0_Maqedoni.Portal0_Web_Ballina - Sllajder0_Web_Përzgjedhja e redaktoritMakedonija.SlajderPolitikë

Kuvendi i konstituuar, verifikohen mandatet e 120 deputetëve të zgjedhur

Kuvendi në seancën e sotme konstitutive me propozimin e Komisionit Verifikues i verifikoi mandatet e 120 anëtarëve të përbërjes së dhjetë parlamentare të zgjedhur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik.

Shkup, 4 gusht 2020 (MIA) – Kuvendi në seancën e sotme konstitutive me propozimin e Komisionit Verifikues i verifikoi mandatet e 120 anëtarëve të përbërjes së dhjetë parlamentare të zgjedhur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik.

Jagoda Shahpaska, kryetarja e Komisionit Verifikues, e cila u zgjodh nga Kuvendi sot në seancën e parë konstitutive tha se Komisioni konkludon se nuk ka asnjë bazë për ta kundërshtuar zgjedhjen e ndonjë prej 120 deputetëve.

Komisioni Verifikues, para dorëzimit të Raportit dhe propozimit për verifikimin e mandateve të deputetëve e shqyrtoi raportin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) nga zgjedhjet e zhvilluara të parakohshme për deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të mbajtura më 15 korrik 2020, në bazë të të cilave i miratuan propozimin e tyre.

Mbledhja konstituive e përbërjes së ardhshme parlamentare u mbajt në sallën Kupola e madhe në pajtim me protokollet shëndetësore për mbrojtje nga përhapja e Kovid-19. Në mbledhje, nga 120 deputetë, nuk morën pjesë vetëm 3.

“Kryetarit të Qeverisë dhe anëtarëve të Qeverisë të cilëve sot iu verifikuar mandati për deputetë në përputhje me nenin tetë paragraf 1 të Kodit Zgjedhor, me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë në punën e Qeverisë së RMV-së sipas nenit 93 paragrafi 5 të Kushtetutës, Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e një Qeverie të re, tha kryetari i ish-Parlamentit Talat Xhaferi, i cili e kryesoi seancën.

Ai sqaroi se deputetët që mbajnë funksione të tjera që sipas nenit 8 të Kodit Zgjedhor janë jokompatibël me funksionin e deputetit ato u ndërpriten.

Pika e tretë dhe e katërt në këtë seancë konstituive janë zgjedhja e kryetarit, zëvendëskryetarit, anëtarëve dhe zëvendësve të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve të Kuvendit dhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por për këto pika, sipas paralajmërimit të Xhaferit, do të diskutohet kur të krijohen kushte për këtë.

Seancat e Kuvendit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri do t’i udhëheqë Xhaferi, ndërsa në mungesë të tij deputetët Goran Misovski dhe Florian Besimi.

Funksioni kryetar i Kuvendit i takon partive të cilat do të sigurojnë shumicë për formimin e Qeverisë, proces i cili formalisht fillon sot, kështu që nuk mundet me siguri të pritet se ai do të zgjidhet në mbledhjen konstituive.

Në Kushtetutë është paraparë që presidenti i vendit në afat prej dhjetë ditëve nga konstituimi i Kuvendit, mandatin për përbërje të Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Parlament. Mandatari në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit i parashtron program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë. Qeverinë, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedhë Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Presidenti, Stevo Pendarovski veçmë paralajmëroi se planifikon të mbajë konsultime me partitë politike pas konstituimit të Parlamentit, pas çka, në pajtim me dispozitat kushtetuese, do ta ndajë mandatin për formim të qeverisë, partisë, përkatësisht partive që do të sigurojnë shumicë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në zgjedhjet e mbajtura më 15 korrik, koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM fitoi 46 deputetë, koalicioni “Për ripërtëritje të Maqedonisë” i VMRO-DPMNE-së – 44, BDI – 15, koalicioni Aleanca dhe Alternativa – 12, E Majta 2 dhe PDSH 1 deputet. ls/mb/

 

Провери го и ова

Close
Back to top button
Close
Close