0_Maqedoni.Portal0_Web_Ballina - Sllajder0_Web_Përzgjedhja e redaktoritAnalizëPolitikëVideo deklaratë

Kërzhallovski për MIA-n: Pjesëmarrja e ulët porosi e qartë për të gjitha partitë

Porosi e qartë nga këto zgjedhje është pjesëmarrja e ulët, kjo është më shumë e papritur sesa vetë rezultati, gjë që e bën të pasigurt edhe censusin në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Pjesëmarrja e ulët është dënim për të gjitha partitë politike, porosi se diçka duhet të ndryshojnë në performanset e tyre, por megjithatë zgjedhjet kaluan qetë që meriton një lëvdatë të madhe, meqë ky ishte njëri prej kritereve për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian.

Shkup, 22 prill 2019 (MIA) – Porosi e qartë nga këto zgjedhje është pjesëmarrja e ulët, kjo është më shumë e papritur sesa vetë rezultati, gjë që e bën të pasigurt edhe censusin në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Pjesëmarrja e ulët është dënim për të gjitha partitë politike, porosi se diçka duhet të ndryshojnë në performanset e tyre, por megjithatë zgjedhjet kaluan qetë që meriton një lëvdatë të madhe, meqë ky ishte njëri prej kritereve për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian.

Këtë për MIA-n sot e deklaroi analisti dhe drejtori i QMBN-së, Aleksandar Kërzhallovski, i cili dha vlerësim të përgjithshëm për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, por edhe fliste për dallimin e ngushtë prej 4.600 votave mes Stevo Pendarovskit dhe Gordana Siljanovska Davkovës, në favor të kandidatit, të mbështetur nga LSDM-ja dhe koalicioni.

“Fillimisht të lëvdoj se dita e zgjedhjeve kaloi qetë dhe këtë nuk duhet ta harrojmë, meqë ky është njëri prej kritereve për fillimin e bisedimeve me BE-në, shpresoj se edhe raundi i dytë do të kalojë ashtu, ndonëse nuk besoj shumë. Porosia e qartë nga këto zgjedhje është pjesëmarrja e ulët, kjo është më shumë e papritur sesa vetë rezultati meqë me anketat është vështirë të parashikohet pjesëmarrja. Megjithatë, pjesëmarrja ishte nën të gjitha pritjet dhe kjo është porosia e parë dhe me siguri kryesore se në fakt të gjitha partitë në njëfarë mënyre janë dënuar me këtë rezultat dhe duhet të mendojnë në vend se të gjitha të shpallin fitore, të mendojnë se ku shkuan të gjitha ato vota nga zgjedhjet paraprake, pse njerëzit nuk dolën në votim”, theksoi Kërzhallovski.

Vetë rezultati në raport me dallimin e ngushtë mes Pendarovskit dhe Siljanovska Davkovës nuk është shumë i papritur, meqë anketat, që ishin bërë pak para raundit të parë kanë parashikuar dallim prej dy deri tre për qind, në favor të Pendarovskit.

Përkujtoi se anketa e parë që e ka përpunuar Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBM) ishte 2,6 për qind, por shtoi se këtu duhet të merren parasysh edhe gabimet statistikore.

“Megjithatë pritej epërsi më bindëse për Pendarovskin prej dhjetë mijë, 20 mijë, 30 mijë votave nga ajo që rezultoi në fund”, shprehet Kërzhallovski.

Lidhur me pjesëmarrjen e ulët theksoi se ndoshta qytetarët në njëfarë mënyre janë të lodhur prej zgjedhjeve, por megjithatë konsideron se kjo ka të bëjë me dëshpërimin nga performansi i partive, elitave politike.

“Ky rezultat është dënim edhe për VMRO-DPMNE-në edhe për BDI-në edhe për LSDM-në dhe dëshpërim nga gjithë ajo që ndodhte në disa vitet e fundit. Edhe ato vota që mungojnë janë njëfarë proteste ose porosi se nuk kemi se çfarë të votojmë në një situatë të këtillë. Priteshin ndryshime. Paraprakisht e dimë se si ishte gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së viteve të fundit, thjeshtë secili për arsye të ndryshme është sjellë disi në ditën e zgjedhjeve – rezultate të këqija të Qeverisë, mosrespektim të referendumit, secili gjen arsye për të mos dalë dhe në këtë mënyrë të shprehë zërin e protestës, por megjithatë zgjedhjet janë diçka në të cilat flasim çfarë duam, e jo çfarë nuk duam. Në njërën anë lexova sot në mëngjes se ku i keni ato 600 mijë vota nga referendumi, se ky votim i ka vërtetuar rezultatet e referendumit, gjegjësisht mospajtimin me Marrëveshjen e Prespës, por nga ana tjetër pyet, e ku janë 1,2 milionë që atëherë nuk dolën në referendum dhe tani sërish nuk janë në konton e VMRO-DPMNE-së”, theksoi Kërzhallovski.

Në rrethin e parë për shkak të pjesëmarrjes së ulët, shprehet ai, siç duket këtë herë BDI-ja ka shkuar në kartën e bojkotit të qetë, gjegjësisht ka synuar të ketë sa më pak votues shqiptar, duke përfshirë edhe mbështetësit e saj, pikërisht nga frika që votën e tyre të mos ia japin Blerim Rekës.

“Edhe në anketën tonë të parë madje 60 për qind e simpatizuesve të BDI-së deklaronin se në raundin e parë do të votojnë për Blerim Rekën, ndërsa në të dytin për Pendarovskin. BDI-ja deshi disi ta ulë këtë opsion, pjesa më e madhe e votave të tyre të mos përfundojnë te Blerim Reka gjë që do të rezultonte me rrënimin e legjitimitetit të BDI-së. Në njëfarë mënyre kjo është parandaluar meqë u ndal në suaza të 80 mijëve sa edhe parashikohej se mund të arrijë Blerim Reka, që në një situatë të këtillë është megjithatë sukses relativisht i madh. Në mënyrë plotësuese edhe ajo që në gjithë Maqedoninë, në të gjitha komunat edhe në ato lindore Reka ka nga ndonjë votë, diku ka nga 200, 300 vota, që është element i mirë në këtë garë zgjedhore. Në njëfarë mënyre tejkalohen stereotipat dhe kufijtë etnik, por jemi larg nga votimi për koncept qytetar dhe kandidat mbipartiak”, theksoi Kërzhallovski.

Thotë se ata që kanë votuar për Rekën janë qytetarë, me të drejtat e tyre dhe se nuk mund të parashikohet se ku do të shkojnë votat e tyre në raundin e dytë.

“Dy kandidatët u ngutën që t’i kërkojnë dhe t’i përvetësojnë votat e elektoratit shqiptar, por siç thotë fjala e urtë llogaria e shtëpisë dhe ajo e pazarit nuk dalin njëjtë. Mendoj se kështu do të jetë edhe në raundin e dytë, e mendoj se së paku dy prej liderëve thanë se askush nuk i ka votat në xhep, për t’ia ofruar dikujt tjetër për pazarllëqe të ndryshme. Në fund qytetarët do të vendosin”, theksoi Kërzhallovski.

Megjithatë, shton ai, indikative do të jetë edhe ajo që zyrtarisht do ta njoftojnë Aleanca e Shqiptarëve dhe Besa, por përkujton se me siguri do të japin porosi që secili të votojë sipas vullnetit të tij ose nga ana tjetër të mos votojnë fare.

“Ndonëse unë pritja që me siguri ta kërkojnë këtë nëse kanë mbi 100 mijë vota. Kjo shifër në fakt nuk paraqet delegjitimim të BDI-së. Megjithatë mund të bëjnë thirrje madje edhe për bojkotim aktiv, madje edhe nëse nuk bëjnë thirrje atë mund ta bëjnë qetë në prapavijë, të rekomandojnë që këta votues të mos votojnë fare. Do të jetë interesante, do të bëhen ende anketa, por me siguri ato vota do të jenë vendimtare në raundin e dytë”, shton ai.

Në raundin e dytë pret fushatë më të ashpër, vetë rezultati urdhëron mobilizim shumë më të madh të vetë partive. Konsideron se rezultati nga raundi i parë do të mobilizojë më shumë njerëz që të dalin në raundin e dytë dhe ky është një argument se është e mundshme të arrihet censusi prej 40 për qind, ndonëse zakonisht në raundin e dytë pjesëmarrja është më e vogël krahasuar me raundin e parë.

Ana Cvetkovska

 

Провери го и ова

Close
Back to top button
Close
Close