EvropëEvropë.PortalKorrespondentë BotëSvet.Slajder

KE e klasifikon Kovid-19 si “kërcënim të mesëm”, kritika të forta në Parlamentin Evropian

Komisioni Evropian sot kumtoi se "bazuar në mendimet e ekspertëve shkencorë" po e rishikon direktivën e BE-së për agjensë biologjikë për ta shtuar Kovid-19 si një kërcënim të shkallës së tretë, socialdemokratët në Parlamentin Evropian paralajmërojnë bllokadë të vendimit, njofton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

Bruksel, 3 qershor 2020 (MIA) – Komisioni Evropian sot kumtoi se “bazuar në mendimet e ekspertëve shkencorë” po e rishikon direktivën e BE-së për agjensë biologjikë për ta shtuar Kovid-19 si një kërcënim të shkallës së tretë, socialdemokratët në Parlamentin Evropian paralajmërojnë bllokadë të vendimit, njofton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

Direktiva e rishikuar e BE-së për agjensët biologjikë i përfshin rreziqet e paraqitura nga koronavirusi i ri për punëtorët, veçanërisht punonjësit shëndetësorë dhe ata që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me virusin. Qëllimi i këtij rishikimi është ta ndihmojë kthimin e punëtorëve në punët e tyre në një mënyrë të sigurt, thotë Komisioni Evropian, ndërsa amendamentet janë miratuar në konsultim me shkencëtarët nga vendet anëtare të BE-së dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

Grupi Socialdemokratë në Parlamentin Evropian reagoi menjëherë, duke thënë se ky vendim është një “shuplakë” për punëtorët që përballen me virusin çdo ditë. Grupi njoftoi se nga sot do të punojë në mënyrë aktive në krijimin e një shumice në Parlamentin Evropian për ta hedhur poshtë propozimin e Komisionit Evropian.

Sipas eurodeputetes Agnes Jongerius, vendimi për ta klasifikuar Kovid-19 si një kërcënim dytësor është i papranueshëm dhe se virusi duhet të përfshihet në kategorinë më të lartë të agjensëve të rrezikshëm biologjikë, kategoria Katër, derisa të gjendet vaksinë ose trajtim.

“Vendimi i Komisionit rithekson që procedurat e përfshira në Direktivën e agjensëve biologjikë nuk janë as demokratike, as transparente, as nuk janë të afta të ballafaqohen me sfidat e pandemisë,” tha Jongerius.

Ajo konsideron që është “e papranueshme” që mendimet dhe argumentet e ekspertëve të konsultuar nuk janë në dispozicion të publikut dhe kujton se as Parlamenti Evropian dhe as partnerët social, pra sindikatat, nuk ishin të përfshirë në procesin e rishikimit të direktivës.

“Kovid-19 është sfida më e madhe shëndetësore e kohës sonë, veçanërisht për punonjësit thelbësorë si infermierët, punonjësit e dyqaneve, shoferët dhe mirëmbajtësit e higjienës që janë në rrezik shumë më të madh për shëndetin dhe jetën e tyre. Mijëra prej tyre janë sëmurë ose vdiqën pasi u infektuan me Kovid-19 derisa punuan për të na mbrojtur ne dhe familjet tona dhe për të mundësuar që komunitetet tona të mbeten të lidhura”, deklaroi deputetja.

Direktiva e agjensëve biologjikë parashikon katër shkallë rreziku. Kategoria Tre përcaktohet si një agjens që mund të shkaktojë sëmundje serioze tek njerëzit dhe që paraqet një rrezik serioz për punëtorët, mund të jetë një rrezik i përhapjes në komunitet, por zakonisht ka një parandalim ose trajtim efektiv. Ndërsa kategoria Katër, me të njëjtin përkufizim të sëmundjes, shprehet qartë në fund se “parandalimi ose trajtimi efektiv nuk është në dispozicion”, që është rasti me Kovid-19 tani për tani.

Komiteti i Punës i Parlamentit Evropian do të votojë për direktivën më 11 qershor, ndërsa më vonë gjatë muajit do të votohet në një seancë plenare. ls/shk/

 

Back to top button
Close
Close