0_Maqedoni.PortalShoqëriTemë

Papa Françesku në Shkup: Vizitë e parë e një pape në vend

Më 7 maj të vitit të kaluar papa Françesku qëndroi për vizitë njëditëshe në Shkup, gjë që paraqiste vizitën e parë në histori të një prijësi të Kishës romane-katolike në vendin tonë.

Shkup, 7 janar 2020 (MIA) – Më 7 maj të vitit të kaluar papa Françesku qëndroi për vizitë njëditëshe në Shkup, gjë që paraqiste vizitën e parë në histori të një prijësi të Kishës romane-katolike në vendin tonë.

Pas largimit nga Shkup, që ishte etapa e dytë e vizitës së tij ekumenike në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut, papa vlerësoi se “Maqedonia është porta përmes të cilës krishterimi hyri në Evropë”, meqë banorët e truallit maqedonas kanë qenë evropianët e parë të cilëve apostulli Pali ua ka transmetuar mësimin e Krishtit. Ai me këtë rast përmendi se “Bullgaria dhe Maqedonia janë dy kombe të lashta, por edhe të ndryshme”, duke theksuar se “populli maqedonas ka traditë të madhe kulturore-historike, por madje para do kohë arriti të konstituojë shtetësinë e saj”.

Ati i shenjtë theksoi se veçanërisht ka qenë i lumtur që ka dëgjuar se në vendin tonë sundon respekti ndaj të gjitha religjioneve dhe ekziston respekt mes pjesëtarëve të bashkësive të ndryshme fetare. Papa shprehu inkurajimin që vendi të vazhdojë rrugën në të cilën lëvizë në mënyrë që të paraqesë fanarin e paqes, pranimit dhe integrimit të frytshëm të kulturave, religjioneve dhe popujve.

Papa nga Shkupi drejtoi porosi se indiferenca dhe shpifjet duhet të zëvendësohen me ndjeshmëri dhe shpresë dhe bëri thirrje për tejkalimin e stereotipave dje për paqe, bashkëjetesë, për dashuri më të madhe ndaj Zotit dhe ndaj njerëzve.

Papa mbajti meshë në sheshin “Maqedonia”, në të cilën ishin të pranishëm rreth 15 mijë qytetarë – besimtarë nga vendi, por edhe jashtë vendit, si ata nga Kroacia, Sllovenia, Bosnja e Hercegovina, Spanja, por edhe nga Hondurasi dhe SHBA-ja, më pas mysafirë nderi, kreu shtetëror i Maqedonisë, liderë fetarë dhe qytetarë kureshtarë, të cilët ishin atje për të parë një personalitet me famë botërore. Qytetarët me durim kalonin përmes postblloqeve të sigurisë dhe e pritnin papën, i cili në sheshin mbërriti me papamobilin.

Prijësi i Kishës romane-katolike para mbajtjes së misionit kishte takim me kreun shtetërorë në vilën Vodno, ku u drejtua edhe presidenti i atëhershëm Gjorge Ivanov. Papa me këtë rast porositi se vendi është urë mes Lindjes dhe Perëndimit dhe vend ku takohen një numër i madh i rrymave kulturore dhe paraqet personifikimin e karakteristikave të rajonit.

– Kjo përzierje e kulturave dhe identiteteve etnike dhe religjioze rezultoi me bashkëjetesë të qetë dhe të përhershme, ku ato identitete individuale gjetën shprehjen e tyre dhe zhvilloheshin pa refuzim, dominim ose diskriminim të ndërsjellë,  bëri të ditur papa.

Këto karakteristika të veçanta, sipas tij, gjithashtu janë me rëndësi të madhe për integrimin me popujt evropianë.

– Shpresoj se ky integrim do të zhvillohet në mënyrë që do të jetë përfitim për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor, përmes respektimit të vazhdueshëm të diversitetit dhe të drejtave themelore, shtoi papa Françesku.

Prijësi i Kishës romane-katolike realizoi edhe takime me liderët fetarë në vend. Në takim me papën ishin të pranishëm prijësi i KOM-AO z.z. Stefani dhe prijësit e Bashkësisë Fetare Islame Sulejman Efendi Rexhepi, i Kishës ungjillore-metodiste Mihail Cekov dhe bashkësisë herreje Berta Romano Nikoliq. Papa me kokë të përkulur u lut dhe vendosi lule para monumentit të Nënës Terezë ku ishte i shoqëruar prej katër motrave të nderit, që i takojnë rendit që e themeloi shenjtorja e lindur në Shkup. Papa u takua edhe me kategori të rrezikuar të qytetarëve, ndërsa realizoi edhe takim ndërfetar me të rinjtë në Kishën Katolike dhe me priftërinjtë dhe familjet e tyre.

Papa kishte takim të veçantë me kryeministrin Zoran Zaev dhe familjen e tij. Kryeministri, duke u përqendruar në vizitën e papës, theksoi se me këtë ngjarje edhe një herë është konfirmuar lidhja shekullore shpirtërore mes shtetit të papës dhe vendit tonë, e vendosur me misionin e iluministëve mbarësllavë, vëllezërit e shenjtë Qirili dhe Metodi dhe me kremtimin e veprës së tyre që çdo vit bashkërisht kremtohet në Romë dhe Vatikan. Kryeministri Zaev në takimin porositi se kjo vizitë apostolike është frymëzim për popullin e Maqedonisë së Veriut dhe e luti papa Françeskun që të lutet për të mirën e qytetarëve të vendit.

Për vizitën e papës kishte interesim të madh mediatik. Rreth 250 dhe mbi njëqind gazetarë të huaj i ndiqnin aktivitetet e prijësit të Kishës romane-katolike në vend. Ndryshe, për ndjekjen e vizitës apostolike në vend dhe në Bullgari ishin akredituar 60 gazetarë, fotoreporterë dhe xhirues nga mbarë bota, të cilët udhëtonin bashkë me papën nga Roma deri në Sofje dhe Shkup dhe më pas, në përputhje me protokollin e Vatikanit, u kthyen me të në Qytetin e Përjetshëm.

Në mesin e punëtorëve të akredituar mediatik ishin përfaqësuesit e agjencive të lajmeve Rojters, Frans pres, Asoshiejted pres, ITAR-TASS dhe ANSA, të televizioneve RAI dhe En-Bi-Si dhe gazetave Stampa, Republika, Korriere dela serra, Mesaxhero, Mond dhe Asahi Shimbun. Nga rajoni, krahas MIA-s, vizitën e papës në dy vendet e ndiqnin edhe gazetarë të RTM-së, televizioneve bullgare BTV dhe NOVA TV dhe “Veçernji list”-i i Zagrebit.

Maqedonia e Veriut deri atëherë ishte vendi i 42-të në botë që do ta vizitojë papa Françesku pas emërimit në fronin në vitin 2013. Vizita e tij, që ndodhi në 25 vjetorin e vendosjes së lidhjeve diplomatike mes vendit dhe Vatikanit, vlerësohet si konfirmim i rrugës nëpër të cilën ecë vendi, para së gjithash integrimi në strukturat evropiane dhe euroatlantike, duke marrë parasysh faktin se papa përveç ndikimit fetar ka edhe ndikim të madh politik në bashkësinë ndërkombëtare.

Papa Françesku, i lindur si Horhe Mario Bergolo, është argjentinas me prejardhje italiane. Ai është prijësi i 266-të i Kishës romane-katolike dhe në këtë detyrë gjendet prej 13 marsit të vitit 2013. Duke e pasuar Benediktin e XVI-të, i cili dha dorëheqje, Françesku është prijësi i parë fetar i 1,2 miliardë katolikëve në botë, i cili vjen nga Amerika Latine dhe është papa i parë që nuk është nga Evropa, pas thuajse një mijë viteve. Papa Françesku është jezuiti i parë në krye të Vatikanit, Pikërisht lidhshmëria e rendit të jezuitëve e sqaron vendimin e tij që si papë të mbajë emrin Françesku, sipas Shën Françesku Asian, shenjtor mbrojtës i të varfërve.

Është i lindur më 17 dhjetor të vitit 1936 në Buenos Aires. Ka diplomuar në Fakultetin Teologjik në San Migel, ndërsa në vendlindjen Argjentinë ka ligjëruar dhe punuar në përhapjen e fesë. Rendit të jezuitëve i është bashkëngjitur në vitin 1969, ndërsa kardinal është zgjedhur në vitin 2001. Ka punuar në përmirësimin e autoritetit të kishës, e cila ka humbur shumë besimtarë, meqë nuk ka dalë hapur kundër diktaturës në Argjentinë në vitet e 70-ta të shekullit 20. Në vitin 2005 ishte në zgjedhjen më të ngushtë të konklavës paraprake, kur kardinali Jozef Racinger ishte zgjedhur si papa Benedikti i XVI-të.

Sashko Panajotov

Back to top button
Close
Close