BotëBotë.PortalSvet.Slajder

Irani: Marrëveshja e Izraelit dhe EBA-s është thikë në shpinë për të gjithë myslimanët

Ministria e Punëve të Jashtme të Iranit, ashpër ka dënuar marrëveshjen historike për krijimin e marrëdhënieve të plota diplomatike mes Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Izraelit, duke e vlerësuar atë si thikë pas shpine ndaj të gjithë myslimanëve.

Teheran, 14 gusht 2020 (MIA) – Ministria e Punëve të Jashtme të Iranit, ashpër ka dënuar marrëveshjen historike për krijimin e marrëdhënieve të plota diplomatike mes Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Izraelit, duke e vlerësuar atë si thikë pas shpine ndaj të gjithë myslimanëve.

Në kumtesë të Ministrisë, Irani e quajti normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve – masë të rrezikshme, “të turpshme” dhe paralajmëroi Emiratet e Bashkuara Arabe kundër ndërhyrjes së Izraelit në “ekuacionin politik” në rajonin e Gjirit.

“Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe qeveritë e tjera shoqëruese duhet të pranojnë përgjegjësinë për të gjitha pasojat e këtij veprimi”, thuhet në kumtesë.

Irani vlerësoi se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe zbulon “marrëzinë strategjike” e të dy shteteve dhe beson se ajo “pa dyshim do të përforcojë boshtin e rezistencës në rajon”.

Marrëveshja historike do të lejojë normalizimin e plotë të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, ndërsa ajo u arrit me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidentit Donald Tramp. Analistët thonë se marrëveshja e paqes i sjell pika politike Trampit përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në SHBA.

Emiratet e Bashkuara Arabe janë vendi i parë i Gjirit që e bëri këtë dhe shteti i tretë arab që ka marrëdhënie diplomatike me Izraelin, pas Egjiptit dhe marrëveshjes së vitit 1979 dhe Jordanit në vitin 1994. Mauritania e njohu Izraelin në vitin 1999, por marrëdhëniet diplomatike u ndërprenë në vitin 2009 për shkak të luftës së Gazës.

SHBA, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli, dje lëshuan kumtesë të përbashkët duke njoftuar se delegacionet e të dy vendeve gjatë javëve të ardhshme do të nënshkruanin marrëveshje për fluturime të drejtpërdrejta, siguri, telekomunikacion, energjetikë, turizëm dhe kujdes shëndetësor.

Sipas marrëveshjes, Izraeli ka premtuar se do t’i japë fund sovranitetit të saj mbi zonat e Bregut Perëndimor që janë lëndë e aneksimit.

Lëvizja palestineze islamike Hamas e cila kontrollon Rripin e Gazës, vlerësoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe “nuk ndihmon luftën palestineze” dhe se ishte “blanko çek” për të vazhduar “okupimin” izraelit.

“Ne e refuzojmë dhe e dënojmë marrëveshjen. Ai nuk po e ndihmon luftën palestineze dhe e konsiderojmë atë vazhdim të mohimit të të drejtave të popullit palestinez”, tha zëdhënësi i Hamasit, Hazem Kasim.

Marrëveshja gjithashtu parashikon qasje më të madhe të myslimanëve në xhaminë Al-Aksa në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit si dhe mundësinë e fluturimeve nga Abu Dhabi drejt në Tel Aviv, por edhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli do të zgjerojnë dhe përshpejtojnë bashkëpunimin mjekësor dhe zhvillimi e vaksinës së re për koronavirusin.

Sekretari i Përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh dje përshëndeti marrëveshjen, duke thënë se çdo iniciativë që kontribuon për paqen në Lindjen e Mesme meriton lëvdatë.

Në bisedime morën pjesë dhëndri i Trampit dhe këshilltar Xhared Kushner, Ambasadori i SHBA-së në Izrael Dejvid Friedman dhe i dërguari për Lindjen e Mesme Avi Berkoviç, si dhe Sekretari i Shtetit të SHBA-së Majk Pompeo dhe këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë Robert O’Brajan.

“Ky hap përpara diplomatik historik do të kontribuojë për paqen në Lindjen e Mesme dhe është dëshmi e diplomacisë dhe vizionit të tre liderëve dhe guximit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit për të hyrë në rrugë të re që do të hap derën e potencialit të madh të rajonit”, thuhet në kumtesën e Shtëpisë së Bardhë. bs/fab

Back to top button
Close
Close