kamçevit, gazetarë nga 1TV, prokurorët Lile Stefanova, Elizabeta Josifovska, Burim Rustemi, Fatime Fetai dhe të tjerë. Prokuroria paraqiti video dhe foto të siguruara nga masat e veçanta hetuese, si dhe foto dhe transkriptime të sendeve të konfiskuara nga shtëpia dhe zyrat e të pandehurve dhe video të bëra nga shtëpia e dëshmitarit – biznesmenit të dëmtuar Jordan Kamçev.

Rrjedha e çështjes ngjalli interes të madh për publikun, shpesh deklaratat e dëshmitarëve, të pandehurve ose prokurorisë ishin tema të ditës. Mediat shpesh raportonin për jetën private të disa prej të pandehurve, si dhe komentet personale dhe deklaratat midis prokurorisë dhe të pandehurve në sallën e gjyqit. Për shkak të interesit të madh të mediave, Gjykata Themelore Penale vendosi që aktgjykimi të shpallet në Sallën e Madhe të Gjykatës Supreme.

Çështja u trajtua nga gjyqtarja Vaska Nikolovska Masevska, përfaqësuese e aktakuzës është Vilma Ruskovska.

Aktakuza, e ngritur nga Prokuroria për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, konfirmon se i pandehuri Bojan Jovanovski ndikoi që e pandehuri Katica Janeva të merrte masa më të buta kundër Jordan Kamçev, i akuzuar në çështjen “Perandoria”, të cilën e inicioi ish-Prokuroria Speciale Publike.

Jovanovski dhe Janeva në argumentet e tyre përmbyllëse para gjykatës mohuan fajësinë dhe thanë se ata nuk e kanë kryer krimin për të cilin akuzohen. Sipas tyre, prokuroria nuk dha prova për krimin për të cilin u akuzua dhe se e gjithë akuza ishte e bazuar në dëshminë e një dëshmitari – i cili ishte i dëmtuar në këtë rast. Për Jovanovskin, e gjithë çështja është një konstruksion politik, ndërsa për Janevën është shpifje.

Bojan Jovanovski – Boki 13, para gjykatës, tha “Unë konfirmoj se as e kam prekur çantën, e as kam parë para”.

“Pashë një çantë të mbyllur që Zoran Milevski e merr me lehtësi. Është një gënjeshtër famëkeqe që mua më dhanë 500 mijë euro që Jordan Kamçev të lirohej nga paraburgimi. Unë nuk kam biseduar me Kamçevin për ndonjë lehtësim, por kemi biseduar vetëm për biznes. Kemi dalë për darka, kemi biseduar për gjithçka. Më provokuan dhe më kërkuan të flas dhe të bëhem i zgjuar dhe të flas për PSP-në. Ata më filmuan dhe i rregulluan gjërat, por përsëris se ato ishin vetëm mendimet e mia personale”, tha Jovanovski.

Katica Janeva, para gjykatës, tha që ajo nuk është fajtore, se nuk ka marrë para dhe se Kamçev nuk ishte i privilegjuar dhe se me Bojan Jovanovskin kanë biseduar për modën dhe dashurinë.

“Në punën time si pjesë e PSP-së, unë kam vendosur ndërsa tani Prokuroria Publike vendos, dhe imagjinoni që jam ndaluar për nëntë muaj për dhënien e një mendimi për ndryshimin e masës së paraburgimit të Orce Kamçevit”, tha Janeva.

Prokurorja Publike Vilma Ruskovska, nga ana tjetër, tha se aktakuza ishte e bazuar në prova, si materiale ashtu edhe nga dëshmia e ish kolegëve të Katica Janevës, kështu që nuk ishte absolutisht e vërtetë që aktakuza ishte e bazuar vetëm në dëshminë e një dëshmitari.

Katica Janeva është ende në filmin e “Engjëjve të Çarlit”, me këto fjalë prokurorja Vilma Ruskoska, filloi fjalët e fundit për rastin “Reket”. Sipas saj, Janeva dhe Engjëjt e saj të Çarlit u ngrit në piedestal, por në fund ajo zgjodhi të ishte në anën e së keqes.

Gjykimi i çështjes “Reket” filloi në nëntor të vitit të kaluar. Aktakuza u ngrit kundër tre personave. Në seancën e parë për këtë rast, i pandehuri Zoran Milevski-Kiçeec u deklarua si fajtor dhe në seancën e ardhshme u dënua me tre vjet burg. Dy të pandehurit e tjerë, Jovanovski dhe Janeva, u deklaruan të pafajshëm dhe po ndiqen penalisht për paraqitjen e një serie provash materiale dhe porvash gojore nga ana e Prokurorisë.

Katica Janeva – nga PSP-ja si e akuzuar, në më pak se një vit

-Më 5 qershor 2019, Janeva, si Prokurore Speciale Publike, deklaroi se ajo kishte dhënë miratimin për kthimin e pasaportës së biznesmenit Orce Kamçev për një periudhë të caktuar kohe, sepse hetimi për mbledhjen e dokumentacionit financiar ka përfunduar dhe aktualisht është duke u analizuar. Edhe pse Janeva atëherë theksoi se Prokuroria jep vetëm një mendim, dhe gjykata është ajo që merr vendimin për kthimin e pasaportës, një vendim i tillë më vonë do të dëshmohet se është një nga arsyet e zgjerimit të aktakuzës në çështjen “Reket”.

– Më 15 korrik 2019, Janeva paraqiti dorëheqjen e saj, para përfundimit të mandatit të saj. Dorëheqja duhet të aktivizohet në momentin kur partitë politike bien dakord për një zgjidhje të re ligjore dhe zgjedhin pasardhësin e saj.

– Në të njëjtën ditë, Bojan Jovanovski dhe Zoran Milevski u arrestuan nën dyshimin e zhvatjes, për të cilën gjykata urdhëroi ndalimin e tyre. Ata dy herë kanë marrë gjithsej 1.5 milionë euro nga tetë milionë euro të kërkuara nga biznesmeni Orce Kamçev, i cili ishte nën hetim.

– Më 8 gusht, gazeta italiane “La Verita” publikoi në botimin në internet një video të një takimi të të dyshuarve në çështjen “Reket” Bojan Jovanovski (Boki 13) dhe Zoran Mileski (Kiçeec) me biznesmenin Jordan Kamçev. Eurot e paketuara mund të shihen me specifikime të shkruara me dorë në fletë letre, dhe ka një bisedë midis Jovanovskit dhe Kamçevit për një lëndë të PSP-së në të cilën përmendin prokuroren speciale publike Katica Janeva.

– Prokurorët Lile Stefanova, Elizabeta Josifoska dhe Burim Rustemi, si dhe shefja e tyre Katica Janeva dhanë deklarata për çështjen “Reket” në Prokurorinë Publike.

– Më 21 gusht, policia, me urdhër të Prokurorit Publik, arrestoi Prokuroren Speciale Publike, Katica Janeva. Në hetimin e zgjeruar të “Reket”, ajo dyshohet se ka abuzuar me pozitën dhe autoritetin e saj zyrtar për të fituar përfitime personale.  Ajo u mbajt në paraburgim për 30 ditë.

– Më 14 shtator, Parlamenti e shkarkoi Prokuroren Speciale Publike, Katica Janeva me 102 vota “pro”, pa abstenim dhe kundër.

– Më 19 nëntor, Gjykata e Apelit mbështeti ankesën e Janevës dhe i shqiptoi masën e arrestit shtëpiak.

– Më 10 tetor, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ngriti padi kundër Bojan Jovanovskit, Katica Janevës dhe Zoran Milevski-Kiçeec, të dyshuar për çështjen “Reket”.

– Më 3 dhjetor, Janeva u ul në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Themelore Penale Shkup.

Në fillimin e çështjes “Reket”, një nga tre të pandehurit u deklarua fajtor

Më 3 dhjetor në Gjykatën Themelore Penale në Shkup filloi gjykimi për çështjen “Reket” kundër Bojan Jovanovskit, Katica Janevës dhe Zoran Milevski-Kiçeec. I pandehuri i parë dyshohet se ka kryer veprën penale “pastrim të parave dhe të ardhurave të tjera nga vepra panele “, ndërsa dy të tjerët u akuzuan për “marrjen e një shpërblimi për ndikim të paligjshëm”. I pandehuri i dytë gjithashtu akuzohet për veprën penale “shpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”.

– Në seancën e parë, Bojan Jovanovski dhe Katica Janeva u deklaruan të pafajshëm, ndërsa i pandehuri i tretë Zoran Milevski-Kiçeec u deklarua fajtor.

– Më 4 dhjetor, i pandehuri i tretë në çështjen “Reket”, Zoran Milevski-Kiçeec, mori dënimin me tre vjet burg për marrjen e një shpërblimi, pasi pranoi krimin në fillim të gjykimit.

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor Vaska Nikollovska-Masevska sqaroi se Kiçeec ishte fajtor sepse me Boki 13 përmes marrëdhënieve miqësore të krijuara më parë ndikoi që Janeva të kryejë një veprim zyrtar i cili nuk duhet të ishte kryer në lidhje me procedurat penale të kryera nga PSP-ja me urdhrin e Janevës, atëherë në funksionin prokurore speciale për të zhvilluar një hetim kundër Jordan Kamçevit në çështjen “Perandoria”, d.m.th. për të hequr masën e paraburgimit dhe për të shqiptuar një masë më të butë arrest shtëpiak.

Çështja mori orientim të ri pasi hetimit më 9 tetor, u zgjerua edhe për katër persona të tjerë, përfshirë nënkryetaren e Lidhjes Ndërkombëtare, Jasna Mandiq, babanë e Boki 13, Mile Jovanovski dhe ndihmësin e Jovanovskit, Hristina Blazhevskën.

“Reket” dhe lëndët e tjera të mëdha gjyqësore nuk janë përmendur drejtpërdrejt, por rregullisht përmenden si probleme në luftën kundër korrupsionit dhe gjyqësorit në shumicën e raporteve të përparimit të vendit, si dhe në deklaratat nga ambasadorët dhe sondazhet e opinionit publik. Drejtoresha e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska, në fillim të këtij viti tha se “nëse zgjidhet “Reket”, perceptimi i qytetarëve për institucionet do të përmirësohet”.

Në Raportin e Komisionit Evropian për përmbushjen e kushteve për fillimin e negociatave, botuar në mars të këtij viti, evidentohen hetimet proaktive dhe hetimet kundër korrupsionit, përfshirë edhe korrupsionin e nivelit të lartë.

Back to top button
Close
Close