MIA FleshMIA Radio Flesh

MIA Flesh

12:00/ 13 gusht/ 2020

12:00/ 13 gusht/ 2020

Shkup– Në Kuvend sot nuk do të mbahet vazhdimi i seancës konstitutive të përbërjes së re parlamentare të paralajmëruar dje nga kryetari Talat Xhaferi. Nga kabineti i kryetarit të Kuvendit informojnë se kryesuesi i seancës konstituive për shkaqe objektive familjare, nuk do ta caktojë sot vazhdimin e seancës dhe se kur do të kenë informacion shtesë rreth seancës do të informojnë. Në profilin e tij në Fesjbuk, ai njoftoi mbrëmë se ka nip nga vajza. Xhaferi dje deklaroi se i ka udhëzuar shërbimet parlamentare që të përgatisin vazhdim të seancës konstitutive, por seanca nuk u paralajmërua në ueb faqen e Kuvendit. Ai tha se pasi presidenti Stevo Pendarovski ia jep mandatin Zoran Zaevit për të formuar qeveri, do të thotë që lideri i LSDM-së e ka shumicën. Ai tashmë i ka njoftuar koordinatorët e partive në Parlament për këtë.

Shkup– Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski sot do t’ia dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë së re drejtuesit të LSDM-së, Zoran Zaev. Dorëzimi është planifikuar për në ora 12 në mesditë në vilën Vodno. “Zoran Zaev në emër të koalicionit ‘Mundemi’ i cili e ka fituar numrin më të madh të vendeve në Kuvend, e informoi presidentin Pendarovski për negociatat me më shumë parti për ta siguruar shumicën e nevojshme në Kuvend për zgjedhje të qeverisë”, kumtoi dje kabineti i Pendarovskit.

Turku – Pesë nga 146 pasagjerët  të cilët të martën në mbrëmje me aeroplan të Vizer nga Shkupi arritën në qytetin finlandez Turku janë pozitivë të Kovid-19. Miko Pietila, shef i spitalit rajonal të Finlandës jugperëndimore, kumtoi se dy nga të infektuarit janë shtetas  finlandez, ndërsa  tre janë me prejardhje  nga Ballkani të cilët jetojnë në Finlandë. Ai informon se të gjithë pesë të infektuarit janë hospitalizuar, por nuk potencoi detaje për gjendjen e tyre shëndetësore. Janë testuar 129 pasagjerët e aeroplanit, ndërsa 17 kanë refuzuar të testohen. Autoritetet lokale në Turku të martën  kumtuan se të gjithë pasagjerët e fluturimit  nga Shkupi janë vënë në karantinë  dhe do të testohen. Paralajmëruan se institucionet kompetente do të kontrollojnë  nëse respektohet karantina, ndërsa për shkeljen e tij eventuale janë parashikuar dënime.

Shkup – Tregu i sigurimeve mbetet stabil dhe zhvillimi i ngjarjeve rreth bankës Eurostandard nuk do të ndikojnë negativisht në likuiditetin dhe aftësinë për pagesë ndaj punës së kompanive të sigurimeve, informuan nga Agjencia për supervizion të sigurimeve. Nga ASS potencuan se sipas të dhënave të fundit, aktiva e përgjithshme e sektorit të sigurimeve është 26,4 miliardë denarë. Sektorin e sigurimeve e përbëjnë 16 shoqata për sigurim, prej të cilave 11 kryejnë punë të sigurimit jojetësor, ndërsa pesë kryejnë punë të sigurimit të jetës. Vetëm katër shoqata për sigurim kanë mjete financiare dhe depozita në bankën Eurostandard, ndërsa numri i i përgjithshëm i vlerës ka qenë 31 milionë denarë, që paraqet 0,1 për qind nga vlera e përgjithshme e aktivës në sektorin e sigurimeve.

Shkup – Nga Instituti i Mjekësisë së Transfuzionit informojnë se në korrik për herë të parë gjak kanë dhuruar 714 persona. Prej tyre, 549 janë të gjinisë mashkullore, ndërsa 165 janë nga gjinia femërore. Në gjysmën e parë të këtij viti, gjithsej janë grumbulluar 20.692 njësi gjaku, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë. Sa i përket gjendjes me produktet e gjakut, nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se e ndjekin gjendjen epidemiologjike në shtet me qëllim të zbatimit të sigurt të aksioneve për dhurimin e gjakut, duke i shmangur rajonet e rrezikuara përfshirë me numër më të madh të të infektuarve.

Shkup – Gjatë 24 orëve të fundit në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut lidhur me masën e mosmbajtjes së mbrojtjes personale, policia ka regjistruar 464 kundërvajtje. Nga MPB apelojnë të respektohen masat dhe protokollet e miratuara nga ana e Qeverisë me qëllim të përballjes me Kovid-19.

Shkup – Me automjetin special “karrotreci” nga 6 gushti deri dje janë mënjanuar gjithsej 227 automjete nga sipërfaqet publike. Nga numri i përgjithshëm i automjeteve të parkuar në mënyrë të parregullt, 18 janë larguar nga parkingjet zonale, ndërsa 209 automjetet e tjera me urdhër nga policia e trafikut në bazë të shkeljeve të kryera: parkim në rrugë, shteg të çiklistëve, kalim i këmbësorëve, trotuar, zonë e gjelbër, në kundërshtim me shenjat e komunikacionit dhe me thirrje nga personi i tretë. Siç njofton sot Qyteti i Shkupit, kontrolluesit e parkingjeve zonale në të njëjtën periudhë sanksionuan gjithsej 279 automjete për shkak të parkimit të parregullt, përkatësisht për shërbim të papaguar të parkingut. Prej tyre, 18 automjete janë mënjanuar me shërbimin e “karrotrecit” për shkak të tejkalimit të kohës së vendparkimit.

Shkup –  Janë rritur  nivelet e ujërave pothuajse  në të  gjitha lumenjtë  në vend te të cilat sot  janë kryer matjet hidrologjike. Sipas DPHM-së, Babuna  është 20 herë më e lartë nga mesatarja për gushtin, Treska 13 herë, ndërsa Vardari në Veles dhe Jegunovce shënon  rritje  të  përhershme. Edhe lumenjtë tjerë janë mbi mesataren e gushtit, përveç lumit Sateska në Botun, Lepenec në Shkup dhe Kriva në Kriva Pallankë.

Shkup– Fondi i Sigurimit të Depozitave njoftoi personat fizikë – depozitues të “Bankës Eurostandard” SHA Shkup se dëmshpërblimi në bazë të depozitave të përgjithshme të cilat i kanë në Bankë do të fillojë në afat prej 20 ditëve dhe do të bëhet në përputhje me rregullat ligjore. “Fondi i dëmshpërblen depozitat e siguruar, por jo më shumë se 30.000 euro në kundërvlerë denari për depozita në bankë të përllogaritur sipas kursit mesatar të Bankës Popullore më 12 gusht të vitit 2020. Lëndë e dëmshpërblimit janë principali i depozitave, interesi i përllogaritur dhe interesi i papaguar deri më 12 gusht të vitit 2020. Në rast kur depozituesi ka obligime drejtë bankës, vlera e përgjithshme e depozitave të depozituesit ulet për vlerën e obligimeve të tyre të përgjithshme drejtë bankës”, informuan nga Fondi.

Prishtinë – Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe ish kryeministër i Kosovës Ramush Haradinaj e shpalli kandidaturën e tij  për president të ardhshëm  të shtetit, prejse në prill të vitit të ardhshëm  do t’i përfundojë mandati presidentit aktual Hashim Thaçi, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Pas mbledhjes së mbrëmshme të strukturave udhëheqëse  të AAK-së, Haradinaj theksoi se partia, e cila është pjesë e qeverisë së Kosovës, e ka autorizuar të negociojë  për zgjerimin e koalicionit qeveritar, njëherit duke paralajmëruar se do ta pranojë “obligimin e madh dhe nderin e veçantë”, të bëhet president i shtetit. Në  profilin e tij në Fejsbuk, Haradinaj  përmendi se do ta pranonte  funksionin e presidentit prejse  t’i përfundojë mandati Thaçit,  por jo nëse shefi  aktual i shtetit detyrohet  të tërhiqet për shkak të akuzës  së ngritur kundër tij nga Gjykata ndërkombëtare  për krime lufte në Kosovë.

Athinë – Zjarr i madh pyjor shpërtheu gjatë natës  në ishullin grek Ikaria, ndërsa sipas mediave greke nuk paraqet rrezik për vendet e populluara, lajmëroi korrespondentja e  MIA-s nga Athina. Sipas informatave të njëjta, prefekti i ishullit ka kërkuar nga banorët e katër lagjeve të përgatiten për evakuim parandalues eventual, megjithatë  diçka e tillë nuk ishte  e nevojshme.

Athinë – Vendosa, përkohësisht, në ditët në vijim ta përforcoj praninë ushtarake franceze në Mesdheun Lindor, në bashkëpunim me partnerët evropianë, në mesin e të cilëve edhe Greqia, shkroi presidenti i Francës Emanuel Makron në rrjetet sociale, pasi paraprakisht përmes telefonit ka biseduar me kryeministrin grek Kirjakos Micotakis, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina. “Situata në Mesdheun Lindor është shqetësuese. Vendimet e njëanshme të Turqisë për kërkime të naftës shkaktojnë tensione. Ata duhet të ndalojnë që të lejohet dialog i qetë mes vendeve fqinje dhe aleatëve të NATO-s. Vendosa, përkohësisht, në ditët në vijim ta përforcoj praninë ushtarake franceze në Mesdheun Lindor, në bashkëpunim me partnerët evropianë, në mesin e të cilëve edhe Greqia”, shkroi Makroni në Tuiter, si në gjuhën franceze ashtu edhe në gjuhën greke.

Gjenevë – Në 24 orët e fundit në botë janë regjistruar rreth 214.000 raste të reja të të infektuarve me Kovid-19, ashtu që numri i tërësishëm sot është 20,16 milion, kumtoi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Deri tani nga Kovid-19 kanë vdekur 737.417 njerëz në botë, 4.835 vetëm në 24 orët e fundit. Numri më i madh i rasteve të konfirmuara  ende është në Maqedoninë e Veriut dhe Amerikën Jugore, 10.799.062, prej të cilëve 101.230 janë të sapoinfektuar në 24 orët e fundit. Deri tani në Evropë janë konfirmuar 3.641.603 të infektuar dhe 217.716 raste të vdekjes, ndërsa 2.757.822 të infektuar dhe 55.564 viktima në Azinë Juglindore.

Londër – Dekada e fundit ka qenë më e ngrohta që nga matja e temperaturave të ajrit, kanë konfirmuar shkencëtarët. Raporti, në të cilin paralajmërohet për pasojat e ngrohjes globale, është bërë nga 520 shkencëtarë nga 60 vende, dhe tregon se çdo dekadë e vitit 1980 është më e ngrohtë se ajo e mëparshmja, shkruan Gardiani britanik. Periudha më e ngrohtë është nga viti 2010 deri në vitin 2019, ndërsa temperatura u rrit ndjeshëm nga viti 2014 deri në vitin 2019, kur u vendosën edhe rekorde.

Nju-Jork– Sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh paralajmëroi se konfliktet në botë duhet urgjentisht të ndërpriten, sepse pandemia  jo vetëm që është kërcënim për përparimin  në luftën  kundër urisë dhe varfërisë në botë,  por gjithashtu kërcënohet  se do t’i thellojë konfliktet e përhershme dhe do ta  inkurajojë shpërthimin e të rejave. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së KB-së mbrëmë ai deklaroi se  apeli i tij i fundit  më 23 mars për ndërprerje urgjente  të zjarrit  në të gjitha konfliktet e planetit me qëllim që njerëzimi të luftojë kundër pandemisë së koronavirusit, ka rezultuar me shembuj të shumtë  të zvogëlimit të konfliktit dhe ndërprerjes së operacioneve të armatosura.

Buenos Aires – Argjentina dhe Meksika  do të prodhojnë dhe distribuojnë në Amerikën Jugore, përveç në Brazil, vaksinë e ardhshme kundër koronavirusit në laboratorin AstraZeneka dhe Universitetin Oksford, deklaroi presidenti argjentinas Alberto Fernandes. “Laboratori i AstraZenka ka nënshkruar marrëveshje me Fondacionin Slim për prodhimin e mes 15- dhe 250 milionë vaksinave me tërë Amerikën e Jugut, përveç Brazilit dhe do të jetë e disponueshme në gjashtë muajt e parë të vitit 2021 dhe e sistemuar në mënyrë të barabartë në vendet që e bëjnë këtë”, theksoi Fernandes.

Uashington – Përfaqësuesi i përhershëm i SHBA-së në KB, Keli Kraft, i bëri thirrje anëtareve të Këshillit të Sigurisë të KB-së që ta mbështesë projektin, draft rezolutën amerikane për vazhdimin e embargos për armë drejtë Iranit. Projekti ishte dorëzuar dje, ndërsa deklarata për këtë është publikuar mbrëmë në sajtin e Misionit të SHBA-së në KB. “Aksionet e Iranit ndezin konflikt, kaos dhe vuajtje njerëzore në përmasa të mëdha. Irani vazhdon të jetë kërcënim për jetën dhe mjetet e jetës të milionë burrave të pafajshëm, grave dhe fëmijëve, në mënyrë aktive duke e mbështetur grupet terroriste në vende të tilla si Siria, Jemeni, Libani dhe Iraku… Iu bëj thirrje të gjitha anëtarëve të KS që t’i shohin pasojat reale nëse lejohet që të ngritet kjo embargo”, thuhet në deklaratë.

Nju – Jork – Në raportin e përbashkët të UNICEF-it dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) thuhet se më shumë se 800 milion fëmijë në të gjithë botën nuk kanë kushte në shkolla për t’i larë duart. Udhëzimet për vazhdimin e punës së shkollave gjatë pandemisë së koronavirusit të ri theksojnë se është e nevojshme të vendosen masa sanitare dhe higjienike në mënyrë që të zvogëlohen shanset e përhapjes së infeksionit, ndërsa rekomandohet që shkollat ​​të sigurojnë kushte për larje të rregullt të duarve.

Pekin– Koronavirusi i ri gjatë kontrollit rutinor është gjetur në mishin e pulës të importuar nga Brazili, kumtuan sot autoritetet kineze. Virusi të martën është gjetur në mostrat e krahëve të ngrira të pulës, kumtuan autoritetet lokale në qytetin kinez jugor Shenzen, i cili është në afërsi të Hong Kongut. Pas zbulimit të virusit menjëherë janë testuar personat të cilët ishin në kontakt me prodhimet e kontaminuara dhe të afërmit e tyre. Autoritetet lokale theksuan se testet e të gjithëve ishin negative. Brazili është prodhuesi më i madh botëror i mishit të pulës, por vendi i dytë, pas SHBA-së i prekur nga pandemia.

San Francisko – Kompania Fejsbuk e lansoi platformën “Qendra informative zgjedhore” me qëllim që votuesve amerikanë t’u mundësojë që pa vështirësi t’i ndjekin dhe të marrin pjesë në aktivitetet parazgjedhore para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, që do të mbahen në nëntor. “Platforma do t’u mundësojë votuesve lehtë të lidhen me Fejsbukun dhe Instagramin dhe lehtë të vijnë deri në informata të sigurta për punën e njësive zgjedhore, si dhe ta shmangin eksponimin ndaj informatave të rreme”, kumtoi Fejsbuku.

Lisbonë– Sulmuesi i PSZH-së, Nejmar është shpallur për lojtar të ndeshjes së mbrëmshme në kuadër të çerekfinales së Ligës së kampionëve kundër Atalantas. Braziliani e luajti tërë ndeshjen dhe me një asistim ka kontribuar që ekipi i tij të fitojë me rezultatin 2:1. Pas takimit, Nejmarit iu nda çmimi për lojtar të ndeshjes. “Ai ishte lojtari më i rrezikshëm në fushë”, tha vëzhguesi teknik i UEFA-s, Kosmin Kontra.

Back to top button
Close
Close