0_Maqedoni.Portal0_Web_Ballina - Sllajder0_Web_Përzgjedhja e redaktoritIntervistëMakedonija.SlajderMIA InvestigonPolitikë

Murati për MIA-n: Është i domosdoshëm avancimi i statusit të gjykatësve kushtetues për mëvetësimin dhe pavarësinë e plotë të tyre

Është i domosdoshëm avancimi i statusit të gjykatësve kushtetues, me ç’rast nuk mendohet vetëm në çështjet materiale, por në përgjithësi, me qëllim që të sigurohet mëvetësimi dhe pavarësia e plotë e tyre, nevojitet të sigurohet dhe garantohet autonomi buxhetore dhe administrative e Gjykatës, të rregullohen marrëdhëniet me organet tjera të pushtetit shtetëror, si dhe procedura për zgjedhjen e gjykatësve kushtetues, shprehet në intervistën për MIA-n kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Sali Murati.

Shkup, 7 dhjetor (MIA) – Është i domosdoshëm avancimi i statusit të gjykatësve kushtetues, me ç’rast nuk mendohet vetëm në çështjet materiale, por në përgjithësi, me qëllim që të sigurohet mëvetësimi dhe pavarësia e plotë e tyre, nevojitet të sigurohet dhe garantohet autonomi buxhetore dhe administrative e Gjykatës, të rregullohen marrëdhëniet me organet tjera të pushtetit shtetëror, si dhe procedura për zgjedhjen e gjykatësve kushtetues, shprehet në intervistën për MIA-n kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Sali Murati.

Sipas tij, është jofalënderuese që Gjykata të lidhet me afate fikse në raport me miratimin e vendimeve për të gjitha lëndët, duke përfshirë edhe lëndën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për plotësimin e Ligjit për falje.

– Gjata marrjes së vendimit përfundimtar lidhur me këtë lëndë duhet të merren parasysh përgjigjet nga miratuesi i aktit të kontestuar – Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe eventualisht edhe pjesëmarrësve tjerë në procedurën, si për shembull Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, shton Murati.

Gjykatës Murati, në fillim të këtij muaji u zgjodhët kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Çfarë mendoni për punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese dhe nëse si kryetar i Gjykatës në mandatin tuaj do të bëni ndonjë lloj ndryshimesh? Nëse planifikoni, në çfarë drejtimi do të jenë ato ndryshime?

Gjykata Kushtetuese është organ i Republikës, i cili ka histori më shumë se 60 vite, me praktikë të pasur kushtetuese-gjyqësore për të cilën kanë kontribuar dhjetëra gjykatës, por edhe të punësuar në Gjykatën. Me rëndësi të madhe, e veçanërisht që nga mëvetësimi i shtetit në vitin 1991 është kontributi i madh i dhënë për zhvillimin e mendimit juridik dhe sundimit të së drejtës në shtet në përputhje me vlerat e Kushtetutës së re.

Konsideroj se secili prej qëndrimeve të Kushtetueses, duke përfshirë edhe kryetarë e Gjykatës, kanë kontribuar në zhvillimin e gjyqësorit dhe mendimit kushtetues. Nga ana tjetër, kryetarët si përfaqësues të këtij organi janë angazhuar në zhvillimi organizativ dhe funksional të Gjykatës Kushtetuese. Me këtë rast, të gjithë gjykatësve të deritanishëm u falënderohem për angazhimin e tyre në ndërtimin e këtij institucioni kulmor, e nga ana tjetër i përmendi në kujtesë të gjithë ish-gjykatësit e ndjerë të Kushtetueses.

Që nga ekzistimi i saj, Gjykata, e veçanërisht pas mëvetësimit të shtetit, përballet me probleme dhe sfida. Ndonjëherë vendimet kanë qenë të pranuara, e ndonjëherë të kritikuara nga opinioni. Disa kryetarë janë dalluar, derisa disa kanë qenë të kritikuar.

Nëse ju kujtohet, deklarata ime e parë pas zgjedhjes për gjykatës në vitin 2012 ishte se qëllim themelor si gjykatës kushtetues do të më jetë të jem i drejtë, të respektoj Kushtetutën, sundimin e së drejtës dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve dhe me këtë të lë shenjë në largimin tim nga posti si gjykatës që është angazhuar për vlera siç janë humaniteti, drejtësia, zellshmëria, respektimi i diversitetit në shoqëri, ndershmëria dhe profesionalizmi.

Konsideroj se si gjykatës në këtë shtatë vite i afirmova këto vlera, me punën time, diskutimet, me pjesëmarrje me referate në konferenca të ndryshme në vend dhe jashtë vendit, me mbi 25 mendime të veçuara deri tani.

Sa për ilustrim, në këtë shtatë vite nuk kam marrë pjesë vetëm në një seancë të Gjykatës, me raportin tim kolegjial, mendoj se kam dhënë kontribut dhe vulën time personale për respektimin e normave kushtetuese, zhvillimin e gjyqësorit kushtetues, ngritjen e marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe prezantim të Gjykatës Kushtetuese në vend dhe jashtë vendit. Pikërisht për shkak të kësaj u kandidova për kryetar të Gjykatës Kushtetuese.

Njëherësh, si gjykatës kushtetues me përvojë shumëvjeçare, kisha rastin të punoj me tre kryetarë të Gjykatës dhe me 14 gjykatës të tjerë kushtetues që ishte periudhë e mjaftueshme për observimin e situatës së përgjithshme në të cilën gjendet Kushtetuesja, por edhe mundësi për krijimin e strategjisë për tejkalimin e gjendjes aktuale.

Në këtë drejtim, pasi që mora postin e kryetarit të Kushtetuese, realizova disa takime individuale me të gjithë gjykatësit, të gjithë këshilltarët shtetërorë në Gjykatën, këshilltarë dhe të punësuar të tjerë, në mënyrë që të dëgjoj zërin, sugjerimet dhe propozimet e tyre.

Në bazë të kësaj, në mandatin tim, drejtimi zhvillimor në të cilin duhet të lëvizë Gjykata Kushtetuese për periudhën nëntor të vitit 2019 – maj të vitit 2021, qëllime që duhet realizuar janë: mëvetësia funksionale (që do të thotë mbrojtje absolute të Gjykatës prej çfarëdo ndikimesh gjatë vendimmarrjes dhe veprimit, ndërsa në bazë të analizës së thellë, parimore dhe me kohë, duke respektuar standardet dhe normat ndërkombëtare, e veçanërisht vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut), mëvetësi financiare (buxhet të veçantë të Gjykatës Kushtetuese në kuadër të Buxhetit të Republikës, që do ta ketë në dispozicion vetë Gjykata, ndërsa do të jetë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e një institucioni të pavarur shtetëror financiar) dhe mëvetësi organizative (vetë Gjykata e rregullon organizimin e saj të brendshëm si tërësi dhe sistematizim të çdo vendi të punës ndaras, gjithsesi në kuadër të kompetencave të përcaktuara kushtetuese).

Konkretisht, nga ana tjetër, dua t’i theksoj hapat e radhës që do t’i ndërmarr në periudhën e ardhshme. Në pjesën e ndryshimeve organizative, do të doja t’i theksoj ato në pjesën e organizimit, siç janë: sistemimi i iniciativave/kërkesave të sapopranuara menjëherë pas pranimit të tyre, shqyrtim në seancë të Gjykatës të lëndëve që nuk janë shqyrtuar një kohë të gjatë, por edhe ato që kanë rëndësi më të lartë shoqërore, e nuk janë në numër të vogël, organizim më të shpeshtë të kolegjiumeve të gjykatësve për fazat e procedurës sipas lëndëve konkrete, si dhe për çështje kontestuese nga lëndët që janë prolonguar nga seanca dhe për çështje të tjera nga fusha e veprimit të  Gjykatës, organizim më të shpeshtë të bisedave konsultuese (vetëm me gjykatës raportues, ose grup të gjykatësve, ose të gjithë gjykatësit), organizim të seancave përgatitore (duke ftuar praktikantë profesional dhe hulumtues shkencorë, organizimin e debateve publike veçanërisht për lëndë ose tema të rëndësishme, përfshirje më të madhe të opinionit – mediave (informim përmes ueb-faqes së Gjykatës dhe përmes MIA-s për seancat e rregullta, kumtesa të shkurtra me shkrim nga ajo që është vendosur, konferenca dhe brifingje të rregullta vjetore, sqarime të detajuara për situatën me lëndët me mediat nga kryetari i Gjykatës, gjykatësi raportues, gjykatës tjetër, këshilltar shtetëror, ose ndonjë tjetër të autorizuar nga kryetari), organizim i konferencave rajonale nga aspekti i kompetencës së Gjykatës Kushtetuese afirmimin e gjyqësorit kushtetues përmes angazhimit dhe përgatitjeve për vendosjen e padisë kushtetuese, organizimin e tavolinave të rrumbullakëta, konferencave dhe seminareve rajonale dhe ndërkombëtare, përfundimin e procesit të anëtarësimit në të gjitha asociacionet rajonale dhe ndërkombëtare kushtetuese-gjyqësore në nivel të rajonit dhe atë botëror, organizim të programeve të posaçme në vend dhe jashtë vendit për përsosje profesionale të shërbimit profesional, organizim të ri të brendshëm të shërbimit profesional dhe sistematizim të ri të vendeve të punës.

Në pjesën e ndryshimeve financiare, qëndrimi im është se duhet të bëhet analizë e situatës me pagat dhe kompensimet tjera të gjykatësve, këshilltarëve shtetërorë, këshilltarëve dhe të punësuarve të tjerë, prezantim i situatave të përcaktuara para subjekteve relevante vendore dhe ndërkombëtare dhe kërkesë për vendosjen e Buxhetit të veçantë për Kushtetuesen, përcaktim të mëvetësishëm të pagës së gjykatësve, këshilltarëve shtetërorë dhe këshilltarëve në kornizë të përcaktuar ligjore dhe buxhetore.

Duke marrë parasysh se Kushtetuta e vendit tonë na udhëzon në ligj për Gjykatën Kushtetuese, sipas Jush nevojitet që Parlamenti të miratojë një ligj të këtillë ose, nga ana tjetër, puna e Gjykatës Kushtetuese si edhe deri tani duhet të rregullohet me Rregullore? Vallë eventualisht nëse Parlamenti miraton ligj për Gjykatën Kushtetuese do të shkelet neni 113 i Kushtetutës sonë, e cila udhëzon vetëm në akt personal të Gjykatës Kushtetuese, e jo në ligj. Cili është mendimi Juaj në raport me këtë çështje?

Për të dhënë përgjigje në këtë pyetje, është e domosdoshme që fillimisht të bëhet e ditur se nenin 113 i Kushtetutës parashikon mënyrën e punës dhe procedurën para Gjykatës Kushtetuese të rregullohen me akt të Gjykatës. Së pari, kjo do të thotë se Kushtetueses i është dhënë  një autonomi e caktuar rregulluese që rezulton nga statusi i saj kushtetues i institucionit të mëvetësishëm që është jashtë organizimit të pushtetit shtetëror. Së dyti, me dispozitë janë përcaktuar kufijtë e kësaj autonomia, gjegjësisht me aktin mund të rregullohen çështje që kanë të bëjnë vetëm me mënyrën e punës dhe procedurës para Gjykatës. Së treti, rregullimi i kësaj materie është në kompetencë ekskluzive të Kushtetueses, që do të thotë se ligjdhënësi ose ndonjë miratues tjetër i rregullave, siç është për shembull Qeveria, nuk mund t’i rregullojë këto çështje. Së katërti, kjo dispozitë nuk ndalon miratimin e Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, ndonëse nga ana tjetër, nuk ekziston normë kushtetuese që parashikon miratimin e një ligji të tillë. Në raport me këtë të fundit, e me qëllim që të jap kontributin tim në debatin që pritet në raport me këtë çështje, do të doja të përmend shembullin me miratimin e Ligjit për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Me fjalë të tjera, njëjtë si për Gjykatën Kushtetuese, Kushtetuta nuk përmban dispozitë që parashikon miratimin e ligjit të veçantë për Kuvendin, por vetëm parashikon se organizimi dhe funksionimi i Kuvendit rregullohen me Kushtetutë dhe me Rregulloren (neni 61 paragrafi 2).

Megjithatë, përkundër zgjidhjes së këtillë kushtetuese, Kuvendi në vitin 2009 miratoi Ligj për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Në nenin 1 paragrafin 1 të këtij ligji, qëndron se me këtë ligj rregullohen disa çështje të caktuara për funksionimin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, derisa në paragrafin e dytë është parashikuar se çështjet që kanë të bëjnë me organizimin dhe funksionimin e Kuvendit dhe trupave punuese, procedurat parlamentare, si dhe çështje të tjera që nuk janë rregulluar me këtë ligj, rregullohen me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë dhe Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.

Kushtetutshmëria e këtij ligji, në vitin kur u miratua, u kontestua tërësisht para Gjykatës Kushtetuese. Në iniciativën bëhet e ditur se ky ligj ka qenë tërësisht kundërkushtetues duke marrë parasysh se e ka devalvuar, relativizuar materien kushtetuese nga nenet 61-78 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë ashtu që e ka lëshuar në nivel më të ulët, ligjor, ndërsa kjo nuk ka qenë e lejuar në situatën kur ajo është rregulluar me Kushtetutë. Për shkak të kësaj, Ligji në tërësi nuk ka qenë në përputhje me vlerën themelore të sundimit të së drejtës të përcaktuar në nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 e Kushtetutës, as me nenin 51 të Kushtetutës, e veçanërisht nuk ka qenë në përputhje me nenin 61 paragrafi 2 i Kushtetutës.

Me vendimin U.nr.197/2009 të 23.03. vitit 2011, Kushtetuesja vendosi të mos ngritë iniciativë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë në tërësi. Në arsyetimin e saj, ku Gjykata i parashtron argumentet e saj theksohet: „Duke marrë parasysh në mënyrë të saktë përmbajtjen e Ligjit për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë në tërësi, nga njëra anë, si dhe përmbajtjen e dispozitave të përmendura kushtetuese në të cilat referohet parashtruesi i iniciativës, nga ana tjetër, Gjykata përcaktoi se dispozitat ligjore shikuar në tërësi rregullojnë çështje të tjera nga ato që rregullohen me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, se ato dispozita ndihmojnë e lehtësojnë realizimin e organizimit dhe funksionimit të Kuvendit dhe se dispozitat ligjore lëvizin në kuadër të përcaktimeve të parashtruara kushtetuese. Në këtë kuptim, Gjykata konsideron se Ligji duhet të kuptohet si akt juridik me të cilin përpunohen dhe saktësohen përcaktimet kushtetuese të ndërlidhura me organizimin dhe funksionimin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, me çka ligjdhënësi nuk e shkelë pozitën e tij kushtetuese për të miratuar ligje në kuadër të autorizimeve kushtetuese të përcaktuar në nenin 68 alineja 2 e Kushtetutës, e jo se me Ligjin derogohen Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit dhe se me këtë Ligji e shkel nenin 61 paragrafin 2 të Kushtetutës siç konsideron parashtruesi i iniciativës.“

Nga ana tjetër, ndonëse nuk është miratuar ligj i veçantë për Gjykatën Kushtetuese, duhet përmendur se deri tani nuk janë miratuar më shumë ligje me dispozitat e caktuara e të cilave rregullohen disa çështje të caktuara të ndërlidhura me Gjykatën Kushtetuese, gjegjësisht realizimin e kompetencave të tyre kushtetuese, e që nuk kanë të bëjnë me mënyrën e punës dhe procedurën para Gjykatës.

Kështu, me Ligjin për paga dhe kompensimet tjera të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe personave të tjerë të zgjedhur dhe emëruar në Republikën, rregullohen çështjet që kanë të bëjnë me të drejtën e pagës, kompensimeve dhe të drejtave të pushimit të funksionit mes tjerash edhe të kryetari të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatësve të Kushtetueses. Më tutje, me Ligji për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut është formuar Komision ndërmjete resoreve për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut me detyrë për ndjekjen e zbatimit të vendimeve të Gjykatës (neni 6), me ç’rast në nenin 8 paragrafi 2 i ligjit të njëjtë është parashikuar sipas funksionit të jetë anëtar edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu, vlen të përmendet se me Kodin penal, mes tjerash, parashikohet në nenin 377 paragrafi 3 i Kodit, formë e veçantë e veprës penale – moszbatim të vendimit gjyqësor, moszbatim të vendimit të Kushtetueses.

Gjithsesi, gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje, duhet të merren parasysh edhe qëndrimet e Komisionit të Venecias. Në Mendimin e tij të vitit 2004 për Rregulloren e Gjykatës Kushtetuese të Azerbajxhanit, Komisioni mes tjerash bën të ditur: “baza juridike për aktivitetin e çdo gjykate kushtetuese zakonisht është e përbërë prej tre llojeve të rregullativave juridike që kanë pozicione të ndryshme në hierarkinë e normave të rendit vendor juridik të shtetit. Ata kanë rol të ndryshëm në procesin e rregullativës së plotë dhe koherente juridike të trupit kushtetues. Në majën e kësaj treshe zakonisht është Kushtetuta e cila vendosë kompetencën e Gjykatës, palët të cilat kanë të drejtën e animimit, si dhe parimet kushtetuese në të cilat mbështetet aktiviteti i Gjykatës Kushtetuese. Ligjet dhe gjykatat kushtetuese zakonisht i transformojnë parimet kushtetuese në norma më konkrete. Në fund, afaristët janë niveli i radhës dhe i fundit i treshes. Ata i rregullojnë detajet praktike të aktivitetit të përditshëm gjyqësor. Rregulloret duhet të përgatiten nga vetë gjykatësit kushtetues“.

Nga gjithë ajo që është thënë paraprakisht, mund të konstatohet se ligjdhënësi ka të drejtë të rregullojë çështje që kanë të bëjnë me Gjykatën Kushtetuese, me ç’rast është kufizuar me atë që është materie ekskluzive e rregullore në përputhje me nenin 113 të Kushtetutës. A do të ishte ky ligj i posaçëm për Gjykatën Kushtetuese ose nga ana tjetër duhet të mbetet zgjidhja e tanishme, ku më shumë çështje rregullohen në ligje të ndryshme me dispozita të veçanta të tyre është më shumë çështje e teknikës ligjdhënëse.

Çështje më substanciale është nëse rregullativa e tillë ligjore mundëson realizim të plotë të rolit të Gjykatës kushtetuese si organ i Republikës që mbron kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë dhe liritë dhe të drejtat e njeriut dhe gëzon mëvetësi institucionale, financiare dhe administrative që rezultojnë nga roli i tillë.

Në kuadër të Gjykatës, tashmë kemi bërë analizë vëllimore në raport me kornizën e tanishme ligjore, ku njëherësh janë marrë parasysh edhe zgjidhjet krahasuese-juridike, qëndrimet e Komisionit të Venecias dhe ekspertë të Komisionit Evropian të cilët kanë vlerësuar punën e Gjykatës Kushtetuese dhe si konstatime për nevojën e intervenimit ligjit imponohet si vijon: është i domosdoshëm avancimi i statusit të gjykatësve kushtetues, me ç’rast nuk mendohet vetëm për çështjet materiale, por në përgjithësi, me qëllim që të sigurohet mëvetësia dhe pavarësia e tyre e plotë, nevojitet të sigurohet dhe garantohet autonomi buxhetore dhe administrative e Gjykatës, të rregullohen marrëdhëniet me organet tjera të pushtetit shtetëror, procedura e përzgjedhjes së gjykatësve kushtetues, etj.

A jeni të kënaqur nga kuadri i shumtë dhe personal në Gjykatë?

Në periudhën paraprake prej shtatë viteve si gjykatës kushtetues, kisha rastin të punoj me të punësuar në lëndët që më ishin ndarë në punën si gjykatës – raportues. Më duhet të them se shërbimi i Gjykatës Kushtetuese, ka në dispozicion njohës kulmor të së drejtës me shkathtësi të shkëlqyeshme analitike që janë me rëndësi dhe ndihmë të madhe kur bëhet fjalë për një lëndë kushtetuese-gjyqësore. Gjithashtu, shërbimi i përgjithshëm i Gjykatës tregon përkushtim të madh në zbatimin e detyrave të tyre të punës dhe vetëdije se janë të punësuar në një organ që është me rëndësi më të lartë për sistemin politik të Republikës.

Nga ana tjetër, shërbimi i Gjykatës është me numër të vogël dhe nuk ka në dispozicion kuadër që organi të funksionojë pa penguar për çka opinioni është pak i informuar. Praktikisht, Gjykata përballet me vështirësi me organizimin e secilës prej seancave të saj, ku është e domosdoshme të kopjohet dhe ndahet materiali për shqyrtim sipas pikave të rendit të ditës, nuk ka të punësuar që do të duhej të bëj dërgimin e jashtëm dhe të brendshëm të materialeve, Gjykata nuk ka vozitës të saj, nuk ka të punësuar që do të kujdesej për riparimin dhe mirëmbajtjen në Gjykatë; nuk ka mjaftë pastrues të punësuar, nuk ka shërbim kadrovik, më tutje, nevojitet shërbim për të drejtën komparative dhe praktikë të huaj kushtetuese-gjyqësore, nuk ka mjaftë të punësuar në pjesën e kontabilitetit, ku në mënyrë aktive është i punësuar vetëm një, nuk ka të punësuar që ekskluzivisht do të ishte i angazhuar për marrëdhënie me opinionin, nuk ka kuadrin e saj informatik, etj. Bëhet fjalë për një numër të vogël të të punësuarve që i nevojiten Gjykatës që të funksionojë në mënyrë të papenguar, por deri tani kjo nuk është e adresuar për shkak të çështjes së pazgjidhur për statusin e Shërbimit.

Në pjesën e këshilltarëve shtetërorë që praktikisht e ushtrojnë punën e përgjithshme profesionale në lëndët me gjykatësit raportues, duhet të punësohen nëpunës të rinj të cilët do të kishin kohë të mjaftueshme për t’u trajnuar dhe njoftuar me këtë punë e cila kërkon profesionalizëm dhe përkushtim të lartë. Paralelisht me këtë, në Gjykatë filloi procesi i vendosjes së kuadrove personale në këto detyra punuese. Bëhet fjalë për katër juristë të rinjë që filluan mëvetësisht me punë në lëndët me gjykatësit raportues, me ç’rast tashmë shihen rezultatet e para dhe lëndët e tyre shqyrtohen në seancat e Gjykatës dhe më duhet të them se nga ana ime dhe gjykatësit tjerë, kanë mbështetje të plotë në këtë detyrën e tyre të punës.

Në fund, ndonëse jo më së paku e rëndësishme, parimi i përfaqësimit të drejtë të të gjitha bashkësive në Shërbimin e Gjykatës nuk është respektuar fare, nëse merret parasysh se në Shërbimin ka vetëm një pjesëtar të bashkësisë serbe.

A duhet shërbimi i Gjykatës të trajtohet si administratë, e barabartë me administratën e pushtetit ekzekutiv ose ajo është specifike dhe duhet të jetë e pavarur dhe e rregulluar me akt të Gjykatës Kushtetuese?

Pak më parë theksova se autonomia administrative e Gjykatës rezulton nga roli i saj kushtetues dhe është e dedikuar për realizimin e saj. Kjo, në esencë do të thotë se Gjykata Kushtetuese mundet pavarësisht, sipas vlerësimit të saj të miratojë akte për organizim të brendshëm të shërbimit dhe sistematizim të vendeve të punës, me ç’rast nuk duhet të kushtëzohet me dhënien e pëlqimit të këtyre akteve nga një organ tjetër, mëvetësisht t’i përcaktojë detyrat e punës e të punësuarve, vetë të vendosë për punësimet dhe avancimet e të punësuarve ekzistues, për lartësinë e pagës së tyre (kuptohet në kuadër të mjeteve buxhetore) etj.

E gjithë kjo është rregulluar dhe zbatuar që në vitin 1992 me miratimin e Rregullores së Gjykatës, akt juridik që është miratuar në bazë të nenit 113 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ky akt rregullon çështje që kanë të bëjnë edhe me shërbimin profesional të Gjykatës në mënyrën që e përcakton detyra e saj, i përcakton profesionet në të njëjtën, rrezen e veprimit të punës së saj, punët që i ushtron dhe mënyrën e ushtrimit të tyre, më tutje, rregullon udhëheqjen e shërbimit, si dhe miratimin e akteve të brendshme për organizimin dhe përcaktimin e të ardhurave personale të kategorive të caktuara të të punësuarve.

Mirëpo, në vitin 2000 me miratimin e Ligjit për nëpunësit shtetëror është bërë një lloj i ndërhyrjes ligjdhënëse në këtë pjesë të autonomisë së Gjykatës dhe të punësuarit prej atëherë kanë statusin e nëpunësve shtetërorë. Aq më tepër, sipas Ligjit aktual për nëpunës administrativ, që e zëvendësoi Ligjin paraprak për nëpunës shtetëror, që të miratohen akte të brendshme për sistematizim dhe organizim të shërbimit, është e domosdoshme të merret (theksoj) pëlqim nga Ministria e Shoqërisë Informatike që është një lloj i kontrollit nga pushteti ekzekutiv mbi një institucion i mëvetësishëm të cilit i është besuar një detyrë kulmore kushtetuese. Më pas, kushtet për titujt e ndryshëm te nëpunësit administrativ të përcaktuara me Ligjin, nuk përputhen fare me atë se çfarë profili profesional i nevojitet Gjykatës, më tutje, procedura për punësim në pjesën më të madhe edhe e kontrolluar nga Agjencia për administratë dhe në fund, e vërtetë e të ardhurave personale është kushtëzuar nga vendimi i Qeverisë e cila çdo vit e përcakton lartësinë e vlerës së pikës në bazë të së cilës përllogaritet paga e nëpunësve shtetërorë që sërish është diskutabile nga pikëpamja e pozicionit të Kushtetueses.

Ky konflikt juridik mes Rregullores dhe Ligjit për nëpunës administrativ dhe nevoja për realizim të plotë të autonomisë administrativ, ishte objekt i observimit të ekspertit të Komisionit Evropian, Jasna Omejec – ish-kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kroacisë, që në Konstatimin nr.7 të Raportit të saj të shkurtit të vitit 2018, shënoi qartë se autonomia administrative e Gjykatës Kushtetuese në raport me Qeverinë është lëkundur zbatimi i drejtpërdrejt i Ligjit për nëpunës administrativ në pjesën e përzgjedhjes së të punësuarve në Gjykatë dhe organizimi i saj i brendshëm dhe sistematizimi i vendeve të punës dhe me vënien e Gjykatës nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejt të Agjencisë për administratë.

Unë si kryetar i Gjykatës Kushtetuese, zgjidhjen e shikon në zbatimin e drejtpërdrejtë të normave të Rregullores së Gjykatës Kushtetuese në pjesën e shërbimit profesional që edhe sot është në fuqi. Në këtë drejtim, këtë e prezantova në takimin tim të parë me ministren e Drejtësisë dhe në parim ka gatishmëri nga pushteti ekzekutiv që kjo ide të zbatohet në praktikë.

Vendimet e Gjykatës Kushtetues na është e qartë se i miratoni si organ kolektiv, njëzëshëm ose me shumicë votash. Ndaj, si rezultat a do të kemi së shpejti vendime të Gjykatës sipas iniciativave për Ligjin për gjuhët, për përzgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi dhe lëndëve të tjera për të cilat Gjykata nuk është prononcuar, ndërsa shkaktoi interes të madh në opinion?

Secila lëndë në Gjykatën Kushtetuese, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për iniciativa ose kërkesa, ka peshën dhe rëndësinë personale. Ne edhe deri tani me kujdes dhe në përputhje me Rregulloren veprojmë me kujdes të duhur ndaj çdo lënde. Vetëm sa për të njoftuar opinionin, derisa të formësohet një lëndë e caktuar ne kemi shumë letërkëmbime me parashtruesin dhe pjesëmarrësit tjerë me qëllim që të grumbullohen të dhënat dhe informacionet e nevojshme.

Duke marrë parasysh parimet e ekonomizimit të procedurës dhe rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare, unë, si kryetar, angazhohem që për secilën lëndë të veprohet në mënyrë të azhurnuar, të merret vendim në afat të arsyeshëm dhe të respektohen angazhimet e pjesëmarrësve për realizimin e qëllimit të kërkesave ose iniciativave të parashtruara.

Në praktikë e deritanishme prej shtatë viteve si gjykatës – raportues, u jap peshë të madhe këtyre parimeve dhe prej viti në vit, e zvogëloja mesataren për zgjidhjen e lëndëve të zbatuara vjetore me ç’rast lëvizja në mesatare prej dhjetë muajve për zgjidhjen e një lënde.

Si kryetar për këtë muaj u angazhova për të gjitha lëndët më të vjetra të kemi vendime të Gjykatës, e veçanërisht për lëndët që shkaktojnë interes të madh në opinion.

A konsideroni se Gjykata Kushtetuese duhet të ketë buxhet të pavarur dhe llogari të veten të cilën do ta menaxhojë?

Kjo çështje ka të bëjë me autonominë financiare (buxhetore) të Gjykatës Kushtetuese që nuk është më pak e rëndësishme sesa autonomia administrative. Për të kuptuar thelbin dhe rëndësinë e saj, sërish do t’i isha referuar Komisionit të Venecias që lidhur me këtë çështje, në njërën prej mendimeve të veta ka theksuar se “si trup i veçantë kushtetues, Kushtetuesja duhet të ketë të drejtën të propozojë buxhetin e saj drejtpërdrejt para Parlamentit pa përzierje nga Këshilli gjyqësor ose Qeveria. Buxheti i Kushtetueses nuk duhet të jetë pjesë e buxhetit të përgjithshëm të gjyqësorit“.

Sipas thelbit të saj, autonomia buxhetore mund të përkufizohet si e drejtë e organit që vetë t’i përcaktojë nevojat e tyre buxhetore, me ç’rast të njëjtat në procedurën e përcaktimit të buxhetit shtetëror (qendror) të mos mund të jenë të zvogëluara as prej njërit prej pjesëmarrësve në miratimin e buxhetit (ose si mundësi, bëhet konsultim i detyrueshëm me Qeverinë, Ministrinë e Financave ose Parlamentin). Më tutje, organi gjatë vitit buxhetor të mund t’i sistemojë në mënyrë të pavarur mjetet paraprakisht të përcaktuara buxhetore në përputhje me nevojat e veta dhe detyrimisht të konsultohet gjatë ndryshimeve dhe plotësimeve eventuale të buxhetit shtetëror (i a.q. rishikim). Ky definicion e përfshin në tërësi autonominë buxhetore, ndonëse ekzistojnë shembuj kur autonomia mund të ekzistojë vetëm në disa segmente (për shembull, organi të ketë vetëm të drejtën për të shpërndarë mjetet e ndara buxhetore).

Për legjislaturën e Maqedonisë nuk është e panjohur qasja e ndarjes së një niveli të caktuar të autonomisë buxhetore të disa organeve të caktuara, gjegjësisht degëve të pushtetit shtetëror. Si shembuj mund të përmenden Ligji për avokatin e popullit dhe Ligji për buxhet gjyqësor, derisa si zgjidhje krahasuese-juridike që kanë të bëjnë me gjykatat kushtetuese dhe sigurimin e kushteve financiare për punën e tyre dhe autonominë buxhetore, me shembujt e Ligjit për Gjykatë Kushtetuese (të Republikës së Serbisë) dhe Rregullores për organizimin dhe punën e Gjykatës Kuhtetuese (të Republikës së Bullgarisë).

Momentalisht mungojnë norma ligjore që do ta kishin parashikuar dhe garantuar autonominë buxhetore të Gjykatës Kushtetuese dhe konsideroj se pushteti ekzekutiv si propozues i autorizuar i ligjeve dhe ligjdhënësi, urgjentisht duhet të shqyrtojnë këtë çështje që është notuar edhe në Raportin e ekspertes së Komisionit Evropian, Jasna Omejec.

Lidhur me lartësinë e mjeteve të planifikuara në Buxhetin për vitin 2019, ato në raport procentual arrijnë rreth 0,017% të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore të Republikës, me ç’rast një pjesë më e madhe e këtyre mjeteve në lartësi prej 70%, janë parashikuar për pagesën e pagave, kontribute dhe kompensime nga paga për të punësuarit dhe gjykatësit dhe nuk mund të thuhet se janë të mjaftueshme për plotësimin e nevojave të Gjykatës, të cilat nëse merret parasysh lartësia e pjesëmarrjes së tyre në buxhetin shtetëror, praktikisht janë minore.

Gjykata ka nevojë emergjente për përtëritjen e pajisjes informatike, adaptimin e një hapësire për sallë serveri, furnizim të librave dhe materialeve të tjera profesionale, furnizim të një automjeti udhëtues reprezentativ që është veçanërisht e rëndësishme, veçanërisht që tani në këtë pjesë Gjykata shërbehet nga Shërbimi për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me ç’rast duhet doemos të thuhet se jo gjithmonë u dilet në ndihmë nevojave të Gjykatës, e nga ana tjetër shtrohet pyetja nëse kjo zgjidhje fare është në frymën e sigurimit të mëvetësisë dhe pavarësisë së Gjykatës.

Në dy javët e fundit u bëtë aktual në opinion pasi që nisët procedurë për nenin 11 të Ligjit për plotësimin e Ligjit për falje dhe me hedhjen poshtë të iniciativës së Ligjit për amnisti. Kur mund të pritet më së shpejti vendimi në raport me Ligjin për plotësimin e Ligjit për falje?

Në raport me ngritjen e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për plotësimin e Ligjit për falje, e njëjta është në rrjedhë, gjegjësisht është në fazën e dytë. Kjo do të thotë se Gjykata me vendimin për të nisur procedurë ka shprehur dyshim në kushtetutshmërinë e ligjit të kontestuar me ç’rast nevojitet të përcaktohet teksti i vendimit për nisjen e procedurës në seancë të Gjykatës në të cilën do të arsyetohen arsyet për shkak të cilave Gjykata ka vendosur në këtë mënyrë. Kjo zgjidhje dorëzohet detyrueshëm te parashtruesi i aktit të kontestuar – Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe eventualisht edhe te pjesëmarrësit tjerë në procedurën, si për shembull Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Përgjigjet e tyre duhet të jenë të dorëzuara në afat të caktuar pas pranimit dhe duhet të merren parasysh gjatë marrjes së vendimin përfundimtar. Si rezultat, është jofalënderuese të lidheme me afate fikse, por megjithatë siç thashë edhe paraprakisht në intervistën, unë do të angazhohem që të gjitha lëndët, duke përfshirë edhe këtë, duke respektuar të gjitha dispozitat dhe afatet e rregullores, të zgjidhen në mënyrë të azhurnuar dhe me kohë

Gjykata Kushtetuese periudhën e fundit ishte në qendër të kritikave të shumta. Si i vlerësoni kritikat?

Qëndrimi ynë në raport me kritikat e drejtuar ndaj Gjykatës është shprehur në kumtesën e fundit të publikuar në ueb-faqen tonë dhe njëherë ishte publikuar nga më shumë media. Për ne, janë të pranueshme të gjitha kritikat e argumentuara në aspektin juridik, por jo edhe ato që depërtojnë thellë në mëvetësinë dhe pavarësinë tonë të parashikuar me Kushtetutën dhe Rregulloren tonë.

Daniella Markoska Aleksovska

Foto: Ivana Batev

Back to top button
Close
Close