MIA FleshMIA Radio Flesh

MIA Flesh

12:00/ 27 shkurt/ 2020

12:00/ 27 shkurt/ 2020

Shkup – Atraktiviteti i BE-së është në narrativin e saj, por që i njëjti të jetë i qëndrueshëm na duhet më shumë se premtim në letër. Partneriteti valorizohet përmes prizmit të premtimeve dhe pritjeve. Pritjet tona nga BE-ja janë më shumë se të arsyeshme, theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dje në Universitetin e Karlos në Pragë. Dimitrov pati ngjarje në panelin “Premtimi i parealizuar i BE-së për Ballkanin Perëndimor – është koha për vendim strategjik nëm kuadër të Kryesimit kroat me BE-në” që ishte pjesë e debatit të titulluar “Ringjallja e agjendës së zgjerimit të BE-së: viti 2020 – mundësi e re për Ballkanin Perëndimor” në organizim të Institutit evropian për politika  – EUROPEUM.

Shkup – LSDM-ja dhe Lëvizja BESA sot në orën 12:00 në Muzeun për arte bashkëkohore do ta zyrtarizojnë marrëveshjen para zgjedhjeve për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të caktuara për më 12 prill. Zyrtarizimi i koalicionit parazgjedhor vjen pasi liderët e dy partive, Zoran Zaev dhe Bilall Kasami i harmonizuan qëndrimet rreth programit dhe për bartësit e listave zgjedhore.

Shkup  – Mediet të sillen në mënyrë profesionale dhe etike dhe të mos kontribuojnë në përhapjen e të pavërtetave dhe krijimin e panikut në opinion, bëri thirrje sot Këshilli për Etikë në Medie i Maqedonisë (KEMM) në lidhje me paraqitjen e rastit të koronavirusit në shtet. “Informimi në raste të tilla, sipas Kodeksit të Gazetarëve (neni 8), duhet të lirohet nga senzacionalizmat. Mediet duhet të veprojnë në atë mënyrë që i dallon nga raportues të thjeshtë të informacioneve dhe fakteve dhe ta zbatojnë edhe rolin e tyre si qetësues të shqetësimit te qytetarët”, theksojnë nga KEMM.

Shkup – Konstruksione të çrrënjosura të çative, fasada të dëmtuara të objekteve, pemë të rrëzuara, bilborde dhe automjete të dëmtuara, është bilnanci i erës së fuqishme që mbrëmë vonë ka fryrë në Shkup me shpejtësi prej mbi  100 kilometra në orë. Një pjesë e pasojave që i ka lënë era e fuqishme kanë mundur të shihen mëngjesin e sotëm. Ekipet e Qytetit të Shkupit kanë qenë të mobilizuar gjatë natës dhe deri në orët e hershme të mëngjesit kanë punuar për sanimin e dëmeve. Janë mënjanuar konstruksionet e llamarinës nga ndërtesa dhe pemët e çrrënjosura nga rrugët. Nga hovi i madh i erës së fuqishme nuk qëndroi as fasada e ndërtesës së MEPSO-s. Pemët e rëna dhe një pjesë e çative të ndërtesave shkaktuan bllokim të trafikut.

Shkup – Financimi i fushatës politike, sipas ndryshimeve të reja të Kodit Zgjedhor ishin një nga çështjet kryesore të takimit që anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve e mbajtën dje me ministren e Drejtësisë, Renata Deskoska, përfaqësues të Entit Shtetëror të Revizionit dhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Sipas kumtesës së KSHZ-së të publikuar në ueb faqen e tyre, në takim ishte konfirmuar se për çështjen e njëjtë do të mbahet takim i ri pune, në të cilin duhet të marrin pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Financave.

Shkup – “Nëna të shëndetshme, foshnja të shëndetshme: Maqedonia e Veriut përgjigjet në sfidat” është motoja e Forumit të dytë kombëtar për shëndet, që mbahet sot në Shkup, në organizim të Ministrisë së Shëndetësisë, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Forumi fillon me fjalime hyrëse të ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, bashkëshortes së presidentit Pendarovski, Elizabeta Gjorgievska dhe drejtorit rajonal të OBSH-së për Evropë Hans Kluge. Në diskutimin plenar që do të mbahet në orën 10:30 minuta do të marrin pjesë ministri Filipçe, drejtori rajonal i OBSH-së për Evropë Kluge, kryetarja e Komitetit kombëtar për mëmësi të sigurt Ana Daneva Markova, kryetari i Komitetit kombëtar për revizion të vdekshmërisë preliminare Gligor Tofoski, si dhe Nino Berxuli nga zyra rajonale e OBSH-së për Evropë. Pas diskutimit janë paraparë deklarata të ministrit Filipçe dhe drejtorit rajonal të OBSH-së, Kluge.

Shkup – Maqedonia e Veriut ofron mundësi të mira për kompanitë gjermane në sferën e efikasitetit energjetik për shkak të zhvillimit të tij ekspansiv të industrisë, porosit në telegramin e mëngjesit deri te biznesmenët dhe mediet Patrik Martans, drejtor i Delegacionit të Ekonomisë Gjermane në shtet.  Në kuadër të iniciativës për burime ripërtëritëse me mbështetje të Ministrisë Federale të Ekonomisë Delegacioni i Ekonomisë Gjermane këtë vit bashkë me konsulentin  Energiewechter përgatit udhëtim delegacioni për efikasitetin energjetik në industri në fund të korrikut të këtij viti në Shkup.

Shkup – Ndalesë për trafik në dy kahe për automjete transportuese nga ora 09:40 të mëngjesit ka në drejtimin rrugor Dibër- Mavrovë, njoftojnë nga Lidhja Automote e Maqedonisë (LAAM).

Shkup – Sot kujtojmë botimin e “Alfabetares së gjuhës shqipe”, i cili u botua më 27 shkurt 1897. Për ta kuptuar rëndësinë e këtij botimi, duhet të kthehemi pas në kohë e në histori. Kujtojmë se shqipja, me sa dokumentohet deri tani, filloi të shkruhet që nga shekulli XV me alfabetin latin, të plotësuar me pesë shkronja të posaçme. U shkrua dhe me shkronja greke e, pas pushtimit turk, edhe me alfabetin turk-arab. Rruga tjetër që u ndoq, është ajo e krijimit të alfabeteve origjinale me përhapje të kufizuar. Që në fillimet e Lëvizjes për çlirim nga Turqia, çështja e alfabetit doli në plan të parë: pa të nuk mund të flitej për Rilindje të popullit shqiptar. Prandaj me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, më 27 shkurt 1897 u botua në Stamboll “Alfabetarja e gjuhës shqipe”.

Gostivar – SPB Tetovë filloi me realizimin praktik të projektit të ri parandalues – edukativ “Mos u bë viktimë e rrjeteve sociale – surfo sigurt” që të paralajmërohen nga rreziqet dhe të mbrohen nga keqpërdorimet. Me projektin, bartës i të cilit është Sektori për parandalim, do të përfshihen mbi 3.500 filloristë nga të gjitha shkollat fillore në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit, të cilët ndjekin mësim në mbi 200 paralele, ndërsa për realizimin e tij janë angazhuar 20 nëpunës policorë, paraprakisht të stërvitur. “Në kuadër të projektit, i cili planifikohet të zgjat deri nga fundi i muajit të ardhshëm, janë paraparë ligjerime të posaçme në shkolla, ku nxënësve do t’u shpjegohet se si dhe me kë të komunikojnë në rrjetet sociale, e ata të mos keqpërdoren, por edhe do të këshillohen të jenë maksimalisht të kujdesshëm në komunikimin”, thotë Marjan Josifovski, zëdhënësi i MPB – Tetovë.

Dellçevë – Pas paraqitjes së rastit të parë me koronavirus në Maqedoni, prej mbrëmë epidemiologë filluan me kujdestari në vendkalimin kufitar Dellçevë. Kjo, siç informoi drejtoresha e shtëpisë së shëndetit në Dellçevë, Marija Gligorovska, është rezultat i takimit të djeshëm të ekipeve nga sektori epidemiologjik dhe përfaqësuesve të Qendrës për shëndet publik nga Koçani. Në takim u definua që të ndiqen rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë për kryerjen e kontrollit të të gjithë udhëtarëve, të cilët në vendkalimet kufitare do të arrijnë nga rajonet e goditura me koronavirus.

Uashington – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka takuar edhe kongresistin Eliot Enxhëll, Kryesues i Komisionit për Punë të Jashtme. “Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë miqësi të thellë, lidhje të veçantë, që do të zgjasë përgjithmonë. Ju me angazhimin tuaj për tri dekada jeni ndër ata që e kanë ndërtuar këtë marrëdhënie të veçantë”, u shpreh Thaçi. Thaçi në këtë takim ka theksuar se Kosova është e angazhuar për të ndërtuar paqe dhe stabilitet në tërë Ballkanin Perëndimor dhe se për 12 vite shtet ka bërë progres të madh.

Uashington – Ballkani edhe më tej është rajon i rëndësishëm strategjik, ku tensionet etnike mes popujve edhe më tej nxisin jostabilitet rajonal dhe janë shënjestër parimore e ndikimit këmbëngulës, malinj të Rusisë, deklaroi komandanti suprem i forcave të NATO-s për Evropë dhe shef i Komandës Evropiane të forcave amerikane, gjeneral Tod Uolters. Duke dëshmuar para Bordit për forcat e armatosura në Senatin amerikan, Uolters tha se edhe krahas tentimeve të Rusisë për t’i kthyer nga rruga euroatlantike, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut prezantojnë tregime të suksesshme.

Pragë – Ministrat e Punëve të Jashtme të Grupit të Vishegradit (V4) dhe Ballkani Perëndimor sot në Pragë do ta shqyrtojnë integrimin e vendeve ballkanike, prioritet shumëvjeçar i politikës së jashtme të Polonisë, Çekisë, Sllovakisë dhe Hungarisë, sipas propozimit për metodologjinë e re për zgjerim të Bashkimit Evropian. Temë kryesore e mbledhjes ministrore, siç paralajmëruan nga Ministria çeke e Punëve të Jashtme, është përkrahja e fuqishme për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe bashkëpunimi rajonal, ndërsa do të nënshkruhet edhe memorandum për bashkëpunim mes Fondit ndërkombëtar të Vishegradit dhe Fondit për Ballkanin Perëndimor, të themeluar në Pragë në vitin 2015.

Milano – Guvernatori i rajonit italian Lombardi, Itali, Atilio Fontana, deklaroi se do të vendoset në karantin dy javë pasi është konfirmuar se ndihmësi i tij është pozitiv në koronavirusin e ri. Fontana këtë e publikoi në një video porosi në Fejsbuk. Lombardia është vatër e përhapjes së koronavirusit në Itali. Atje janë paraqitur 400 raste të Kovid-19, që është numri më i madh i të infektuarve në Evropë.

Bruksel – Mbajtja e maskave mbrojtëse në vendet publike që e mbulojnë fytyrën nuk është e ligjshme në Belgjikë, thonë juristët, duke përkujtuar se shkelja e ligjit parasheh dënim deri në 137 euro ose burg prej një deri në shtatë ditë. Ligji hyri në fuqi në vitin 2011, kur për “arsye të sigurisë dhe morale” u ndalua që gratë në opinion të mbajnë burkë dhe nikab. Juristët pohojnë se fryma e ligjit është prishur gjatë mbajtjes së maskave që të pengohet përhapja e infeksionit, si dhe kur këtë e kërkon punëdhënësi ose lidhet me ngjarje të karnavaleve. Që të mundësohet ligjërisht të mbahen maska mbrojtëse, do të jetë e nevojshme mbreti të japë dekret të ri në të cilin theksohen përjashtimet nga rregullorja.

Uashington – Shtabi Zgjedhor i presidentit amerikan Donald Tramp ngriti padi kundër “Nju-Jork tajms” për arsye, siç bëhet e ditur, publikim të qëllimshëm të storjes së rreme vitin e kaluar në lidhje me hetimin për përfshirje të Rusisë në zgjedhjet në SHBA në vitin 2016. Në padinë theksohet se “Tajms” ka publikuar gënjeshtër se shtabi zgjedhor i Trampit kishte “marrëveshje gjithëpërfshirëse” me “oligarkinë e Vladimir Putinit” që ta fitojë kandidatin demokrat. Gazeta është akuzuar se në një artikull të marsit të vitit 2019 me titull “Trampi i vërtetë – Rusia Quid Pro Quo“ nga Maks Frankel, ka theksuar në marrëveshje është kërkuar ndihmë në fushatën kundër Hilari Klintonit për politikë të jashtme proruse.

Londër – Koronavirusi i ri është përhapur në 40 shtete të botës dhe janë infektuar të gjitha kontinentet, përveç Antarktikut. Deri më tani, të paktën 28.000 njerëz, pjesa më e madhe në Kinë, kanë vdekur nga koronavirusi i ri, Kovid-19. Në botë janë paraqitur më shumë se 81.700 raste të infeksionit, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë, mbrëmë publikoi se për herë të parë numri i rasteve të paraqitur jashtë Kinës është më i madh se i atyre në Kinë. Izraeli është shteti i parë që ka kërkuar nga qytetarët e saj të mos udhëtojnë jashtë ven dit nëse nuk e kanë të nevojshme. Në Itali janë regjistruar 400 raste të koronavirusit, numri më i madh i të infektuarve në Evropë. Virusi përhapet në mbarë Evropën, me ç’rast, rastet e para janë paraqitur nga Norvegjia, Rumania, Gjeorgjia, Danimarka, Greqia.

Seul – Një stjuardesë e “Korean Er” e cila ishte pozitive në koronavirusin e ri ka punuar në fluturime ndërmjet Seulit dhe Los Anxhelosit, bëri të ditur Qendra koreane për Kontroll dhe Preventivë të Sëmundjeve. Koreja Jugore sot denoncoi 334 raste të reja të koronavirusit, që është rritja më e madhe ditore deri më tani, ndërsa numri total i të infektuarve tanë është 1.595, që është më së shumti jashtë Kinës. Stjuardesa kishte punuar në fluturimin  КЕ017 të kompanisë Korean Er nga aeroportet në Seul deri në Los Anxhelos më 19 shkurt, si në fluturimin e kthimit КЕ012 më 20 shkurt, publikuan agjencitë e  lajmeve Jonhap dhe mediet e tjera, ndërsa konfirmuan edhe përfaqësues zyrtarë të Koresë Jugore.

Madrid – Trajneri i Real Madridit, Zinedin Zidan e komentoi rezultatin e ndeshjes së 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve me Mançester Sitin (1:2). “75 minuta të plota luajtëm mirë. Jemi të pakënaqur nga humbja, por lufta zgjati 180 minuta. Tani duhet të gjejmë diçka pozitive. Në fund nuk përfundoi mirë, por ne luajtëm mirë nëse nuk i merrni parasysh minutat e fundit. Tani, nëse dëshirojmë të ecim tutje, duhet të fitojmë atje (në Mançester). Kishte gabime në mbrojtje, por kjo është pjesë e futbollit, kjo është e tëra. U përpoqëm, dhamë gjithçka në teren. Nuk kishim përqendrim të mjaftueshëm edhe 10 minuta në një ndeshje shumë të rëndë dhe për këtë paguam”, tha Zidani. Loja kthyese në Mançester është caktuar për më 17 mars.

Back to top button
Close
Close