MIA FleshMIA Radio Flesh

MIA Flesh

18:00/ 17 shtator/ 2020

18:00/ 17 shtator/ 2020

Shkup – Gjatë 24 orëve të kaluara janë regjistruar 186 raste të reja me Kovid-19 nga 1.674  testime. Në periudhën e njëjtë janë regjistruar edhe 85 të shëruar, por edhe shtatë të vdekur. Ministria e Shëndetësisë informoi se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 1.674 teste dhe janë regjistruar 186 raste të reja me Kovid-19 në: Shkup 56, Kumanovë 16, Shtip 8, Prilep 7, Tetovë 10, Strugë 6, Veles 1, Manastir 6, Ohër 2, Kavadar 4, Gostivar 18, Gjevgjeli 5, Strumicë 12, Kriva Pallankë 3, Radovish 2, Koçan 17, Probishtip 1, Makedonski Brod 1, Valandovë 1, Dellçevë 4, Sveti Nikollë 2, Kërçovë 3, Resnjë 1. Sot, Instituti i Shëndetit Publik regjistroi 85 pacientë të shëruar nga: -Shkup 19, Dibër 2, Shtip 4, Prilep 13, Tetovë 2, Strugë , Ohër 9, Gostivar 9, Gjevgjeli 5, Strumicë 1, Kriva Pallankë 1, Radovish 2, Koçan 2, Probishtip 1, Makedonski Brod 3, Berovë 4, Dellçevë 1, Sveti Nikollë 2, Kërçovë 1. Kanë ndërruar jetë 7 persona , një pacient nga Kumanova (53 vjeç), dy pacientë nga Struga (68 dhe 70 vjeç), një pacient nga Gostivari (61 vjeç) dhe tre pacientë nga Dellçeva (43,60 dhe 78 vjeç). Të gjithë pacientët kanë ndërruar jetë në kushte spitali.

Shkup – Marrëveshja për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim me Republikën e Bullgarisë krijon kornizë juridike dhe ofron instrumente për menaxhim të çështjeve bilaterale dhe ne jemi të përkushtuar në zbatimin e saj, deklaruan për MIA-n nga Qeveria në lidhje me memorandumin të cilin Sofja ua dorëzoi vendeve anëtare të BE-së. “Me Republikën e Bullgarisë jemi aleatë në NATO, kemi detyrim të përbashkët që t’i përmirësojmë marrëdhëniet e mira fqinjësore, bashkëpunimin e ndërsjellë dhe të ndërtojmë miqësi”, thonë nga Qeveria. Qeveria e Maqedonisë së Veriut thekson se e drejta e vetëvendosjes dhe vetidentifikimit janë vlerat themelore evropiane dhe përfitime civilizuese dhe se veçantia e gjuhës maqedonase dhe identitetit etnik maqedonas janë fakt i pakontestueshëm.

Shkup – Konferenca ndërqeveritare, me të cilën shënohet fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian është planifikuar për në dhjetor, diçka për të cilën u arrit konsensus në mars, ndërsa mbështetje dha edhe Bullgaria, theksoi sot ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Duke u përgjigjur në pyetjen e  gazetarëve, ai shprehu pritjet e tij pasi Bullgaria lëshoi ​​një memorandum shpjegues për anëtarët e BE-së në pritje të vendimit për të filluar negociatat me Maqedoninë e Veriut, në të cilën mohohet gjuha dhe identiteti modern maqedonas. Osmani në konferencën për shtyp me ministrin e autorizuar për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, i cili është për një vizitë zyrtare në vend, u përgjigj nëse ai mendon se kjo është një kusht i ri, mbase fillimisht të zgjidhet çështja e Goce Dellçevit dhe pastaj të fillojë negociatat, ndoshta një bllokadë e mundshme, por edhe për atë se cilat janë hapat e ardhshëm të Qeverisë në lidhje me këto pozicione bullgare.

Shkup – Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, sot realizoi takim me Ministrin në detyrë për Evropë dhe Punë të Jashtme, Gent Cakaj, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ministri Osmani shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e deritanishëm intensiv dhe të frytshëm bilateral me fqinjin dhe mikun tonë Shqipërinë, e cila tani është edhe aleat i ynë në NATO, si dhe partner i ngushtë në përpjekjet për integrimin tonë në Bashkimin Evropian. Maqedonia e Veriut është e gatshme t’i thellojë marrëdhëniet e përgjithshme në të gjitha segmentet e bashkëpunimit të ndërsjellë.

Shkup – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vend. Ahmeti, gjatë këtij takimi vëllazëror me Cakaj, ka thënë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të mira ndër-fqinjësore dhe që të tilla do të mbeten përherë. Lideri i BDI-së Ahmeti, ministrit të Jashtëm të Shqipërisë Cakaj i ka thënë se beson që gjatë periudhës që vjen partneriteti dhe bashkëpunimi mes dy vendeve tona do të zgjerohet në funksion të paqes, stabilitetit dhe mirëqenies rajonale për të përmbushur synimin tonë të përbashkët strategjik të integrimit në Bashkimin Evropian.

ShkupZëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve mes Bashkësive, Artan Grubi, sot e sqaroi paralajmërimin për subvencionimin e punësimeve në sektorin privat të anëtarëve të komuniteteve tjera etnike në vend. “Në programin e Qeverisë të miratuar në Kuvend qëndron se Qeveria do t’u bëjë thirrje dhe inkurajojë sektorin e biznesit, kompanitë vendase dhe të huaja për të mbështetur marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe vlerat e tolerancës, përfaqësimit dhe besimit të ndërsjellë në mjediset e tyre të punës për të përfituar nga burimet njerëzore që ka në dispozicion vendi ynë”, tha Grubi në deklaratën për mediat përpara Qeverisë, duke shtuar se ideja ishte të inkurajojmë kompanitë në sektorin privat të punësojnë anëtarë të komuniteteve të tjera.

Shkup – Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot mohoi se ekziston rivalitet me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov. Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, Osmani tha se funksionojnë si ekip dhe se takimet e djeshme të ndara në Athinë nuk janë rezultat i rivalitetit, por i çështjes teknike lidhur me agjendat.

Shkup – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve mes Komuniteteve, Artan Grubi u takua sot me ambasadorin austriak Georg Vucas, duke vlerësuar marrëdhëniet politike midis Maqedonisë së Veriut dhe Austrisë, si dhe bashkëpunimin ekonomik. Siç qëndron në komunikatën e Kabinetit të tij, Grubi e informoi ambasadorin austriak se ai dhe ekipi i tij do të kujdesen për kohezionin në koalicionin qeverisës dhe se ai do të koordinonte portofolin politik të Qeverisë, duke përfshirë harmonizimin e pozicioneve midis partnerëve të koalicionit dhe ruajtjen e  konsensusit. “Grubi gjithashtu i transmetoi ambasadorit Vucas se rruga për drejtësi joselektive dhe sundimi i ligjit mund të arrihet vetëm përmes transparencës së plotë dhe vetingut të zyrtarëve publikë, gjyqtarëve dhe prokurorëve”, qëndron në kumtesë.

Shkup – Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq sot u takua me ambasadoren gjermane në vend Anke Hollshtajn. Mariçiq u falënderua për mbështetjen nga Gjermania të dhënë për përgatitjen e ligjeve në fushën ndëshkuese-përmirësuese dhe ndihmën eksperte në reformat në gjyqësi. Siç kumtoi pres-shërbimi qeveritar, Mariçiq theksoi se konsideron në mbështetjen e Gjermanisë për krijimin e Kodit penal sipas modelit evropian.

Shkup – Ministria e Vetëqeverisjes Lokale sot me seminarin e parë nga shtatë seminaret tematike e fillon procesin e konsultimit për përgatitjen e Strategjisë së re për zhvillimin rajonal të vendit për dhjetë vitet e ardhshme. Në përputhje me Ligjin për zhvillim të balancuar rajonal, theksoi ministri i Vetëqeverisjes Lokale Goran Milevski, Strategjia për zhvillim rajonal është një dokument planifikimi afatgjatë që përcakton parimet, qëllimet dhe përparësitë e zhvillimit rajonal në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe përcakton masat, instrumentet dhe fondet për realizimin e tyre. Strategjia, theksoi ai, është miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut me propozim të Qeverisë.

Shkup – Rreth 2.500 qytetarë dorëzuan kërkesa për subvencione për inverterë në Shkup. Në disa pika, ata tashmë kanë filluar të lënë stufat e tyre të vjetër, që është kusht për pagesën e subvencionit, i cili duhet të fillojë prej javës së ardhshme. “Deri në fund të javës së kaluar, kishte rreth 2.500 kërkesa për inverterë. Qytetarët tashmë kanë filluar dorëzimin e stufave të vjetra, gjë që mundëson fillimin zyrtar të pagesës për inverterët e blerë”, tha sot kryetari i Shkupit Petre Shilegov. Ai sqaroi se procedura për subvencione ishte bllokuar për shkak të zgjedhjeve dhe formimit të qeverisë së re.

Shkup – Tani ekzistojnë rreth 140 ndërtime joligjore në territorin e Qytetit të Shkupit. Kryetari i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov, si dhe më parë, përsëriti se ky institucion nuk ka autorizim mbi to dhe se për këtë është i nevojshëm bashkëpunimi me të gjitha komunat e Shkupit dhe kryetarët e komunave. Ai pret që zgjidhje për këtë të gjendet me zbatimin e mëtejshëm të decentralizimit.

Shkup – Vetëm kategoritë e rrezikuara të konsumatorëve të marrin mbështetje nga varfëria energjetike që të ulet goditja nga rritja fundit e çmimit të energjisë elektrike. Ata të cilët nuk kanë problem me pagesën e faturave nuk duhet të marrin volitshmëri, ndërsa të gjindet kategoritë e rrezikuara në të cilat do të ishin të përfshirë rastet sociale dhe qytetarët e prekur me krizën nga Kovid-19. Këtë e porositi kryetari i Komisionit rregullator për energjetikë dhe shërbime të ujit (KRRE) Marko Bislimovski, sot në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve. Ai paralajmëroi se tani më kanë filluar negociatat me sindikatat dhe sektorin joqeveritar që i organizon protestat kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike dhe se takimi i ardhshëm do të mbahet javën e ardhshme në përbërje të zgjeruar me përfshirjen e më shumë përfaqësuesve nga grevistët.

Shkup – Komisarja Andrijana Nellkova – Çuçuk është zgjedhur anëtare e kryesisë së Asociacionit Rajonal të Rregullatorëve të Energjisë (EРРА – Energy Regulators Regional Association). Në asamblenë vjetore të ЕРРА mirënjohje për punën profesionale dhe të përkushtuar në asociacion morën edhe dy të punësuar në KRRE, informoi sot kryetari i Komisionit Rregullator të Energjisë dhe Shërbime Ujore (KRRE), Marko Bislimovski.

Shkup – Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, sot realizoi takim pune me ambasadorin e Federatës së Rusisë në vendin tonë, Sergej Aleksandroviç Bazdnikin. Në takim, njoftojnë nga Ministria, Spasovski dhe ambasadori Bazdnikin, ndër të tjera, biseduan për vazhdimin e bashkëpunimit dypalësh mes ministrive të të dy vendeve, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, si dhe mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm në fushën e luftës kundër krimit kibernetik, duke siguruar mbështetjen e ekspertëve.

Shkup – Vazhdimi i mbështetjes që Hungaria e ofron për vendin tonë me rreth 30 policë hungarezë të sistemuar në kufirin tonë jugor dhe u ndihmojnë policëve tanë në mbrojtjen e kufirit nga emigracioni i paligjshëm, ishte tema e bisedës të takimit të sotëm në MPB midis ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe ambasadorit të Hungarisë në vendin tonë Laslo Ishtvan Duks. Nga MPB-ja njoftojnë se në takim, ambasadori Duks përgëzoi ministrin Spasovski për rolin e tij në zhvillimin e suksesshëm të zgjedhjeve parlamentare dhe i uroi atij sukses në mandatin e tij të ri si ministër i Punëve të Brendshme.

Shkup – Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, për shkak të situatës alarmante me Liqenin e Prespës, u takua me kryetarin e Komunës së Resnjës Zhivko Gosharevski. Në këtë takim, kumtojnë nga MMJPH-ja, u diskutuan mundësitë për përshpejtimin e aktiviteteve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Duke pasur parasysh specifikat e Liqenit të Prespës, ujërat e të cilit i ndajmë me Greqinë dhe Shqipërinë, si dhe natyrën e tij unike dhe lidhjen me Liqenin e Ohrit dhe lumin Drini i Zi, pikëpamja e përbashkët është se një qasje komplekse e bazuar në njohuritë shkencore është e nevojshme.

Shkup – Përfaqësuesi ligjor i Shoqatës “MAKKANABIS”, Kostadin Dukovski në konferencë për media theksoi se është koha që Qeveria t’i marrë parasysh nevojat e shoqatës për prodhimtari të kanabisit dhe zbatimit ndaj pacientëve. “Pacientët në shtet nuk mund të presin, disa prisnin sepse e dinin se çfarë impakti kishte Kovid-19 ndaj shëndetit, tani është koha që t’i trajtojmë pacientët dhe më e rëndësishmja nga të gjitha është që sa më shpejtë të miratohet ligji dhe të gjitha aktet nënligjore të cilat do të dalin nga ligji”, theksoi Dukovski. Zllatko Keskovski, si anëtar i bordit MAKKANABIS, kërkoi që urgjentisht të bëhet ndryshim dhe plotësim i Ligjit për droga narkotike, nga ana e Parlamentit.

Shkup – Për shkak të defektit të tubacionit rrugor me diametër 80 milimetra në rrugën “Pelagonia” 63, sot nga ora 14:30 ndërprerje të furnizimit me ujë do të kenë konsumatorët e asaj rruge dhe nga rrugët “3” dhe “37” në Vizbeg. Siç njoftojnë nga NP “Ujësjellësi dhe Kanalizime” – Shkup, ndërprerja e furnizimit me ujë do të zgjasë deri në mënjanimin e defektit.

Shkup – Nga NP Ujësjellës dhe kanalizim raportojnë se përdoruesit e rrugës “Vostaniçka” në komunën Kisella Vodë nesër do të mbeten pa ujë. Ndërprerja e furnizimit me ujë do të bëhet për shkak të vendosjes së një lidhje në rrugën “Vostaniçka”, në periudhën nga ora 8:30 deri në përfundimin e punës.

Tetovë – Ana Sokollovska dhe Nadir Murseli, anëtarë të klubit të alpinistëve Luboten dje me sukses u ngjitën në majën më të lartë në Turqi, Ararat në 5.137 metra në lartësi mbidetare, bënë të ditur nga klubi tetovar. Dy alpinistë tetovarë dje më 16 shtator në mëngjes në orën 6, arritën të ngjiten në majën më të lartë turke. “Ana dhe Nadiri ishin pjesë e ekipit të 15 pjesëmarrësve, anëtarë të më shumë klubeve nga Maqedonia të organizuar për ngjitje në majën më të lartë në Turqi. I urojmë nga zemra me dëshirën për suksese edhe më të mëdha dëshirojmë ta dini se KA Luboteni krenohet me ju”, potencojnë nga klubi.

Athinë – Tani për tani, nuk është planifikuar asnjë udhëtim i kryeministrit grek Kirjakos Micotakis në Shkup. Një gjë e tillë mund të ndodhë në të ardhmen, tha zëdhënësi i qeverisë greke Stelios Pecas, sot në konferencë të rregullt për shtyp, duke iu përgjigjur pyetjes së korrespondentes së MIA-s në Athinë, në lidhje me vizitën e mundshme të Micotakis në vendin tonë. “Ekziston mundësia për një takim të ardhshëm të kryeministrit me z. Zaev dhe me z. Borisov, në korniza të ‘Thessaloniki Summit’ në Selanik. Ne do ta shohim këtë më vonë, në nëntor”, tha Pecas.

Lubjanë – Qeveria sllovene, duke reaguar në rritjen e rasteve me Kovid-19, paralajmëroi se nga kjo fundjavë maskat do të jenë të obligueshme në vendet e hapura publike dhe se fëmijët nga klasa e shtatë e më lartë do të duhet të mbajnë maska në klasa. Përveç kësaj, matja e temperaturës do të jetë e obligueshme në vendin e punës, ndërsa orari i punës në kafene do të jetë e kufizuar, njofton agjencia STA. Numri i të infektuarve të rinj me koronavirus më 24 orët e fundit në Slloveni është rritur për 104, në gjithsej 4,058 sipas të dhënave të fundit qeveritare.

Kopenhagë  – Situata lidhur me koronavirusin në Evropë është serioze, sepse rritja e regjistruar javore e numrit të rasteve të reja të Kovid-19 tani është më i madh sesa në mars, kur pandemia e arriti kulmin e parë në atë kontinent, paralajmëroi sot Hans Kluge, drejtor rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropë. Javën e kaluar, numri i përgjithshëm javor i rasteve të regjistruara në Evropë tejkaloi 300.000, ndërsa më shumë se gjysma e vendeve evropiane në dy javët e fundit kanë shënuar rritje të numrit të rasteve nga më shumë se 10 për qind, ndërsa në shtatë prej këtyre vendeve është rritur dyfish numri i të infektuarve të rinj, thekson Kluge në kumtesën zyrtare.

Romë – Rreth 70 emigrantë sot kanë kërcyer në det nga anija spanjolle e shpëtimit “Duar të hapura”, në tentim për të notuar deri në portin e afërt italian Palermo. Emigrantët të cilët kanë kërcyer në det janë pjesë e grupit të rreth 270 emigrantëve të cilët i ka gjetur roja bregdetare dhe policia italiane. Emigrantët ishin ndarë në tre anije të shpëtimit mes 8 dhe 10 shtatorit, ndërsa ekuipazhi ende pret instruksione ku do të ishin sistemuar.

Moskë – Vaksina e dytë ruse kundër Kovid-19, e zhvilluar nga Qendra virologjike-bioteknologjike “Vektor”, nuk ndikon në funksionin riprodhues dhe do të jetë efektive kundër formave të mutacionit të koronavirusit të ri, deklaroi sot Aleksandar Rizhikov, kreu i një prej departamenteve të kësaj qendre. Ai shpjegoi se vaksinat peptide, bazuar në platformë të ngjashme me atë në të cilën bazohet vaksina “Vektor” kundër Kovid-19, ishin testuar në kafshë dhe se u zbulua se nuk kishte asnjë efekt në funksionin riprodhues.

Vjenë – Kancelari austriak Sebastian Kurc theksoi sot se Austria është në fillim të valës së dytë të epidemisë së koronavirusit, për shkak të së cilës Qeveria ka marrë vendim që të vendosë masa shtesë, të cilat do të zbatohen nga e hëna në të gjithë Austrinë. “Po përballemi me një rritje eksponenciale. Tani duhet të reagojmë dhe të parandalojmë ndërprerjen e jetës ekonomike dhe shoqërore dhe t’i zbusim pasojat negative për ekonominë. Numri në rritje i të infektuarve të rinj çon drejt paralajmërimeve për udhëtime, e kjo është e keqe për zhvillimin ekonomik, pasi gastronomia, turizmi, tregtia dhe industri të tjera janë veçanërisht të prekura”, tha Kurc në një konferencë për shtyp.

Jerusalem – Ministrat e turizmit të Izraelit dhe Bahrejnit sot për herë të parë biseduan përmes telefonit për bashkëpunimin turistik, i cili përfshin udhëtime në Emiratet e Bashkuara Arabe. Bisedimet mes ministrit izraelit Asaf Zamit dhe kolegut të tij nga Bahrejni Zajed bin Rasid al Zajani vijuan pas nënshkrimit të marrëveshjes për formimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, ditën e martë në Uashington. Në ceremoninë e njëjtë, EBA dhe Izraeli i zyrtarizuan marrëdhëniet.

Munih – Presidenti i Bajernit të Mynihut, Karl-Hajnc Rumenige e konfirmoi transferin e mesfushorit Tiago Alkantara në Liverpul. “Bajerni arriti marrëveshje me Liverpulin. Tiago largohet”, i transmetoi fjalët e Rumeniges, gazetari i “Bild”, Heiko Nidderer. Sipas “Sky Sports”, Liverpuli do të paguajë 20 milionë funta për spanjolin 29 vjeçar. Alkantara sezonin e kaluar ka pasur 40 paraqitje për Bajernin, shënoi tre gola dhe ka pasur dy asistime.

Peruxha, 17 shtator 2020 (MIA) – Sulmuesi i Barcelonës Luis Suarez u nis për në Itali me aeroplan privat, sot në orën 13:15 me kohën e Mesme evropiane, shkruan “Marka”. Uruguaiani fluturoi në Peruxha për të kaluar testet para se të aplikonte për pasaportë italiane. Opsioni i zëvendësimit të Barcelonës me Juventusin duket mjaft i mundshëm, ndryshe nga shkrimet e ditëve të fundit, që marrëveshja është në prag të dështimit. Suarez, këtë mëngjes, u stërvit me shokët e tij katalanas pak para se të hipte në aeroplan.

 

Back to top button
Close
Close