0_Web_AktualeBotëBotë.PortalSvet.Slajder

Më shumë se 1,5 milionë persona në Amerikën Latine të sëmurë nga Kovid-19

Më shumë se 1,5 milionë njerëz në Amerikën Latine janë infektuar me koronavirus, nga të cilët pjesa më e madhe në Brazil, transmetojnë agjencitë botërore.

Brazilia, 15 qershor 2020 (MIA) – Më shumë se 1,5 milionë njerëz në Amerikën Latine janë infektuar me koronavirus, nga të cilët pjesa më e madhe në Brazil, transmetojnë agjencitë botërore.

Në vendin më të madh në Amerikën Latine, janë konfirmuar 17.110 raste të reja të Kovid-19, duke e çuar numrin e përgjithshëm të personave të infektuar në vend në 867.624, kumtoi Ministria braziliane e Shëndetësisë, njoftoi CNN. Janë raportuar edhe 612 vdekje, me çka numri i përgjithshëm tani arrin në 43.332.

Brazili renditet i dyti në botë për nga numri i infeksioneve me koronavirus, por edhe i vdekjeve pas SHBA-së. Ky vend, është gjithashtu një nga vendet e pakta të mëdha ku numri i të infektuarve dhe i të vdekurve nga virusi vazhdon të rritet dhe preket më rëndë nga pandemia nga të gjitha vendet e Amerikës Latine.

Pas Brazilit në Amerikën Latine është Peru me mbi 200,000 të infektuar, nga të cilët 6.000 kanë vdekur deri më tani.

Meksika po i afrohet numrit të 150.000 të infektuarve me koronavirus, bëjnë të ditur agjencitë, duke shtuar se Ministria meksikane e Shëndetësisë komunikoi se në vend janë konformuar edhe 4.147 raste me Kovid-19 dhe se nga infeksioni kanë vdekur 269 njerëz. Me këtë, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Meksikë arriti në 146.837, ndërsa  gjithsej kanë vdekur 17.141 njerëz, raportojnë mediat britanike. Qeveria meksikane bëri të ditur se numri aktual i personave të infektuar ndoshta është dukshëm më i lartë se shifrat zyrtare.

Më shumë se 50.000 raste të koronavirusit janë konfirmuar në Kolumbi, ndërsa Ekuadori fqinj po i afrohet kësaj shifre, shtojnë mediat britanike. Kolumbia raportoi për 50.939 raste të koronavirusit, ndërsa nga infeksioni kanë vdekur 1.667 persona.

Në Ekuador ka më shumë se 46.700 të infektuar ndërsa 3,896 njerëz tashmë kanë vdekur. Pandemia e Kovid-19 e ka mbingarkuar sistemin shëndetësor të Ekuadorit dhe në disa raste autoritetet janë detyruar t’i ruajnë përkohësisht trupat e të vdekurve në frigoriferë. mb/

Back to top button
Close
Close