BallkanBallkan.PortalKorrespondentë BotëSvet.Slajder

Osmani: Qeveria e LDK-së dhe VV-së është moment historik që e kërkuan qytetarët kosovarë në zgjedhje

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe bartësja e listës së deputetëve në zgjedhjet e 6 tetorit, Vjosa Osmani shfaqi optimizëm se partia e saj do të arrijë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje (VV) për formimin e qeverisë së përbashkët, duke cekur se, siç tha, atë koalicion e dëshirojnë shumica e qytetarëve kosovarë.

Prishtinë, 5 dhjetor 2019 (MIA) – Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe bartësja e listës së deputetëve në zgjedhjet e 6 tetorit, Vjosa Osmani shfaqi optimizëm se partia e saj do të arrijë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje (VV) për formimin e qeverisë së përbashkët, duke cekur se, siç tha, atë koalicion e dëshirojnë shumica e qytetarëve kosovarë.

Pas takimit të sotëm të kryesisë partiake, i thirrur nga lideri i LDK-së, Isa Mustafa, Osmani deklaroi se pret që partia e Albin Kurtit, ta thirr takimin e ardhshëm për vazhdim të negociatave.

“Takimin duhet ta thirr Vetëvendosja si fituese e zgjedhjeve. Ne jemi të interesuar për bashkëpunim afatgjatë. Jam optimiste se marrëveshja do të arrihet dhe se do të balancohet”, deklaroi Osmani.

Ajo, siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina, vlerësoi se koalicioni i dy partive deri më tani opozitare, të cilat fituan në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, është “moment historik” për Kosovën dhe bëri thirrje të ndërpritet “fushata linçuese” në procesin e negociatave ndërpartiake.

“Jemi të interesuar që qeveria të jetë e suksesshme dhe do të jetë e suksesshme nëse ne punojmë bashkë. Besoj se takimi do të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur, por nuk kemi ndonjë datë të saktë. Lëvizja Vetëvendosje si fituese zakonisht i merr iniciativat për takim kështu që presim një ftes të tillë, është e domosdoshme që të krijohet një atmosferë e respektit reciprok dhe të eliminohet çdo fushatë linçuese”, tha ajo.

LDK në zgjedhjet e mbajtura më 6 tetor doli e dyta me 24,5 për qind të votave, përkatësisht rreth një për qind më pak se fituesja VV e Kurtit, e cila pret ta marrë mandatin për formim të qeverisë së re.

Negociatat mes ekipeve të të dy partive ishin ndërprerë të hënën, pas çka në mediume u paraqitën spekulime se ata nuk mund të merren vesh rreth ndarjes së resorëve qeveritarë dhe për kandidatin e ardhshëm për president të vendit, i cili duhet të zgjedhjet në vitin 2021, kur edhe i skadon mandatit presidentit aktual, Hashim Thaçi.

Dy partitë paraprakisht kumtuan se tërësisht e kanë harmonizuar programin e qeverisë së re dhe se kanë arritur marrëveshje që ajo të ketë 12 ministri, por nuk i bënë të ditura arsyet për ndërprerjen e përkohshme të negociatave, edhe përkundër asaj që, sipas paralajmërimeve nga të dyja palët, pritej të hënën liderët partiak Kurti dhe Mustafa të nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim. ab/

Back to top button
Close
Close