0_MIA Investigon.Portal0_Web_Ballina - Sllajder0_Web_Përzgjedhja e redaktoritIntervistëPolitikë

Lefon: Data varet nga ajo nëse do të ketë sinjale të qarta se Maqedonia e Veriut ka mësuar se çfarë është e rëndësishme për anëtaret e BE-së

Komisioni Evropian duhet të prezantojë metodologjinë e re në janar, ndërsa ideale do të ishte që në mars ajo të miratohet nga anëtaret e BE-së. Për datën duhet të jemi fleksibil, e nëse kjo do të jetë në mars ose në maj varet nga ajo nëse do të vijojnë sinjale të qarta se Maqedonia e Veriut ka mësuar se çfarë u është e rëndësishme vendeve anëtare, shprehet në intervistën për MIA-n, Fransoa Lefon, këshilltar i zëvendëskryeministrit për çështje evropiane, i dërguar nga Qeveria franceze.

Shkup, 26 dhjetor 2019 (MIA) – Komisioni Evropian duhet të prezantojë metodologjinë e re në janar, ndërsa ideale do të ishte që në mars ajo të miratohet nga anëtaret e BE-së. Për datën duhet të jemi fleksibil, e nëse kjo do të jetë në mars ose në maj varet nga ajo nëse do të vijojnë sinjale të qarta se Maqedonia e Veriut ka mësuar se çfarë u është e rëndësishme vendeve anëtare, shprehet në intervistën për MIA-n, Fransoa Lefon, këshilltar i zëvendëskryeministrit për çështje evropiane, i dërguar nga Qeveria franceze.

Sipas ekspertit francez i cili jeton dhe punon në Shkup, metodologjia e re duhet të miratojë siguri më të madhe të procesit të aderimit, gjegjësisht çelja e bisedimeve të shpie drejt anëtarësimit në BE.

– Nuk ka arsye që të filloni bisedimet dhe të thoni: “Nuk ka problem, le të zgjasin 10-15 vite, nuk është me rëndësi”. Është me rëndësi. Meqë e varrosni aftësinë e BE-së për të respektuar propozimin dhe shpresën e popullit. Çelja e bisedimeve duhet të thotë se do të jeni anëtare e BE-së, e jo vetëm të çilen sa për sy e faqe: “Dakord, shkojmë ngadalë, 10-15 vite, nuk na bëhet vonë”. Ky nuk është qëllimi i metodologjisë së re, thekson eksperti francez.

Qëllimi, siç bën të ditur ai, është të marrim datë, e më pas të vazhdojmë reformat, modernizimin dhe përgatitjen e vendit për ardhmëri më të mirë.

Nga pikëpamja e ekspertit francez, ka kohë që edhe në kushte të Qeverisë teknike Parlamenti në thuajse dy muajt e mbetur të arrijë rezultate konkrete.

– Do të ketë ende kohë për zgjidhje të mira dhe përparim në fusha të caktuara. Nëse me të vërtetë të gjitha partitë politike janë për anëtarësim në BE, ashtu siç shprehen, duhet të jenë të afta të merren vesh rreth reformave që t’i dëshmojnë Komisionit Evropian se janë të përkushtuara për të mirën e vendit. Ndryshe, do të shohim se këto janë vetëm lojëra politike, dhe njëra prej arsyeve që nuk u bë Ligji për PSP-në. Opozita nuk dëshironte t’i jepte shumicës një dhuratë të tillë para zgjedhjeve. Shumica prej dy të tretave nuk ishte e mundshme. Nëse partitë janë të përkushtuara në rrugën evropiane, do të kuptojnë se ky moment është më i rëndësishëm se lojërat e tyre politike. Po madje edhe me Qeverinë teknik do të mund të bënim disa gjëra. Lidhur me Komisionin Antikorrupsion, për shembull. Të gjithë e dimë se Komisionit i mungojnë resurse njerëzore dhe buxhet, bën të ditur këshilltari i emëruar nga Qeveria e Francës në SÇP.

Nëse marrja e datës për bisedime është me të vërtetë qëllimi kryesor në dy-tre vitet e fundit, të gjithë duhet të kontribuojnë, porositë eksperti Lefon.

Z.Lefon, si do ta kishit vlerësuar Ju non pejperin?

– Non pejperi e sqaron pozicionin e presidentit francez gjatë Këshillit Evropian në tetor. E dini se atëherë zhvillohej diskutim mes të gjithë shefave të shteteve dhe qeverive që të jepet datë për çeljen e bisedimeve. Diskutimi zgjati më shumë se 4-5 orë, deri në orët e vona të mbrëmjes. Në fund, u miratua një mosvendim. Nuk ishte dhe aq veto sa ishte mosvendim meqë thanë: “Do t’i rikthehemi çështjes para samitit të majit në Zagreb”. Pas diskutimit të gjatë, në këtë mënyrë e prolonguan çështjen.

Duket se kjo ishte hera e tretë që prolongohet vendimi?

– Po, për herë të parë ishte (prolonguar) në qershor të vitit 2018. Por, nëse i lexoni konkluzionet e Komisionit Evropian, do të shikoni se në to kërkohej përmirësim në katër sektorë: në gjyqësor, në shërbimin e inteligjencës, në administratë dhe në luftimin e korrupsionit. E njëjta ndodhi edhe në qershor të vitit 2019.

Pra, non pejperi sqaron pse presidenti francez nuk dha datë. Nëse e dëgjoni konferencën për media që e thirri menjëherë pas këshillit, do të shikoni se dha dy lloje të argumenteve.

Të parat mbështeten në BE-në e tanishme, e cila nuk funksionon siç duhet. Ai sqaroi edhe pse. Argumentet e dyta ishin meqë duhet ta përtërijmë metodologjinë e zgjerimit. Kur do të fillojmë bisedime me ndonjë vend, duhet doemos të sigurohemi se procesi është më efikas sesa ky i tanishmi.

Pse e tha këtë? Ju kujtohet se ende bisedojmë me Turqinë, ndonëse kaluan 14 vite. Procesi nuk është efikas. E njëjta ndodhë edhe me Malin e Zi dhe Serbinë. Bisedimet i filluan gjashtë dhe tetë vite më parë. Kështu që, kur sivjet KE-ja propozoi që të çelen disa kapituj, vendet anëtare thanë: “Jo, meqë gjërat nuk lëvizin ashtu siç do të donim”. Pra, presidenti francez dëshironte të bëjë të ditur se ndoshta duhet të gjejmë një metodologji më të mirë me tre ose katër kritere.

Njëri prej tyre është të ketë reversibilitet. Pasi të çelim bisedimet, nëse nuk zhvillohen mirë, ose nëse vendi pendohet, duhet të kemi mjete juridike që t’i ndërpresim bisedimet.

Më pas e përmendi edhe dimensionin politik. Tha se ndoshta vendet anëtare duhet të përfshihen më shumë në procesin. Ndonëse tashmë janë të përfshira në kuptimin e asaj se mund të çelin kapituj ose jo, për çfarë ju nevojitet pëlqim unanim, ai deshi të bindet se do të ketë më shumë elemente të dukshme politike nga vendet anëtare gjatë procesit të bisedimeve.

Dimensioni i tretë që e bëri të ditur është se qytetarët nuk shikojnë përparim gjatë bisedimeve, e nga ana tjetër, as programe konkrete. Presidenti francez kërkoi që qytetarët të kenë një pasqyrë më të qartë për zgjerimin. Kjo nënkupton programe konkrete. Maqedonia e Veriut është tashmë në programin Erazmus dhe 2020, si dhe në aktivitetet tjera të BE-së, por të tentojmë të gjejmë edhe program të tjera (dhe financim në këtë drejtim) që qytetarët të mësojnë se kemi çelur një numër të caktuar të kapitujve dhe ato janë siguruar.

Elementi i fundit i non pejperit ishte që të bashkohen kapitujt (në vend të praktikës ekzistuese të kapitujve) në grup të sektorëve, për kuptimin më të mirë të tyre. Pas non pejperit vijoi edhe një propozim prej nëntë vendeve duke përfshirë edhe Italinë, Austrinë dhe vendet baltike. Tani gjithçka është në duart e Komisioni Evropian, i cili duhet të propozojë metodologji të re në janar.

Reverzibiliteti, siç u shprehët, është elementi kyç i non pejperit. Por, disa shprehen se dokumenti nuk sjellë asgjë të re dhe se është i paqartë. Çfarë mendoni Ju për këtë?

– Kjo është një gjysmë e vërtetë në kuptimin e asaj se presidenti francez mori qëndrim që nuk përkonte me qëndrimin e MPJ-së franceze. Ai mori një vendim legjitim dhe kishte për obligim që ta sqarojë shpejtë. Pra, non pejperi është vënë në tavolinë shpejtë që të mos zvarritet procesi i marrjes së vendimeve për çeljen e bisedimeve.

Francezët mund të thonë: “Dakord, do të propozojmë diçka, por përtëritja e metodologjisë do të zgjasë. “Nuk e zgjodhën atë strategji. Zgjodhën dokument prej tri faqeve në të cilin është sqaruar koncepti, intuicioni dhe arsyet e presidentit Makron, pse ai konsideron se metodologjia e tanishme nuk funksionon dhe ku të kërkojë ai përparim. Për shkak të faktit se është përpiluar në mënyrë të shpejtuar, ndoshta disa elemente mungojnë. Për shembull, Marrëveshja e stabilizim-asocimit nuk është integruar në non pejperin. Disa elemente të tjera nuk janë përkufizuar më së miri. Por, qëllimi ishte që të gjithë partnerëve t’u jepet temë për bisedë që të merren vesh se si të vazhdojnë më tutje me metodologji të re dhe shumë më efikase.

A është e mundshme që Komisioni Evropian të prezantojë metodologjinë e re në janar, gjë që është përmendur edhe në non pejperin?

– Po. Ky na ishte qëllimi i përbashkët, madje edhe i Qeverisë franceze, ndërsa është përmendur edhe në non pejperin. Atëherë ishin në procesin e formimit të KE-së së re me eurokomisar të ri i cili duhej të zgjidhte ekipin e tij. Tani gjërat janë në nivel të BE-së. Tani kemi arkitekturë të re me kryetarë të zgjedhur të Këshillit të Evropës dhe të Komisionit Evropian dhe janë zgjedhur të gjithë eurokomisarët dhe tani vendet anëtare kërkojnë nga Komisioni të propozojë dokument, në përgjithësi. Kështu që supozoj se eurokomisari i ri do të publikojë kumtesë në të cilën Komisioni Evropian do të sqarojë se çfarë do të gjendet në metodologjinë e re, duke marrë parasysh disa elemente nga propozimi i francezëve, e ndoshta edhe pika të tjera të përmendura në dokumentin e propozuar prej nëntë vendeve. Kështu që përgjigjja është po, nëse merret në përgjithësi.

Megjithatë, debati në BE duhet të përfundojë në mars të vitit 2020. A munden vendet evropiane të arrijnë konsensus aq shpejtë? Këto janë vetëm dy muaj.

– Po. Tajmingu është pak i vështirë. Muaji mars është zgjedhur meqë atëherë është Këshilli i radhës i Evropës, e më pas vijon samiti në Zagreb me pjesëmarrjen e të gjitha vendeve anëtare të shefave të shteteve ose qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kështu që ideale do të ishte në mars, siç u cek në konkluzionet e Këshillit të Evropës, të marrim vendim para samitit në Zagreb më 6-7 maj. Nuk e di se cili do të jetë propozimi i Komisionit për metodologjinë e re. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut. Shtetet duhet të vazhdojnë reformat që të jenë sa është e mundshme më të përgatitura për bisedimet.

Verën e kaluar nuk ishte dhe më e mira për Maqedoninë e Veriut. I gjithë ky dimension i korrupsionit sërish e paraqiti vendin në dritë jo të mirë. Ndaj duhet të bëjmë përpjekje në raport me reformat në luftën kundër korrupsionit, të sigurohemi se struktura gjyqësore punon në mënyrë të rregullt pasi që ajo prokurore speciale tashmë nuk është në lojë. Ndaj, nëse gjithçka rrjedhë ashtu siç duhet nga të dyja palët – këtu në shtet dhe në nivelin evropian – pse të mos jetë në muajin mars? Sa më shpejtë aq më mirë, me kusht që procesi të punojë në mënyrë të rregullt. Kjo ishte njëra prej gjërave që i përmendi presidenti francez.

Këtu, në Ballkan, jemi mësuar të punojmë hap pas hapi.

– Më me rëndësi është se metodologjia do t’i ndihmojë vendit që të modernizohet. Pas aderimit, duhet të shihet përparim konkret i vendit; gjendja ekonomike e njerëzve të bëhet më e mirë, të rinjtë të kenë mundësi më të mëdha për të mbetur në vend … Kur të fillojmë bisedimet, shpresoj që gjendja e përgjithshme do të përmirësohet.

Cilat janë gjasat që të marrim datë të takimit të Këshillit Evropian në mars të vitit 2020?

– Nuk kam top të kristaltë para meje. Nëse të gjithë i përmbushin obligimet e tyre, do të jetë ose në mars ose në maj.

Por, në Francë do të ketë zgjedhje lokale në maj. A do të mund të ndikojnë ato në vendimin? 

– Këtë e përmendën edhe të tjerë, por si francez, nuk jam dhe aq i sigurt se është me rëndësi. Nëse votoj për kryetar të komunës – mbani mend se Franca ka 36.000 qytete, qyteza, pranë atyre të mëdha si Parisi dhe Marseja – nuk do të votoj duke menduar në Maqedoninë e Veriut. Shumica e francezëve as që e dinë se ku gjendet Maqedonia e Veriut. Nuk e dinë se çfarë ndodhë këtu. Do të votojnë ndoshta për ndonjë palestër të re të sportit, për rrugë të re, për ndriçim më të mirë rrugor. Ky argument kundër Francës është jorelevant.

Relevant ishte argumenti rreth zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që është diçka krejtësisht tjetër. Është evident dallimi mes votimit për kryetar komune dhe votimit për europarlamentar, që duhet të merret me tema të këtilla. Kur presidenti Makron tha se është më mirë të flasim për zgjerimin pas zgjedhjeve për PE-në, kjo kishte për qëllim të evitohet instrumentalizomi i kësaj çështjeje nga e djathta ekstreme, nga nacionalistët dhe nga të gjithë që nuk duan BE-ja të jetë e fuqishme.

Shumë parti politike, madje edhe shefa të shteteve dhe qeverive në disa vende anëtare nuk janë dhe aq për forcimin e BE-së. Shihet nga rezultatet nga Këshilli i fundit i Evropës lidhur me çështjet klimatike dhe të tjera. Nuk angazhohen të gjithë për atë që BE-ja të jetë më e fuqishme, e bashkuar dhe më demokratike. Për shembull, kryeministri hungarez, të cilit nuk i intereson solidariteti me emigrantët, e as vendimet për ndryshimet klimatike. Është e komplikuar. Një gjë është e sigurt: Presidenti francez dëshiron BE funksionale.

I tillë nuk është rasti me Britaninë e Madhe. Ata e braktisin. Pse atëherë vazhdimisht e kritikojmë presidentin francez, i cili dëshiron BE më të fuqishme në suaza botërore? E as një fjalë për Britaninë e Madhe, e cila ishte ithtari kryesore për zgjerim – gjoja – ndërsa tani del prej saj? Këtë paradoks duhet ta kemi parasysh para se të kritikojmë presidentin francez, i cili është evropian i mirëfilltë. Ai dëshiron diçka funksionale dhe më të fuqishme.

I përmendët reformat në të cilat duhet të fokusohet vendi, veçanërisht Ligjin e ri për prokurori publike. Duke marrë parasysh faktin se do të kemi qeveri teknike me agjendë të kufizuar, si do të ndikojë kjo në gjasat tona për marrjen e datës?

– Problemi qëndron në atë se Parlamenti nuk do të punojë pas 12 shkurtit. Por, së paku do të mund të punojë dy muaj. Do të ketë ende kohë për zgjidhje të mira dhe përparim në fusha të caktuara. Nëse me të vërtetë të gjitha partitë politike janë për anëtarësim në BE, ashtu siç shprehen, duhet të jenë të afta të merren vesh rreth reformave që t’i dëshmojnë Komisionit Evropian se janë të përkushtuara për të mirën e vendit. Ndryshe, do të shohim se këto janë vetëm lojëra politike, dhe njëra prej arsyeve që nuk u bë Ligji për PSP-në. Opozita nuk dëshironte t’i jepte shumicës një dhuratë të tillë para zgjedhjeve. Shumica prej dy të tretave nuk ishte e mundshme. Nëse partitë janë të përkushtuara në rrugën evropiane, do të kuptojnë se ky moment është më i rëndësishëm se lojërat e tyre politike.

Po madje edhe me Qeverinë teknik do të mund të bënim disa gjëra. Lidhur me Komisionin Antikorrupsion, për shembull. Të gjithë e dimë se Komisionit i mungojnë resurse njerëzore dhe buxhet.

Kjo nuk është dhe aq vështirë të zgjidhet për t’u treguar të gjithëve se investojmë më shumë para dhe po përpiqemi t’i detyrojmë njerëzit që të kujdesen që puna të mbarohet siç duhet përkundër gjendjes politike para zgjedhjeve.

Shikoj se jeni optimist i madh lidhur me këtë.

– Dua që presidenti francez dhe të tjerët të kuptojnë se me të vërtetë e duam këtë. Ndryshe, në fund do të konsiderojnë se kanë pasur të drejtë që kanë thënë jo – nëse shohin se vendi nuk është serioz. Nëse marrja e datës për bisedime është me të vërtetë qëllimi kryesor në dy-tre vitet e fundit, të gjithë duhet të kontribuojnë.

A keni qasje në administratën publike. A jemi të përgatitur për t’i filluar bisedimet?

– Vendi është i përgatitur të fillojë bisedime. Sekretariati për Çështje Evropiane është i përgatitur meqë po përgatitet tashmë më shumë se 15 vjet. Tridhjetë për qind e legjislaturës së BE-së tashmë është përfshirë në legjislaturën e vendit. Tashmë gjendeni në rrugën evropiane dhe administrata është e përgatitur të vazhdojë.

Administratës i nevojitet data për të mbetur e motivuar. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Sekretariatin, por edhe me tërë vendin, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Jashtme, etj.

Vendi është i përgatitur për fillimin e bisedimeve, pas çka do të duhet të punojmë shumë që të sigurohemi se punët lëvizin në drejtimin e duhur. Më pas, gjithsesi, do të ketë një përshtatje të caktuar, ndryshime dhe përparim.

Çfarë mendoni për qëndrimin e Komisionit të ri të BE-së për zgjerimin?

– Të gjitha fytyrat e reja në BE angazhohen që gjashtë vende të Ballkanit të bëhen anëtare, kur do të jenë të përgatitura. Vetëm shikoni hartën dhe do të kuptoni pse Ballkani duhet të jetë pjesë e BE-së. Në të kundërtën, vështirë se do të jemi fuqi e madhe që do të mund t’u thotë SHBA-së, Rusisë dhe Kinës se çfarë të bëjnë, nëse nuk jemi të aftë të kemi gjendje të qëndrueshme brenda. I tërë Ballkani Perëndimor duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë. Prandaj, ende ka probleme në shtetet. Punët nuk lëvizin aq shpejtë dhe mirë siç pritej. Politikanët duhet të jenë më të vetëdijshëm për atë se sa është kontributi.

Edhe kjo nuk varet vetëm nga Komisioni, por para së gjithash nga vendet anëtare. Disa vende nuk shikojnë aq pozitivisht në zgjerimin. Në Holandë, Gjermani dhe Francë ekziston një mosgatishmëri e caktuar për vendet e reja që hyjnë në BE.

Megjithatë, shumica e anëtareve duan BE më të fuqishme me politikë të përbashkët të jashtme, që përfshin tema të rëndësishme, siç është Marrëveshja e gjelbër e propozuar javën e kaluar. Duhet të bëjmë përpjekje të madhe në kuptimin financiar edhe përmes riorganizimit të modelit ekonomik. Edhe Parisi, edhe Berlini edhe Brukseli duhet të bëjnë disa gjëra.

Një dilemë rreth qasjes së përtërirë. A do të aplikohet metodologjia e re edhe për vendet që i kanë filluar tashmë bisedimet?

– Varet nga metodologjia e re, nëse u ndihmon Malit të Zi dhe Serbisë që të mbyllin disa kapituj. Më e rëndësishme është që vendet që fillojnë bisedime ta përfundojnë procesin. Gjithashtu, nëse do të jetë më e lehtë për Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën? Nuk e di. Synimi i vërtetë i presidentit francez ishte që të bëhet e ditur se procesi aktual nuk funksionon. Është përpiluar 15 vite më parë dhe zgjerimi i fundit në vitin 2004 nuk ishte i suksesshëm në disa aspekte të caktuara. Prandaj, të përpiqemi të gjejmë mënyrën e vërtetë që këto vende të bëhen anëtare të BE-së. Kjo është ajo.

Në fund, a mund të presim metodologji zyrtarisht të përtëritur për bisedime deri në muajin mars, ndërsa datë në samitin e Zagrebit në maj?

– Ende nuk e di. Metodologjinë e re Komisioni duhet ta prezantojë në janar. Mund të ndodhë që shumë shpejtë vendet anëtare ta pranojnë dhe të vazhdojnë më tutje. Nëse ka sinjale të qarta se Maqedonia e Veriut ka mësuar se çfarë u është e rëndësishme vendeve anëtare, të themi mars nëse është e mundshme, ose Zagreb. Duhet doemos të jemi fleksibil. Më e rëndësishme është të marrim datë dhe më pas vazhdojmë ta reformojmë, modernizojmë dhe përgatisim vendin për një të ardhme më të mirë.

Violeta Gerov

foto: Darko Popov

Таг
Back to top button
Close
Close