E përzgjedhur

Mësuesi i Mohamed bin Salman: Përvoja ime e pazakontë në mësimin e princit saudit

Makina luksoze, uoki-toki dhe protokolle mbretërore - një vështrim ekskluziv i jetës brenda pallatit mbretëror saudit.

16 shkurt 2020

BBC

Makina luksoze, uoki-toki dhe protokolle mbretërore – një vështrim ekskluziv i jetës brenda pallatit mbretëror saudit.

Mohamed bin Salman, Princi kontrovers  i Arabisë Saudite, ishte më pak i njohur për publikun para se ai të bëhej sundimtar de fakto i vendit. Rashid Sekai i Shërbimit Arab të BBC-së i cili e ka mësuar Mohamed bin Salman kur ishte fëmijë flet për pamjen ekskluzive të jetës brenda pallatit mbretëror.

Unë isha duke dhënë mësim në Shkollën prestigjioze Al Angal në Xheda në fillim të vitit 1996, kur mora një telefonatë të papritur. Guvernatori i Riadit, Princi Salman bin Abdulaziz Al Saud, u zhvendos me familjen e tij në qytetin portual të Detit të Kuq për një kohë dhe kishte nevojë për një mësues të anglishtes për fëmijët.

Burri që do të bëhej më vonë mbret, kontaktoi shkollën dhe shpejt më dërguan në pallatin mbretëror për t’u bërë një mësues privat i një prej fëmijëve të martesës së tij të tretë: Princi Turki, Princi Najef, Princi Kalid dhe sigurisht Princi Mohamed.

Kam jetuar në një apartament që gjendej në një qark të njohur të qytetit. Shoferi më priti në orën shtatë të mëngjesit për të më çuar në shkollën Al-Anjali, ndërsa pasdite kur mbarova me mësime, ai më çoi në pallat.

Ndërsa kaluam portën e cila mbrohej rreptësishtë, makina ecte drejt vilës që të lë pa frymë, e rrethuar nga kopshte të mrekullueshme që mirëmbahen nga punëtorët me uniforma të bardha. Kishte edhe park automjetesh – një flotë e tërë makinash luksoze. Atëherë për herë të parë pashë një Kadillak të vërtetë ngjyrë rozë.

Në hyrje të pallatit mbretëror më priste, drejtori i ndërtesës, Mansour el Shari, një meso-burrë,  me të cilin princi i atëhershëm njëmbëdhjetë vjeçar Mohamed ishte shumë i afërt.

Uoki-toki

Mohamed ishte më i interesuar të kalonte kohë me rojet mbretërore sesa të ndiqte mësimet e mia. Duke qenë më i madhi nga të gjithë fëmijët, ai bënte gjithçka që dëshironte.

Ende mbaj mend se si gjatë orëve të mësimit fliste me ndihmën e një uoki-toki të cilën e kishte marrë nga një prej rojeve. Ai bënte shaka me mua dhe këtë ua transmetonte edhe vëllezërve dhe rojeve nga ana tjetër.

Sot, princi tridhjetë e katër vjeçar është ministri i mbrojtjes i Arabisë Saudite, zëvendëskryeministri i babait të tij dhe trashëgimtari i fronit.

Kur ai u bë sundimtar de fakto i Arabisë Saudite në vitin 2017, Mohamed bin Salman u përpoq të prezantohej si dikush që do të modernizonte mbretërinë.

Edhe përkundër kundërshtimeve nga sundimtarët fetarë, ai ishte udhëheqësi i parë që futi reformat e nevojshme ekonomike dhe filloi një program liberalizimi në këtë vend thellësisht tradicional.

Ndërsa u vlerësua për disa nga masat, ai u kritikua për situatën e të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite për luftën në dukje të pafund me Jemenin si dhe për vrasjen e gazetarit dhe kritikut të qeverisë saudite,  Xhamal Kashoghi në Konsullatën Mbretërore në Turqi në tetor të vitit 2018.

Në dhjetor të vitit 2019, pesë persona u dënuan me vdekje për vrasjen e Kashogit.

Në një rast, unë u çudita kur Muhamedi më tha që nëna e tij kishte thënë që unë po veproja si një zotëri i vërtetë. Mendova se nuk e njihnim njëri-tjetrin sepse gratë nga oborri saudit nuk paraqiteshin para të huajve, ndërsa e vetmja femër të cilën e takova ndërsa jepja mësim ishte një dado nga Filipinet.

As që isha në dijeni se isha nën vëzhgim derisa trashëgimtari i ardhshëm i fronit nuk tregoi me gisht  drejt disa nga kamerat e sigurisë që ndodheshin në mure. Që nga ai moment, unë gjithmonë ndihesha tepër i vetëdijshëm për gjithçka bëja dhe thosha.

Unë shumë shpejt u lidha dhe fillova t’i doja Muhamedin dhe vëllezërit e tij më të vegjël. Megjithëse mësoja princat në një botë plot privilegje, studentët e mi mbretëror, si nxënësit e shkollës sime, ishin të etur për të mësuar dhe për të luajtur.

Veprim i gabuar

Një ditë drejtori i pallatit Mansour el Shari më kërkoi të takohesha me një mbret të ardhshëm, i cili dëshironte të dinte se si po përparonte arsimimi i fëmijëve. Mendova se takimi do të ishte një mundësi e mirë për të përmendur qeverisjen e palodhshme të Princit Mohamed.

Prisja përpara zyrës së Princit Salman së bashku me mësuesit e tjerë të princave, të cilët dukeshin se ishin më të orientuar në protokollet e pallatit sesa mua, një i porsaardhur.

Kur u shfaq para nesh, mësuesit u ngritën gati befas dhe unë pashë se si një nga një i afroheshin Guvernatorin të Riadit, përkuleshin, i puthnin dorën duke e njoftuar shkurtimisht për ecurinë e fëmijëve dhe pastaj tërhiqeshin.

Kur erdhi radha ime nuk mundesha që  të përkulem para tij ashtu si vepruan të tjerët. Unë kurrë nuk e kisha bërë këtë. Dhe kështu, në një moment të paralizës së plotë, e zgjata  dorën për tu përshëndetur me mbretin e ardhshëm.

Mbaj mend buzëqeshjen e butë dhe habinë në fytyrën e tij. Sidoqoftë, nuk u ankova për veprimin tim të gabuar.

Nuk përmenda sesi Princi Mohamed sillej në orët e mësimit sepse paraprakisht kisha vendosur të hiqja dorë nga dhënia e mësimit dhe të kthehesha në Londër.

Pastaj El Sharri më dha një mësim sepse nuk respektoja rregullat e përcaktuara të sjelljes në pallatin mbretëror.

Me përjashtim të Princit Khalid, i cili është emëruar ambasador i Arabisë Saudite në SHBA, vëllezërit e tjerë mbretërorë, të cilët u kam dhënë mësime, kanë vendosur që të qëndrojnë jashtë syrit të publikut.

Sot,  këtë mandat të shkurtër shkollor e konsideroj si një episod të veçantë në jetën time, ndërsa shikoj se si ish-nxënësit e mi bëhen figura të rëndësishme në skenën politike dhe shoqërore botërore.

Back to top button
Close
Close