MIA FleshMIA Radio Flesh

MIA Flesh

09:00/ 14 korrik/ 2020

09:00/ 14 korrik/ 2020

Shkup– Numri i tërësishëm i personave të diagnostifikuar në vendin tonë nga fillimi i epidemisë arrin 8.197 persona,  prej të cilëve për momentin aktive janë  3.486, prejse dje ishin regjistruar 88 raste të reja  prej gjtihsej 973 testimeve. Numër më të madh të rasteve aktive ka në Shkup – 1.788 persona, pastaj në Kumanovë – 194 dhe Dibër 151. Nga komunat e Shkupit me numër më të madh të rasteve aktive  është Çairi –  302,  pastaj Aerodromi – 162 dhe Buteli – 135. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe nuk pret fluks më të madh të pacientëve nëpër spitale dhe theksoi se trendet  ende janë në  drejtim të pothuajse përqindjes së njëjtë të rasteve të sapodiagnostifikuara nga numri i tërësishëm i testimeve ose përqindja e pacientëve të hospitalizuar nga numri i tërësishëm i rasteve të reja.

Shkup– Dita e dytë e votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Votojnë të sëmurit, të pafuqishmit, të sëmurët kronikë, të burgosurit, personat në arrest shtëpiak, në shtëpitë e pleqve dhe gjashtë persona të shpërngulur brenda vendit. Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) të publikuara në ueb-faqen e tyre, sot votojnë 8.855 të sëmurë dhe të pafuqishëm dhe të sëmurë kronikë kërkesat e të cilëve janë pranuar nga KKZ. Më së shumti të sëmurë dhe të pafuqishëm për votim janë regjistruar në Prilep dhe në Kërçovë nga 486 qytetarë, pastaj në Strumicë  – 465, në Novo Sellë 375, në Kriva Pallankë 361, në Dellçevë 335 dhe në Likovë 331. Votim për të sëmurë dhe të pafuqishëm nuk do të ketë në Vevçan, ndërsa në Zhelinë është pranuar kërkesa e vetëm një personi, përderisa në Shuto Orizarë dhe në Qendra Zhupë do të votojnë nga katër të sëmurë dhe të pafuqishëm. Në Haraçinë janë regjistruar pesë persona për të votuar sot. Nga komunat e Shkupit në Gazi Babë janë pranuar kërkesat e 168 të sëmurëve dhe të pafuqishmëve për votim, ndërsa në Butel -82, në Karposh do të votojnë 80, në Kisella Vodë – 57, në Gjorçe Petrov 48, ndërsa në Aerodrom 47.

Shkup– Misioni special për vlerësimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vendin tonë të Zyrës për institucione demokratike dhe të drejta të njeriut (ODIHR) pranë OSBE-së, një ditë pas zgjedhjeve më 16 korrik do të dalë me rezultate dhe konkludime preliminare lidhur me procesin zgjedhor, ndërsa raportin përfundimtar do ta publikojë rreth shtatë javë pas ditës së zgjedhjeve, me konkludime dhe rekomandime potenciale, paralajmëroi në intervistë për MIA-n Laima Andrikiene – shefe e Misionit special të ODIHR në vend. “Misionet vëzhguese të ODIHR-së janë të përkushtuar në parimin e përzierjes dhe prandaj nuk japim vlerësim para ditës së zgjedhjeve, por më 16 korrik do të japim deklaratë për rezultatet preliminare dhe konkludime lidhur me procesin zgjedhor. Ditën e njëjtë do të mbajmë konferencë për shtyp në të cilën do t’i prezantojmë këto rezultate. Raporti ynë përfundimtar do të publikohet rreth tetë javë pas ditës së zgjedhjeve, me konkludime dhe rekomandime potenciale”, theksoi Andrikiene.

Shkup – Festimi i Festës kombëtare të Francës, 14 korriku do të jetë në shenjë të solidaritetit, që para së gjithash, të nderohen të gjithë që luftojnë kundër pandemisë Kovid-19, kumtoi Ambasada franceze në vend. “Për shkak të pandemisë dhe pamundësisë që ta organizojë pritjen tradicionale, ambasada shpreh falënderim deri tek të gjithë të cilët kanë luftuar për vlerat e Republikës dhe veçanërisht për lirinë, me vendosjen e kurorave tek varrezat ushtarake në Shkup. Në ngjarjen do të marrin pjesë përfaqësues të bashkësisë franceze dhe do të respektohen të gjitha rekomandimet shëndetësore”, qëndron në kumtesën e Ambasadës.

Shkup– Në kazermën në Gjorqe Petrov sot do të dorëzohet një donacion me pajisje mjekësore mbrojtëse nga Republika  Popullore e Kinës Donacioni është në vlerë prej rreth 250.000 euro dhe përbëhet nga 62.000 maska ​​mbrojtëse, 4.200 syze mbrojtëse, 3.000 ballike, 6.000 kostume dhe komplete mbrojtëse, doreza, pompa infuzioni, termometra elektrikë dhe dy sete helmetash termale. Në pranim-dorëzimin e donacionit është paralajmëruar prania e prania e sekretarit të Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes, Dragan Nikoliq dhe ambasadorit kinez Zhang Zhuo.

Shkup – Me qëllim për t’u njohur më mirë me mjetet digjitale që janë të disponueshme për sipërmarrësit modernë, “Telekomi i Maqedonisë” organizon uebinare ku përfaqësuesit e biznesit mund të mësojnë më shumë rreth tyre. Nëpërmjet paraqitjes së shërbimeve dhe mjeteve, si dhe duke shkëmbyer përvojat e nevojshme, Telekom do t’ju tregojë rrugën për modernizimin digjital të biznesit tuaj. “Uebinarin e parë, të krijuar për të demonstruar Shërbime Konfidenciale (Certifikata Digjitale, Vula e Kohës dhe Portali i Nënshkrimit Digjital) do të keni mundësi të përcjellni më 14.07.2020 ose më 16.07.2020, ndërsa i dyti, në të cilin do të demonstrohet Telekom MK App, është parashikuar për 23.07.2020. Regjistrimi mund të bëhet në adresën e mëposhtme: https://www.telekom.mk/vebinari.nspx. Secila nga uebinaret parashikon pjesëmarrjen e maksimumit prej 60 pjesëmarrës, për këtë jini të shpejtë”, theksuan nga “Telekomi i Maqedonisë”.

Dibër – Në Dibër dhe Qendër Zhupë sot  të drejtën e tyre të votës duhet ta realizojnë 33 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm. Sipas kryetares së Komisionit Zgjedhor Komunal, Elmira Bakalli, në komunën e Dibrës do të votojnë  29 të sëmurë dhe persona të pafuqishëm,  aq edhe sa janë paraqitur. Dje sërish votuan 15 persona  në vetizolim ose të sëmurë nga Kovid-19. Në Komunën Qendra Zhupë të drejtën e tyre të votës sot do ta realizojnë  katër persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, ndërsa dje atje nuk kishte  votim sepse nuk kishte të paraqitur.

Romë – Pacientët të cilët janë shëruar nga Kovid-19, me javë, por edhe muaj, pastaj vazhdojnë të kenë pasoja në formë të lodhjes kronike, frymëmarrjes së rënduar, dhimbje në muskuj, disa dëshirojnë të flenë gjatë gjithë ditës, ndërsa për disa është mund i madh që të ngjiten edhe një kat, shkruan revista onlajn “Jurop tudej”. Hulumtimin e realizuan mjekët e klinikës “Xhemeli” në Romë, Angjelo Karfi dhe Roberto Bernabei, të cilët kontrolluan 150 pacientë të infektuar me virus korona. Prej të anketuarve, 87 për qind kishin konfirmuar se kanë të paktën një nga simptomat pas kovidit, lodhje të madhe, probleme me frymëmarrjen, disa kanë probleme psikologjike, ndërsa një numër i madh i pacientëve pas shërimit kanë treguar shenja të çrregullimit  postraumatik.

Gjenevë – Raportuesi special i KB-së për liri të shprehjes, Dejvid Kej, e akuzoi Shtëpinë e bardhë për “sulm të fuqishëm” mbi mediumet  dhe paralajmëroi në “efekt negativ të Trampit” mbi lirinë globale të mediumeve. Në konferencën e tij të fundit për shtyp para fundit të mandatit të tij gjashtë vjeçar, që përfundon në fund të këtij muaji, Kej shfaqi shpresë se “sulmet” mbi  gazetarët në SHBA do të ndalen kur presidenti amerikan Donald Tramp më nuk do të jetë në funksion, transmetojnë mnediat britanike. “Këto katër vjet qartë emëruan  mënyrën në të cilën ky president flet për mediumet, mënyrën në të cilën  ai i njollos mediumet dhe lirinë e shprehjes”, u tha Kej gazetarëve në Gjenevë.

Tokio– Dy persona llogariten të zhdukur, ndërsa mijërave u është urdhëruar të evakuohen pasi reshjet e rrëmbyeshme sot e përfshinë pjesën perëndimore të Japonisë. Ekipet e shpëtimit janë në kërkim pas dy personave pasi rrëshqitja e dheut e shkaktuar nga reshjet e rrëmbyeshme sot në mëngjes e ka bllokuar shtëpinë e tyre në qytetin Higashi Hiroshima, njoftuan mediumet lokale. Mijëra banorë në qytetin Misota dhe qytetin Gotsu morën urdhër për t’i braktisur shtëpitë e tyre, pasi shiu i fuqishëm shkaktoi derdhje të lumit Gono, njoftojnë mediumet lokale.

Brazilia – Presidenti brazilian Zhair Bolsonaro, i cili është infektuar me koronavirus,  deklaroi se ndjehet shumë mirë dhe porositi se do të kthehet në punë  nëse testi i tij i sotëm  për koronavirus është negativ. Bolsonaro theksoi se do të jetë në izolim nëse nuk shërohet nga virusi, transmetojnë mediat britanike. Për Si-En-En Brazil ai tha se  nuk ka ndjerë frymëmarrje të vështirësuar, as nuk e ka humbur ndjenjën e shijes.

Uashington – Një aeroplan ushtarak F-16 Vajper i forcave ajrore amerikane u rrëzua gjatë aterrimit në bazën ushtarake në Nju-Meksikë. Piloti katapultoi dhe kishte arritur që të shpëtohet, informon Bi-Bi-Si. Burime ushtarake bënë të ditur se piloi kishte marrë ndihmë mjekësore për shkak të lëndimeve më të lehta. Shkaqet për incidentin po hetohen. Sipas Foks Njuz, ky është aksidenti i pesë i një aeroplani ushtarak në SHBA nga maji e deri më sot.

Nju-Jork – Kombet e Bashkuara paralajmëruan sot se 130 milionë njerëz në të gjithë botën mund të vuanin nga uria kronike për shkak të pandemisë së koronavirusit. Në raportin e KB-së thuhet se numri i njerëzve të uritur në botë u rrit edhe me 10 milionë, vetëm vitin e kaluar dhe tregon se pandemia është duke rritur dobësitë dhe pamjaftueshmërinë e sistemit global të ushqimit, transmetojnë mediat amerikane. Sipas projekteve paraprake, bazuar në njohuritë mbi trendet ekonomike botërore, raporti vlerëson se në vitin 2020, të paushqyer mund të mbesin 83 milionë deri më 132 milionë persona.

Madrid – Lojtarët e Real Madridit janë në hap për të fituar titullin në Kampionatin spanjoll të futbollit. “Mbretërit” mbrëmë në xhiron e 36-të e mposhtën Granadën në fushën si mysafir  me rezultat 2:1 dhe e kthyen dallimin prej katër pikëve në krahasim me konkurrentin për vendin e parë, ekipin e Barcelonës. Tre pikët Reali në Granada i siguroi pas vetëm pesëmbëdhjetë minuta lojë me golat e Fernand Mendit dhe të Karim Benzemas. Deri në fund nikoqirët arritën vetëm të zvogëlojnë rezultatin përmes Darvin Makis. Në tabelën e La Ligës, Reali është lider me 83 pikë para Barcelonës e cila ka 79. Granada është në vendin e 10-të me 50 pikë.

Back to top button
Close
Close