BallkanBallkan.PortalKorrespondentë BotëSvet.Slajder

Mustafa pas takimit me Thaçin: Kosovës nuk i duhen zgjedhje të reja

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa, pas takimit të sotëm me presidentin Hashim Thaçi, deklaroi se partia e tij nuk e mbështet idenë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, transmeton korrespodenti i MIA-s në Prishtinë.

Prishtinë, 1 prill 2020 (MIA) – Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa, pas takimit të sotëm me presidentin Hashim Thaçi, deklaroi se partia e tij nuk e mbështet idenë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, transmeton korrespodenti i MIA-s në Prishtinë.

Mustafa u tha gazetarëve se presidenti i vendit nuk ka kërkuar nga ai emër të mandatarit për Qeverinë e re, pasi të martën e kaluar në Kuvendin e Kosovës u votua mocioni i mosbesimit të qeverisë së Albin Kurti, me kërkesë pikërisht të LDK-së.

Ai tha se me Thaçin diskutoi edhe për masat e mëtejshme për menaxhim me koronavirusin.

“Ne diskutuam opsionet se si të dalim nga kjo situatë. Tani nuk është koha për të shkuar në zgjedhje për shkak të gjendjes. Ne jemi për Qeveri të re që do të përmbushë të gjitha procedurat kushtetuese, për qeveri që do të përqendrohet në zhvillimin ekonomik pasi të kalojmë këtë situatë të vështirë dhe qeveri që është e gatshme për dialogun Kosovë-Serbi”, deklaroi Mustafa.

Në korniza të nismës për krijimin e Qeverisë së re, Thaçi u bëri thirrje liderëve të partive politike parlamentare për takime konsultative.

Para Mustafës, presidenti i shtetit u takua me kryeministrin në detyrë dhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i cili bëri thirrje për shpallje të zgjedhjeve të parakohshme, si zgjidhje e vetme të ofruar nga Kushtetuta e vendit në situatë kur votohet mosbesimi një qeverie.

Pas takimit me liderin e LDK-së, Thaçi u takua edhe me liderin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Për nesër janë përcaktuar takime me liderët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, me partinë e serbëve të Kosovës, Lista serbe (SL), Goran Rakiq ​​dhe të Nismës Socialdemokrate (Nisma) të Fatmir Limaj, si dhe me përfqësuesit e grupit G6, në fakt përfaqësuesit e komuniteteve etnike joshumicë në Kosovë. bs/bsh/

Back to top button
Close
Close