
Athinë, 2 shtator 2020 (MIA) – Dëshiroj të shpreh kënaqësinë time me faktin se shoqëria greke tashmë duket se e kupton nevojën për të mbajtur maskë atje ku ekspertët na thonë se është e nevojshme, tha sot kryeministri grek, Kirjakos Micotakis në takim të rregullt mbi situatën e koronavirusit në vend dhe shtoi “se duket që shoqëria është aleat në përpjekjet” për të menaxhuar me epideminë, transmeton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Përveç nevojës për të mbajtur maskë, Micotakis shprehu kënaqësinë me numrin në rritje të testimeve, duke theksuar se gjatë ditës së djeshme 17.000 teste u realizuan në të gjithë territorin.
“Vazhduam të kemi shkallë shumë të ulët të rasteve pozitive, pra numrin e rasteve pozitive në lidhje me numrin e testimeve, diçka që e kuptoj si rezultat pozitiv”, tha Micotakis.
Në video konferencën e realizuar morën pjesë ministrat e Shëndetësisë dhe të Turizmit, ministri i Shtetit, zëvendësministri i Mbrojtjes Civile, zëvendësministrat nën kryeministrin, sekretarët e Përgjithshëm, si dhe epidemiologët dhe kryetari i Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik. sr/bs