BallkanBallkan.PortalKorrespondentë Botë

Në Berlin u mbajt takim midis përfaqësuesve të Serbisë dhe Kosovës për lidhjen hekurudhore

Në Berlin është mbajtur takimi midis përfaqësuesve të Serbisë dhe Kosovës për rinovimin e trafikut hekurudhor për udhëtarë dhe mallrave, me iniciativë të të dërguarit special të presidentit të SHBA-së, Riçard Grenell, për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi

Beograd, 27 janar 2020 (MIA) – Në Berlin është mbajtur takimi midis përfaqësuesve të Serbisë dhe Kosovës për rinovimin e trafikut hekurudhor për udhëtarë dhe mallrave, me iniciativë të të dërguarit special të presidentit të SHBA-së, Riçard Grenell, për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.

Mediat serbe transmetuan se përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës sot në Berlin më shumë se tre orë kanë biseduar vetëm për tema komerciale, pasi kushti i Beogradit për vazhdimin e dialogut politik nën kujdesin e BE-së, është heqja e taksave të Kosovës për Serbinë dhe BeH-në.

Ministria e Infrastrukturës së Kosovës kumtoi se takimi i parë në Berlin më autoritetet e Beogradit për vendosjen trafikut hekurudhor kaloi në një “debat konstruktiv”.

“Kemi pasur bisedime të mira. Kemi bërë progres dhe jemi dakorduar që në ditët në vijim t’i mbyllim me sukses bisedimet”, deklaroi Xhemë Veseli, drejtor i Departamentit të Transportit Tokësor në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit të Republikës së Kosovës.

Delegacioni i Serbisë, i udhëhequr nga Marko Gjuriqi, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ishte i përbërë nga përfaqësues të ministrisë dikasteriale dhe ekspertë në fushën e trafikut hekurudhor.

Kosovën, sipas mediave shqiptare, e përfaqësuan Xhemë Veseli dhe Ramë Kupeva, përgjegjës për infrastrukturën rrugore.

Trafiku hekurudhor midis Kosovës dhe Serbisë është në ndërprerje më shumë se dy dekada.

Takimi u organizua me ndihmën e Riçard Grenelit, përfaqësues special i Presidencës së SHBA-së për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

Grenel javën e kaluar gjatë vizitës në Beograd dhe Prishtinë paralajmëroi arritjen e marrëveshjes për lidhshmërinë e trafikut hekurudhor, pasi në Berlin më parë është arritur dakordim për vendosjen e trafikut ajror midis Beogradit dhe Prishtinës. ob/ls/fab

Back to top button
Close
Close