MIA FleshMIA Radio Flesh

MIA Flesh

18:00/ 10 korrik/ 2020

18:00/ 10 korrik/ 2020

Shkup – Numra më të lartë të të sëmurëve të rinj sot ka regjistruar Ministria e Shëndetësisë. Në 24 orët e fundit janë evidentuar 205 raste të reja prej të cilave më së shumti në Shkup. Janë shëruar 336 pacientë, ndërsa kanë vdekur gjashtë pacientë. Tre të vdekurit janë të moshës prej 62, 68 dhe 95 vjet dhe ata kanë vdekur në Klinikën Infektive, ndërsa dy pacientë të moshës prej 65 dhe 70 kanë vdekur në SPQ “8 Shtatori”. Në Spitalin e përgjithshëm në Gostivar ka vdekur një paciente e moshës 80 vjet. Në 24 orët e fundit janë bërë 1.728 teste. Numri më i madh i të sëmurëve janë nga Shkupi – 60, pas çfarë vijojnë Sveti Nikolla – 29, Gostivari  – 23, Dibra – 17, Tetova dhe Kumanova nga 13, Struga –  12, Kërçova me  7, Velesi dhe Resnja nga 3, Probishtipi dhe Demir Hisari nga dy dhe Ohri, Kavadari, Strumica, Krusheva, Makedonski Brodi dhe Berova nga një rast. Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me Kovid-19 në vend nga fillimi i epidemisë është 7.77, numri i pacientëve të shëruar është  3.960,  të të vdekurve 368, ndërsa për momentin raste aktive në vend janë 3.586. Për momentin aktivë janë 3.449 raste.

Shkup– Çairi mbetet komuna me numër më të madh të rasteve edhe në 24 orët e kaluara, tregojnë të dhënat që sot i publikoi Ministria e Shëndetësisë. Në këtë komunë janë regjistruar 323 raste aktive. Dyqind raste aktive ka edhe në Gazi Babë, ndërsa mbi 150 raste janë evidentuar edhe në Aerodrom, Butel, Qendër dhe Karposh. Në Aerodrom ka 162 raste aktive, në Karposh 147, ndërsa nga 146 raste aktive ka në Butel dhe Qendër. Në Saraj në 24 orët e kaluara janë evidentuar 128 raste aktive, në Studeniçan 116, në Kisella Vodë 108, në Gjorçe Petrov 107, në Shuto Orizare 86, Haraçinë 45, Ilinden 31, Petrovec 17, Çuçer Sandevë 16, Zelenikovë 13 dhe Sopishtë 8.

Shkup – Qeveria në propozim të Ministrisë së Punëve të Brendshme në bashkëpunim me ministritë e shëndetësisë dhe të punëve të jashtme ka përpunuar udhëzime për mënyrën e transitit dhe të qëndrimit të rregulluar ose të përhershëm në vend për shtetasit e Kosovës, Malit të Zi, Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë, si dhe të diplomatëve, anëtarëve të familjeve dhe qytetarëve të tyre me shtetësi të dyfishtë nga këta shtete. Siç informojnë nga pres shërbimi qeveritar, për transit nëpër vend qytetarët e katër shteteve gjatë hyrjes në vendkalimin kufitar për qarkullim ajror, nga Aeroporti ndërkombëtar i Shkupit dhe Aeroporti i Ohrit, nuk është e nevojshme të tregojnë vërtetim mjekësor nga testi PCR i bërë, por duhet vetëm të nënshkruajnë deklaratë dhe në afat prej tre orëve duhet ta lëshojnë territorin e shtetit.

Bruksel – Komisioni Evropian sot i prezantoi rezultatet nga monitorimi i rregullt të kritereve për liberalizim të vizave për vendet nga Ballkani Perëndimor dhe nga Partneriteti lindor, ku të gjithë i plotësojnë kushtet edhe më tej, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli. Prej vitit 2017, Komisioni Evropian ka obligim që t’i informojë vendet anëtare për plotësimin e këtyre kritereve për shkak të valës së kërkuesve “ilegalë” të azilit, të cilët kanë ardhur nga Ballkani Perëndimor para së gjithash, pasi është hequr regjimi i vizave. Raporti i fundit tregon se Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bosnia e Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina vazhdojnë t’i plotësojnë kushtet dhe se regjimi pa viza “vazhdon të sjell beneficione pozitive ekonomike, sociale dhe kulturore, si për BE-në, ashtu edhe për vendet partnere. Megjithatë, Komisioni përkujton se nuk guxon të ketë lehtësim të përpjekjeve.

Shkup – Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit në seancën e sotme ka vendosur të hapë lëndë për ndihmën qeveritare në para të shoqatave dhe fondacioneve si pjesë e masave për përballje me krizën nga koronavirusi, ndërsa sipas ankesës së parashtruar nga VMRO-DPMNE-ja opozitare dhe koalicioni “Ripërtëritja e Maqedonisë”, në të cilin theksohet se është shkelur Kodi zgjedhor me pagesën e parave gjatë fushatës zgjedhore. “Pagesa e mjeteve të lejuara është më 1 qershor dhe është në periudhën e fushatës zgjedhore dhe paraqet shkelje të nenit 8, paragrafit 1 alinesë 2 nga Kodi zgjedhor dhe neni 43 nga Ligji për parandalimin e korrupsionit dhe përplasjes së interesave. Për shkak të kësaj në pajtim me masat tona propozohet të ngritet procedurë para organeve kompetente për personin përgjegjës pranë Sekretariatit të përgjithshëm”, vlerësuan nga KSHPK.

Shkup– Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev sot u prononcua në profilin e tij në Fejsbuk lidhur me audio materialet e publikuara sot në Jutjub. “BDI nuk vlen pesë pare në tregun e votave. Ky është qëndrimi im sot, ishte qëndrimi im edhe atëherë, në kohën kur u incizua biseda e publikuar sot. Kishin 20 deputetë, u përgjysmuan në 10, në këto zgjedhje do të kenë edhe më pak. Sidoqoftë, përkundër faktit që BDI nuk vlen as për pesë pare, më 27 prill 2017, unë mbrojta jetën e Talat Xhaferit me jetën time”, ka shkruar Zaev në Fejsbuk. Ai thotë se ka treguar dhe dëshmuar dashurinë dhe respektin e tij për shqiptarët me vepra.Jo vetëm me fjalë por me vepra. E sollëm Ligjin për gjuhët, kujdesemi për të gjitha komunitetet, kam qenë i pari që u kam bërë thirrje maqedonasve që të votojnë për shqiptarët dhe shqiptarët për maqedonasit, kam qenë i pari që hapa partinë për zyrtarë të lartë shqiptar, isha i pari që formova një koalicion parazgjedhor me një parti shqiptare dhe personalisht dhe familjarisht jam i lidhur me shqiptarët, jam kumbar i Muhamed Zekirit dhe kjo është një kënaqësi e madhe për mua”, ka shkruar Zaev.

Shkup – Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev u takua me Ambasadorin holandez në vend, Dirk Jan Kop, me çka diskutuan për procesin e përgatitjes së procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të planifikuar më 15 korrik, procesin e integrimit të vendit në BE, si dhe gjendjen me koronavirusin. Siç kumtuan nga LSDM-ja, Zaev theksoi se vendi deri më tani ka treguar përparim në procesin e organizimit të zgjedhjeve në tre vitet e fundit dhe prandaj me të drejtë pret që zgjedhjet më 15 korrik të jenë të drejta, të lira dhe sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare, dhe nga ana tjetër institucionet të marrin përsipër të gjitha masat për mbrojtjen e plotë të shëndetit të qytetarëve gjatë procesit të votimit.

Shkup– Përsëri është vendosur pranimi i dërgesave postare për SHBA dhe numër të caktuar të shteteve në Evropë, njoftojnë nga SHA “Postat e Maqedonisë së Veriut” – Shkup. Nga atje theksojnë se ata janë në kontakt të vazhdueshëm me operatorët dhe transportuesit ndërkombëtarë të postës dhe se po rregullojnë operacionet e tyre ndërkombëtare në gjendjen aktuale pasi pandemia e Kovid-19 në shtetet nëpër gjithë botën shkaktoi ndryshime të rëndësishme në operacionet postare ndërkombëtare.Regjistrimi i shteteve për të cilat është e mundur të dërgohen dërgesa postare mund të shihet në lidhjen vijuese: https://posta.com.mk/sq/perseri-eshte-rivendosur-pranimi-i-dergesave-ne-shba-dhe-nje-numer-i-caktuar-ne-shtetet-evropiane/.

Shkup – Është kryer pagesa e shtesës për arsim, për periudhën e katërt matëse, për 26.050 fëmijë. Me këtë pagesë, shtesë arsimore kanë marrë mbi 2.000 fëmijë më shumë, kumtoi sot Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Ministria resore potencoi se vazhdimisht e rrit përfshirjen e fëmijëve me shtesën arsimore. “Kujdesimi për çdo fëmijë dhe nuk lejojmë që kriza shëndetësore-ekonomike të shprehet në popullatën më të re, e cila është ardhmëria e këtij vendi. Për këtë shkak edhe në kushte mjaftë të ndërlikuara, e kemi rritur përkrahjen për çdo individ, për çdo familje. Shumë është me rëndësi që fëmijët nga familjet pa ose me të ardhura të ulëta, të marrin ndihmë shtesë”, elaborojnë nga MPPS.

Shkup– Zëvendës kryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe ministri i obliguar për diasporë dhe kryetar i grupit punues për përkrahje të Rajonit të Prespës, Edmond Ademi sot në Resnjë e kanë prezantuar projektin “BE për Prespën” dhe iniciativën “Prespa forum për dialog”. Siç kumtoi pres shërbimi qeveritar, Shekerinska përmes fjalëve të filozofit të madh grek, Aristotel, potencoi se pa guxim nuk mund të bëhet asgjë dhe se pikërisht guximi së bashku me nderin janë virtytet më të mëdha, të cilat nevojiteshin që të zgjidhet një nga problemet më të mëdha të cilat e ndjekin vendin tonë nga pavarësia, probleme për të cilat çmimin e e kemi paguar ne vet me mundësitë e humbura dhe integrime të bllokuara, të cilat “11 vite kanë qëndruar në qorr-sokak”.

Shkup – Kryeministri Oliver Spasovski, i shoqëruar nga zëvendësministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive Nexhad Mehmedoviq, sot u takua me përfaqësues të Shoqatës së malazezëve në vendin tonë, të kryesuar nga kryetari Boris Popivoda, si dhe ambasadoren e Malit të Zi Marija Petroviq. Spasovski, siç informojnë nga pres-shërbimi qeveritar, përfaqësuesve të Malit të Zi ua uroi Ditën e shtetësisë, 13 Korrikun, me dëshirën për vazhdimin e marrëdhënieve fqinjësore, si dhe vazhdimin dhe përforcimin e bashkëpunimit bilateral dhe ekonomik.

Shkup– Mbi 187.000 kartela pagesore vendore tashmë janë aktive dhe qytetarët me to tashmë kanë bërë mbi 660.000 transaksione dhe kanë shpenzuar  10,7 milion euro për prodhime dhe shërbime vendore,  thotë në publikimin e saj në Fejsbuk ministrja e Financave Nina Angelovska. “Duke e përfshirë 8 korrikun kemi 187.768 kartela pagesore vendore aktive. Për tre javë  rreth 11 milion euro  është plotësuar ekonomia  përmes  konsumit të rritur të qytetarëve me kartela pagesore vendore dhe me atë  mbështeteten prodhimet dhe shërbimet e Maqedonisë, mbështeten qytetarët dhe nxitet aktiviteti ekonomik.  Gjithashtu, rriten edhe  pagesat pa para të gatshme, ndërsa me atë ndikohet edhe në zvogëlimin e ekonomisë gri”, shkruan Angelovska.

Shkup– Rritja e pagave dhe pensioneve dhe zvogëlimi i papunësisë, mbështetje e bujqve, rindërtim i fasadave  të shtëpive janë mes projekteve të shumta  nga programi i VMRO-DPMNE-së, deklaroi sekretari i përgjithshëm  i partisë Igor Janushev, bartës i listës në NJZ 3, pas takimit të sotëm  me banorët e komunës Zelenikovë. Ka biseduar, tha, me njerëzit  për problemet e tyre dhe i ka njoftuar me atë që ua ofron qeveria e udhëhequr  nga VMRO-DPMNE pas zgjedhjeve më  15 korrik.

Dibër – Në Dibër rritet numri i të infektuarve, por edhe i personave të shëruar, që e konfirmojnë të dhënat zyrtare sipas të cilave në 24 orët e fundit janë regjistruar 17 të infektuar të rinj, ndërsa tetë janë shëruar, dy prej tyre të cilët janë mjekuar në spitalin “8 Shtatori”. Ky është numri i dytë më i lartë i të infektuarve të rinj sipas atij të 20 qershorit kur u regjistruar 18 të infektuar të rinj. Numri i përgjithshëm i të infektuarve nga fillimi i pandemisë, është rritur në 137. Betejën me virusin e rrezikshëm e kanë fituar 56, e kanë humbur pesë, ndërsa aktivë janë 76 persona, prej tyre shtatë janë hospitalizuar në institucionet shëndetësore në Shkup.

Dibër– Në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë, më 15 korrik, 25.825 qytetarë të rritur duhet të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Krahasuar me zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune të vitit të kaluar, janë 298 më shumë persona në Listën e vetme të votuesve. Prej tyre 190 janë në komunën e Dibrës dhe pjesa e mbetur 108 në komunën e Qendër Zhupës.

Kërçovë – Në komunën e Kërçovës për votim në zgjedhjet parlamentare, në Komisionin Komunal Zgjedhor u paraqiten gjithsej 36 të sëmurë nga Kovid-19 dhe persona në vetizolim dhe 483 persona të pafuqishëm dhe të sëmurë kronikë. “Personat të cilët janë nën karantinë shtëpiake për shkak të testimit pozitiv të Kovid-19 dhe personave të cilëve u është caktuar masa e vetizolimit me vendim të Inspektoratit Sanitar dhe Shëndetësor Shtetëror, do të votojnë më 13 korrik në shtëpitë e tyre, të pafuqishëm dhe të sëmurë kronikë do të votojnë më 14 korrik”, njofton kryetarja e Komisionit Komunal Zgjedhor, Antigona Seferi.

Tetovë– Zëdhënësi  i BDI-së, Bujar Osmani kërkoi në emër të partisë Gjykata Kushtetuese menjëherë të caktojë  seancë të jashtëzakonshme që të sjellë masë të përkohshme dhe të pezullohet   dispozita me të cilën kufizohet regjistrimi i njerëzve të cilët janë në izolim vetëm deri më 8 korrik të kenë të drejtën e votës. Sipas tij duhet të pezullohet dekreti  sepse sot dhe nesër ka njerëz të cilët do të dërgohen në vetizolim  për shkak të Kovid-19  dhe nuk mund të votojnë.

Shtip – Edhe pesë ditë na ndajnë deri më 15 korrik, dita kur më në fund do të pastrojmë me mbetjet e regjimit të Nikolla Gruevskit. Të mërkurën vendosni nëse do të shkoni përpara ose do të ktheheni mbrapa, vendosim për ardhmërinë personale, theksoi në konferencën e sotme për shtyp në Shtip, sekretari i përgjithshëm dhe bartës i listës së NJZ 3 të koalicionit të LSDM-së, Lupço Nikollovski. Sipas Nikollovskit, qytetarët duhet të dalin në votim de të sjellin vendim të madh për ardhmëri evropiane, të sigurt, që të mos humbet të humbet shansi që e kanë krijuar në tre vitet e fundit.

Prilep– Kryetarët e 16 komunave mbështetën propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komisionit për Sëmundje Infektive për formimin e “Kovid Qendrave” rajonale në qytetet ku ekzistojnë tani spitalet e përgjithshme dhe qendrat shëndetësore, në të cilat mund të aplikohet sistem i moduleve të montimit, në fakt spitale mobilë, si përgatitje për të menaxhuar me valën eventuale vjeshtore të pandemisë. Kjo u konstatua në takimin e sotëm përmes platformës elektronike të kryetarëve të komunave të Gjevgjelisë, Kumanovës, Kavadarit, Strumicës, Kërçovës, Dibrës, Gostivarit, Strugës, Koçanit, Ohrit, Velesit, Tetovës, Shtipit, Manastirit dhe Resnjës, si dhe Prilepit. Takimi është me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Prishtinë – Lideri i partisë qeveritare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se është pozitiv me koronavirusin e ri dhe në ditët në vijim do të jetë në vetizolim. Mustafa ka shkruar në profilin e tij në Fejsbuk se përveç që ndjehet i lodhur, nuk ka simptoma të tjera. “Anëtarët e tjerë të familjes sime nuk janë pozitivë. Ditët e ardhshme do t’i kaloj në izolim”, shkroi Mustafa duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të zbatojnë masat e përcaktuara për të parandaluar përhapjen e Kovid-19.

Zagreb – Në Kroaci, sot u regjistruan 116 të infektuar të rinj me Kovid-19, që është rritja më e madhe ditore që nga fillimi i epidemisë dhe në të njëjtën kohë, për herë të parë numri i të diagnostikuarve të ri është treshifror. Numri i rasteve aktive në vend është 1.038, kumtoi Shtabi i krizës. Pas takimit me Këshillin Shkencor dhe Shtabin e Mbrojtjes Civile të Qeverisë, ministri kroat i Shëndetësisë, Villi Berosh tha që tani shumë masa po merren në konsideratë, si dhe kushte shumë më të rrepta për hyrjen në vend. Ai tha se gjithashtu konsiderohet e detyrueshme të mbahet maskë ​​në dyqane të caktuara ose ambiente hotelieri, por që e gjithë kjo do të njoftohet në detaje për gjatë ditës.

Ankara– Këshilli Shtetëror i Turqisë (Gjykata e Lartë Administrative) ka rrëzuar vendimin e 24 nëntorit të vitit 1934 nga Këshilli i Ministrave, për shndërrimin e Shën Sofisë nga xhamia në muze, transmeton agjencia turke e lajmeve Anadollu. Me këtë vendimi hapet rruga që Shën Sofia të shndërrohet në xhami. Sipas burimeve jozyrtare, lutja e parë në xhami ka të ngjarë të zhvillohet më 15 korrik, ditën kur u prish përpjekja për grusht shteti në vitin 2016. Shën Sofia ishte kisha më e madhe e krishterë, e ndërtuar në shekullin e gjashtë nga bizantinët dhe u shndërrua në xhami pas pushtimit otoman të Konstantinopojës, Stambollit i sotshëm, në vitin 1453. Statusi i ndërtesës fetare në muze u ndryshua me dekret në vitin 1934 nga presidenti i atëhershëm turk, Mustafa Kemal Ataturk.

Beograd – Në Serbi sot janë konfirmuar 386 të infektuar dhe 18 të vdekur nga virusi i ri korona, deklaroi kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, duke shtuar se rezultatet nga protestat do të shihen pas disa ditëve. “Sot është dita më e keqe që nga fillimi i luftës kundër virusit korona dhe për këtë shkak desha që personalisht t’iu drejtohem qytetarëve. Gjatë 24 orëve të kaluara humbën jetën 18 persona, 130 gjenden në makina respiratore dhe nga 8.646 të testuar kemi 386 të infektuar të rinj. Më kritike është gjendja në Beograd, ndërsa pastaj vijnë Shabaci, Kraguevaci dhe Novi Pazari”, theksoi kryeministrja. Sipas saj, ky është rezultat i mosdiciplinës prej para pesë-gjashtë ditëve, ndërsa rezultatet nga protestat do të shihen për tre-katër ditë.

Bruksel – Kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishell, e prezantoi versionin e fundit të propozim buxhetit për periudhën 2021-2027, me ç’rast më shumë zëra janë ulur, por për instrumentit parainkuadrues fotografia është pak më më komplekse, lajmëron korrespondentja e MIA-s nga Brukseli. Në prag të Samitit të BE-së javën e ardhshme në të cilin liderët duhet të arrijnë përparim të rëndësishëm në negociatat për buxhetin shtatëvjeçar të Unionit, Sharl Mishell, roli i të cilit është që ta ndërtojë kompromisin e fundit, sot propozoi buxhet për 20 miliardë euro më të vogël nga ai që u ofrua në shkurt – nga 1094 miliardë euro  në 1074 miliardë euro.

Uashington – SHBA e hodhi poshtë  konkluzionin e raportueses speciale  të Kombeve të Bashkuara për vrasje pa gjykim (extrajudicial executions),  Anjes Kalamar se atentati amerikan mbi gjeneralin iranian Kasim Sulejmani është shkelje e të drejtës ndërkombëtare. “E hedhim poshtë raportin dhe konkluzionet…e raportueses së KB-së Anjes Kalamar për sulmin ajror amerikan në të cilin ishte vrarë Kasim Sulejmani, komandant  i  Gardës revolucionare islamike. Konkluzionet e zonjës Kalamar janë të rrejshme”, deklaroi sot sekretari shtetëror amerikan Majk Pompeo. Ai shtoi se sulmi është kryer në pajtim me  të drejtën  e pacenueshme  për vetëmbrojtje të SHBA-së.

Nion – Shorti për çerekfinalen dhe gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve është tërhequr sot në Nion. Ndeshjet në këtë fazë, duke i përfshirë edhe finalen, do të luhen në Lisbonë pa tifozë. Shorti për çerekfinalen caktoi që të përballen fituesi nga ndeshja Real Madrid-Mançester Siti me atë nga ndeshja Lion-Juventus. Ndeshja tjetër që tërheq vëmendje është edhe ajo mes fituesit nga ndeshja Napoli – Barcelona me fituesin nga ndeshja Çellsi – Bajern i Munihut. Është interesante që fituesit nga ndeshjet çerekfinale do të takohen në gjysmëfinale.

Nion – Pas shortit në Ligën e Kampionëve, në Nion u mbajt edhe tërheqja e dysheve nga ndeshjet çerekfinale dhe gjysmëfinale të Ligës së Evropës. Ashtu si në garën më të fuqishme të futbollit për klube në botë, edhe Liga e Evropës do të luhet me sistem të ndryshëm. Ndeshjet e çerekfinales, gjysmëfinales dhe finales do të luhen në disa qytete gjermane, pa prani të tifozëve. Finalja do të luhen në Këln.

Torino– Nënkryetari i Juventusit, Pavell Nedved e komentoi shortin për çerekfinalen dhe gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve. Ekipi do të përballet me Mançester Sitin ose Real Madridin, ndërsa pastaj kundër dikujt nga Barcelona, Napoli, Bajerni i Munihut dhe Çellsit. Së pari “Bjankonerët” duhet ta eliminojnë Lionin në 1/8 e finales, prej të cilit humbën me rezultat 0:1 në ndeshjen e parë.

Провери го и ова

Close
Back to top button
Close
Close