KulturëKulturë.Portal

Ndërroi jetë aktorja e madhe, Leze Qena

Mëngjesin e sotëm pas një sëmundjeje të rëndë, ka ndërruar jetë aktorja e njohur Leze Qena. Lajmi është konfirmuar sot nga zëdhënësi në QKUK, Shpend Fazliu.

Prishtinë, 25 mars 2020 (MIA) – Mëngjesin e sotëm pas një sëmundjeje të rëndë, ka ndërruar jetë aktorja e njohur Leze Qena. Lajmi është konfirmuar sot nga zëdhënësi në QKUK, Shpend Fazliu.

“Ju konfirmojmë se nga data 6 mars ajo ka qenë në mjekimin intensiv dhe përkundër kujdesit maksimal nga stafi, ajo ka vdekur në ora 9.50, në mjekimin intensiv qendror”, tha ai, njoftojnë mediat e Prishtinës.

Qena vdiq në moshën 85 vjeçare. Ajo ka lindur më 1 mars 1935 në Prizren. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje, për të vazhduar më pas në Prishtinë, ndërsa ishte e njohur për role të shumta në teatër, televizion e film. Rolet e saj mes tjerash janë te “Mahmutovitët dhe Rexhepovitët”, “Shkolla e Fshatit”, “I ikuri”, “Familja Moderne” dhe projekte tjera.

Ndërkohë, kanë ardhur edhe reagimet e para nga autoritetet e larta të Prishtinës.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani e konsideron Lezen si aktore që do të kujtohet gjithmonë për pozitivitetin dhe krijimtarinë e pasur që la pas vetes.

Osmani madje i ftoi deputetët të mbajnë një minutë heshtje në nder të aktores Leze Qena ku po mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës.

“Ikona e skenës teatrore iku. Leze Qena na la bashkë me një bagazh të pasur të krijimtarisë së saj. Lezja jonë do të mbetet në kujtimet tona për nga interpretimi brilant në skenën teatrore e filmike dhe për buzëqeshjen e dashurinë që përçonte tek të gjithë. Ikja e Lezes në skenën teatrore kosovare do ta lë bosh përherë një vend, porse nuk do ta lë kujtimin për aktoren e mirë, e mbi të gjitha njeriun e mirë! Prehu në paqe Leze, dritë pastë shpirti yt!”, ka theksuar Osmani, transmeton Kultplus.

“Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e artistes së njohur Leze Qena, në këto ditë të pandemisë. Leze Qena na ka bërë të qeshemi, të qajmë, të duam teatrin e televizionin, të duam artin e jetën, me dekada të tëra. Lezja do t’i mungojë skenës, televizionit, tërë Kosovës. Ngushëllimet më të thella familjes dhe kolegëve të saj”, ka theksuar nga ana tjetër presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndryshe, ikja e saj ka pikëlluar të gjithë ata që e njohën e në veçanti komunitetin artistik me të cilët Lezja ndau shumë momente nga jeta e saj, qofshin ato profesionale apo edhe personale. fab/

Back to top button
Close
Close