
Tiranë, 27 nëntor 2020 (MIA) – Për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike me koronavirusin në vend, me propozimin e Komitetit të ekspertëve për ballafaqim me pandeminë, mësimi në arsimin fillor dhe të mesëm në Shqipëri prej 1 dhjetori do të zhvillohet i kombinuar, onlajn dhe me prani fizike të nxënësve.
Sipas Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kusha, nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën në shkollat fillore si dhe maturantët do t’i ndjekin mësimet me prani fizike.
“Për nxënësit e klasave të tjera të arsimit fillor dhe të mesëm kemi një skemë të re mësimore. Kështu, në javën e parë dhe të tretë, dy ditët e para të orëve të mësimit do të jenë me prani fizike, ndërsa tri ditët e tjera onlajn. Në javën e dytë dhe të katërt (2-4) dy ditët e para onlajn, ndërsa tre të tjerat me praninë fizike të nxënësve”, shpjegoi Kusha.
Sipas saj, mësimi në shkollat private ose në vendbanimet rurale ku ka një numër më të vogël të nxënësve, tani për tani mësimi do të zhvillohet me prani fizike.
Shtoi se kjo mënyrë e mësimdhënies do të zbatohet deri në një vendim të ri të Komitetit dhe në përputhje me rrjedhën e pandemisë.
“Çdo të premte, shkollat, në bashkëpunim me njësitë shëndetësore lokale, do të paraqesin raporte në zyrat e arsimit në lidhje me situatën dhe më pas do të merret vendim për secilën shkollë veçmas se si do të zhvillohet mësimi,” shtoi ministrja.
Viti shkollor 2020/2021 në Shqipëri filloi më 14 shtator, ndërsa 430.00 nxënës të shkollës fillore dhe të mesme i ndoqën mësimet me prani fizike. Më shumë se 300 arsimtarë dhe nxënës u infektuan me virusin e rrezikshëm gjatë kësaj periudhe.
Mësimi në universitete filloi më 1 nëntor dhe u zhvillua onlajn pavarësisht kundërshtimit të studentëve, të cilët zhvilluan edhe disa protesta. vt/ls