MIA FleshMIA Radio Flesh

MIA Flesh

09:00/13 gusht/2020

09:00/13 gusht/2020

Shkup– Para 19 viteve në ditën e sotme u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, me të cilën iu dha fund konfliktit disamujor në vend në vitin 2001. Negociatat filluan në Shkup, e pastaj vazhduan në Ohër, ku përfunduan me parafimin e dokumentit më 10 gusht. Tre ditë më vonë, më 13 gusht të viti 2001 në rezidencën presidenciale në Vodno në Shkup Marrëveshjen kornizë e kanë nënshkruar presidenti i atëhershëm i shtetit, Boris Trajkovski, ish kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministër Lubço Georgievski, kryetarët e atëhershëm të PPD-së, Imer Imeri, LSDM-së Branko Cërvenkovski dhe PDSH-së, Arbën Xhaferi. Nënshkrime të tyre në marrëveshjen kanë vendosur edhe përfaqësuesit e posaçëm të BE-së Fransoa Leotar dhe SHBA-së, Xhejms Perdju.

Shkup – Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski sot duhet t’ia dorëzojë mandatin për përbërjen e Qeverisë së re liderit të LSDM-së, Zoran Zaev. Kryesuesi i Kuvendit, Talat Xhaferi paralajmëroi vazhdim të seancës konstituive dhe zgjedhjen e kryetarit të Shtëpisë Ligjvënëse. Gjatë ditës duhet të mbahet edhe takim i përbashkët i liderëve të partive nga blloku politik shqiptar të cilin e inicoi kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. Në takim nuk do të marrin pjesë Afrim Gashi nga Aletrnativa dhe partneri i tij i koalicionit  lideri i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela të cilët kërkojnë shtyrje për javën e ardhshme, pas 17 gushtit. Në takimin e liderëve nuk do të shkojë as kryetari i Besës, Bilall Kasami, i cili vlerëson se një takim i tillë duhet të mbahet pas formimit të qeverisë së re.

Shkup – Liderët e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës Ziadin Sela dhe Afrim Gashi nuk do të shkojnë në takimin e krerëve të partive nga blloku politik shqiptar që sot në mesditë e organizon kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. Në takim nuk do të shkojë as lideri i Besës Bilall Kasami. Ahmeti e planifikoi takimin e përbashkët për sot në përvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa krahas Selës, Gashit dhe Kasamit, është thirr edhe lideri i PDSH-së Menduh Thaçi, i cili deri më tani nuk u deklarua publikisht se a do të marrë pjesë. Sela dhe Gashi dje informuan se pranojnë takim të përbashkët me liderët e partive nga blloku politik shqiptar, por kërkojnë që në vend se sot, ai të mbahet në datë tjetër, pas 17 gushtit. Sipas tyre, që të ketë takim thelbësor dhe të frytshëm, do të ishte mirë që ftesa të ketë propozim agjendë, që të kenë ide më të qartë për shkakun e organizimit të saj.

Shkup – E pasigurt është mbajtja e seancës së sotme  të Kuvendit që dje e paralajmëroi kryesuesi i përbërjes së re parlamentare Talat Xhaferi. Nga shërbimet kuvendore tani për tani nuk ka kurrfarë kumtesë zyrtare, ndërsa seaca  nuk është paralajmëruar as në ueb faqen e Kuvendit. Arsye e mundshme  mund të jenë obligimet familjare të Xhaferit. Ai mbrëmë në profilin e tij në Fejsbuk publikoi se ka nip. “Jemi të bekuar dhe shumë të lumtur pas lajmit se vajza Besiana e solli në botë nipin tonë, Frashërin! Të dy janë mirë,  ne na mbetet  të gëzohemi  për momentet e bukura”, shkruan Xhaferi në FB.

Shkup – Komisioni për sëmundje infektive, siç paralajmëroi dje ministri i Shëndetësisë, Venko FIlipçe, duhet të ketë takim përfundimtar, pas çka do të duhet të caktohet seancë e Qeverisë, në të cilën do të sillet vendim i definuar për atë si do të zhvillohet viti i ri shkollor. “Absolutisht, Komisioni për sëmundje infektive konsideron se ekziston rrezik i madh për shëndetin e nxënësve, prindërve të tyre dhe të punësuarve në shkollë nëse  hapen shkollat tërësisht dhe funksionojnë nga fillimi i shtator”, deklaroi Filipçe. Ai shtoi se jo vetëm fëmijët janë në rrezik, por edhe prindërit e tyre, disa prej tyre janë edhe me sëmundje kritike dhe prandaj udhëzimet e tyre janë megjithatë që të vendoset theks në mësimin onlajn

Shkup – Janë regjistruar 139 raste të reja me Kovid-19 nga 1.627 testime, të evidentuara në raportin e djeshëm të Ministrisë së Shëndetësisë për 24 orë. Janë shëruar gjithsej 239 persona. Vdiq një pacient  nga Ohri, i moshës 66-të vjeçare, në kushte spitalore. Nga numri i përgjithshëm i 139-të rasteve aktive, më së shumti ka në Shkup 30, Kumanovë – 20, Gostivar – 19, Shtip – 15, Strugë dhe Kavadar nga tetë, Tetovë dhe Sveti Nikollë nga gjashtë raste, Koçan – pesë, Kërçovë – katër, Ohër dhe Makedonski Brod nga tre, Dibër, Manastir, Strumicë dhe Demir Hisar nga dy dhe Prilep, Gjevgjeli, Berovë dhe Dellçevë nga një rast.

Shkup – Sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq, Sait Saiti sot pasdite në hapësirat e qendrës për logjistikë në Momin Potok – Shkup do të pranojë donacion nga KAM SHPK. Donacioni përbëhet nga ushqimi dhe mjete higjienike me vlerë prej 633.825,00 denarë dhe është i dedikuar për familjet e rrezikuara sociale në tërë territorin e shtetit.

Shkup – Moti do të jetë me diell dhe i ngrohtë me vranësira të vogla deri mesatare dhe me erë të lehtë deri mesatare veriore. Pasdite do të ketë paraqitje të izoluar të paqëndrueshmërisë me shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 12 deri 21, ndërsa ajo maksimale prej 28 deri 36 gradë. Indeksi UV do të arrijë 8. Në Shkup, mot me diell dhe i ngrohtë  me vranësira të vogla deri mesatare dhe me erë të lehtë deri në mesatare nga drejtimi verior.  Temperatura minimale do të bjerë deri në 19, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri në 33 gradë.

Lubjanë – Sekretari shtetëror amerikan Majk Pompeo do të qëndrojë sot  për vizitë të shkurtër në Slloveni, gjatë së cilës do të nënshkruhet  deklarata e përbashkët për  çështjet të sigurisë  lidhur me rrjetin 5G. Pompeo dje ishte në Çeki, stacioni i parë i turneut evropian me agjendë të madhe, duke e përfshirë edhe rolin e Kinës në ndërtimin e rrjetit 5G, ndërsa pas Sllovenisë do t’i vizitojë Austrinë dhe Poloninë. Pompeo arriti në Evropë prejse presidenti amerikan Donald Tramp paralajmëroi zvogëlim të pranisë ushtarake të SHBA-së në  Gjermani në fund të muajit të kaluar.

Berlin – Në stacionet e testimit të autostradave gjermane, përqindje më e madhe e të infektuarve me Kovid-19, është hasur në hapësirën për pushim në autostradën A3, e cila kryesisht sjell udhëtarë  nga Ballkani Perëndimor  në Gjermani. Sipas mediave gjermane, pozitivë janë rreth 2,4 për qind e testeve  në Qendrën për testim në autostradën A3 Donautal-Ost. Nga hapja e Qendrës për testim,  16.556 udhëtarë lejuan t’u merren strishot. Prej tyre 410 janë pozitivë. Në pjesën për pushim në Hohfeln, në autostradën A8, përqindja e personave të infektuar është më e vogël (1,2 për qind), ndërsa ende më pak ka në Intal-Ost, në autostradën A93 (0,4 për qind).

Minsk – Mijëra bjellorusë protestuan mbrëmë në Minsk dhe qytete tjera, e katërta ditë me radhë, për shkak të rezultateve nga zgjedhjet presidenciale, për të cilat, sipas tyre janë vjedhur dhe kundër represionit policor ndaj protestuesve. Protestuesit antiqeveritarë pohojnë se zgjedhjet të dielën janë vjedhur me qëllim që presidenti Aleksandar Llukashenko ta vazhdojë sundimin e tij 26-vjeçar autoritar. Autoritetet bjelloruse e konfirmuan mbrëmë vdekjen e edhe një protestuesi, i cili u arrestua në protestë të dielën në mbrëmje.

Berlin – Autoritetet gjermane lëshuan 11.081 urdhra për deportim në vitin 2019, që është rritje e mprehtë në krahasim me vitin 2018, kur janë lëshuar 7.408 urdhëra të tilla. Këtë e kumtoi përfaqësuesi qeveritar si përgjigje ndaj pyetjes së deputetit, njoftoi DPA. Urdhrat për deportim më së shpeshti janë lëshuar për ukrainas – 1.252, pastaj vijojnë shqiptarët – 1220 dhe serbët – 828. Autoritetet në Gjermaninë jugperëndimore më së shpeshti e kanë realizuar këtë praktikë. Të dhënat janë publikuar si përgjigje e pyetjes së parashtruar nga partia E Majta.

Londër – Të paktën 800 njerëz vdiqën në mbarë botën për shkak të dezinformatave lidhur me koronavirusin në tre muajt e parë të këtij viti, pohojnë shkencëtarët. Sipas studimit të publikuar në Zhurnalin amerikan për mjekësi tropikale dhe higjienë, rreth 5.800 njerëz ishin pranuar në spital si rezultat i informatave të rreme në mediat sociale. Bi-Bi-Si  transmeton se shumica kanë vdekur sepse kanë pirë metanol ose  mjete alkoolike për pastrim. Ato gabimisht  kanë besuar se këto prodhime  janë ilaç për virusin.

Uashington – Në SHBA janë regjistruar të paktën 5.171.343 raste të konfirmuara të të infektuarve me koronavirusin e ri, ndërsa të paktën 165.328 persona e kanë humbur jetën si rezultat i këtij infeksioni, tregojnë të dhënat e universitetit Xhons Hopkins. Numri i përgjithshëm i të infektuarve dhe rasteve të vdekjes përfshin nga të gjithë 50 shtetet federale, qarku Kolumbia dhe territore të tjera të SHBA-së, si dhe raste të kthimit në vend. Numrat për ditën e djeshme janë 1.485 raste të vdekjes që është numri më i lartë nga 15 maji kur në SHBA u paraqitën 1.507 raste të vdekjes.

Bejrut – Dëmi i shkaktuar nga  shpërthimi katastrofal në portin e Bejrutit është mbi 15 miliard dollarë. Këtë e kumtoi presidenti libanez Mishell Aun. “Vlerësimet preliminale për dëmin material pas shpërthimit në port janë mbi 15 miliard dollarë amerikan”, deklaroi  presidenti dje në bisedë telefonike me mbretin spanjoll Felipe i Gjashtë. Prokurorët libanez do të fillojnë me dëgjimin  e ministrave dhe ish ministrave  për  tonet me nitrat amoniumi që e shkaktuan  shpërthimin vdekjeprurës  më 4 gusht.

Uashington – Presidenti amerikan Donald Tramp në bisedime private me këshilltarët e tij ka biseduar për mundësinë për largimin e Mark Esper nga funksioni i sekretarit për mbrojtje pas zgjedhjeve në nëntor. Arsyeja për këtë janë dallimet e shumta mes tyre, theksojnë mediumet amerikane. Trampi ishte i shqetësuar se Esper është kundër sistemimit të ushtarëve që të përballet me trazirat që shpërthyen në qershor pas vdekjes së Xhorxh Flojdit. Që të dy nuk u pajtuan rreth ndalesës për vendosjen e flamujve në Konfederatën në bazat ushtarake.

Uashington – Kamala Haris, e cila do të jetë kandidate për demokratët për nënpresident të SHBA-së në garën presidenciale të Xho Bajden, u paraqit në publik me të për herë të parë, një ditë pasi ishte shpallur për kandidat. Haris dhe Bajden bashkë marrin pjesë në mitingun parazgjedhor në Uilmington në vendlindjen e tij Delaver. Ngjarja ishte e mbyllur për publikun për shkak të pandemisë së virusit korona, ndërsa Bajden dhe Haris u paraqitën me maska mbrojtëse, informon Bi-Bi-Si.

Nju Delhi – India kumtoi për edhe një rritje rekorde të të infektuarve të rinj me koronavirusin – 66.999 raste të infeksionit të konfirmuara në 24 orët e fundit. Numri i përgjithshëm i personave të infektuarve në Indi tani është pothuajse 2,4 milionë, kumtoi Ministria indiane e Shëndetësisë. Numri i përgjithshëm i rasteve të vdekjes nga koronavirusi tejkaloi 47.000. India është në vendin e tretë në botën sipas numrit të të infektuarve, pas SHBA-së dhe Brazilit dhe në vendin e katërt sipas numrit të rasteve të vdekjes, pas SHBA-së, Brazilit dhe Meksikës.

Paris– PSZH-ja më në fund u kualifikua në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve. Me dy gola pas minutës së 90-të, parisienët e mposhtën Atalantën me rezultat 2:1 dhe do ta mbajnë mend natën e paharruar në Lisbonë dhe “Stadion Da Luzh”. Italianët luajtën një ndeshje të shkëlqyeshme dhe udhëhoqën deri në minutën e 90-të, Mario Pashaliq u solli epërsi në minutën e 27-të dhe më pas patën edhe disa pozita të tjera të volitshme. Në të njëjtën kohë, parisienët ishin larg detyrës. ndërsa Nejmari bëri një lëshim të paparë. Megjithatë, pikërisht braziliani asistoi për barazimin e rezultatit në minutën e 90-të, ndërsa në minutën e 93-të e filloi sulmin për golin e arritur nga rezerva Maksim Çupo-Moting.

Back to top button
Close
Close