0_Web_AktualeBiznesBiznes.PortalBiznis.SlajderEkonomi

Me ndryshimet e Ligjit do të zgjidhet problemi i popullatës lokale me koncesionet për eksploatim të burimeve minerale

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot në një konferencë për shtyp informoi për ndryshimet dhe plotësimet e fundit në Ligjin për burime minerale

Shkup, 21 janar 2020 (MIA) – Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot në një konferencë për shtyp informoi për ndryshimet dhe plotësimet e fundit në Ligjin për burime minerale.

Ashtu siç informoi, Ministria e Ekonomisë për një kohë të gjatë është duke punuar për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lëndë të para minerale në mënyrë që të gjejë një zgjidhje afatgjate në rast se rrezikohet siguria dhe shëndeti i popullatës lokale.

“Qëllimi kryesor i kësaj Qeverie është të punojë në interes të përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve dhe të sjell vendime me të cilat do të plotësojë kërkesat, e jo vetëm të qytetarëve por edhe të komunitetit të biznesit. Në muajt e fundit, në Ministrinë e Ekonomisë kanë arritur më shumë ankesa nga qytetarë dhe komuna në lidhje me sigurinë e qytetarëve në afërsi të vendbanimeve ku ka koncesione të lëndëve të para minerale, për të cilat Ministria e Ekonomisë dhe të gjitha institucionet kompetente dolën në terren dhe përmes takimeve me qytetarët dhe mbikëqyrje të koncesionerëve e pa gjendjen në terren. Për këtë qëllim, janë bërë ndryshimet e fundit legjislative të cilat Ministria e Ekonomisë i ka dorëzuar deri te Qeveria dhe që rrjedhin nga kërkesat e qytetarëve, por në të njëjtën kohë nuk dëmtojnë komunitetin e biznesit, potencoi Bekteshi.

Në përputhje me ndryshimet e ligjit, shtohen baza të reja për përfundimin e njëanshëm të koncesionit nga shteti:

“Koncesioni për shfrytëzim mund të ndërpritet për një shkelje të konsiderueshme të dispozitave të kontratës ose ligjeve dhe rregulloreve të zbatueshme për kontratën dhe në rast se shfrytëzimi dëmton interesin publik, sigurinë dhe shëndetin e popullatës. Në rast se kontrata ndërpritet kur shfrytëzimi dëmton interesin publik, sigurinë dhe shëndetin e popullatës, atëherë koncesioneri mund të bëjë kërkesë për marrjen e një koncesioni të ri për shfrytëzim në një vend tjetër edhe atë direkt për shfrytëzim pa realizimin e thirrjes publike”, informoi ministri Bekteshi.

Sipas tij, bazë për ndërprerje të njëanshme të marrëveshjes së koncesionit është edhe kur koncesioneri nuk e ka njoftuar Ministrinë e Ekonomisë si organ kompetent për kryerjen e punëve nga fusha e lëndëve të para minerale se ka pasur ndryshime në njësi ose aksione që individualisht ose në përgjithësi, do të çonin në një ndryshim të pakos menaxhuese në shoqëri që është pronari i shumicës së koncesionerit.

“Një bazë për ndërprerjen e kontratës së koncesionit shtohet gjithashtu nëse koncesioneri shfrytëzon më pak se 30 për qind të sasisë së parashikuar të lëndës së parë minerale në kuadër të projektit kryesor të minierave gjatë një viti, përveç nëse koncesioneri jep një shpjegim të arsyes së shfrytëzimit të zvogëluar pas së cilës mund të dorëzojë një propozim për të vazhduar shfrytëzimin e zvogëluar për një vit tjetër radhazi“, sqaroi ministri dhe shtoi se këto ndryshime ligjore, do të jenë në rend dite në seancë të Qeverisë sot, do të harmonizohen  dispozitat kundërvajtës me Ligjin e ri për kundërvajtje, me të cilin dënimet për personat fizikë do të ulen ndjeshëm, ndërsa për  personat juridik do të ulen në madhësinë e subjektit.

Mes risive të bëra figuron edhe mundësia që komunat të dorëzojnë  kërkesë për marrjen e koncesionit për shfrytëzim për nevojat për ndërtim të rrugëve komunale, duke ndjekur procedurën e vendosur për ndërtimin e rrugëve shtetërore. fab/

Back to top button
Close
Close