BotëBotë.PortalSvet.Slajder

Inteligjenca amerikane: Rusia e prirur ta dëmtojë Bajdenin, Kina dëshiron që Tramp të humbë

Një përfaqësues i lartë amerikan i kundërzbulimit ka shprehur shqetësim për ndërhyrje nga Kina, Rusia dhe Irani në zgjedhjet e vitit 2020.

Uashington, 8 gusht 2020 (MIA) – Një përfaqësues i lartë amerikan i kundërzbulimit ka shprehur shqetësim për ndërhyrje nga Kina, Rusia dhe Irani në zgjedhjet e vitit 2020.

Zbulimi amerikan arrin në përfundimin se Kina shpreson që Presidenti Donald Tramp do të humbasë zgjedhjet, Rusia po përpiqet të dëmtojë imazhin e demokratit Xho Bajden, ndërsa Irani po përpiqet të minojë institucionet demokratike, tha përmes një deklarate Bill Evanina, drejtor i Qendrës kombëtare të kundërzbulimit.

Në deklaratë Evanina ofron analizën më të fundit të shërbimeve të zbulimit për kërcënimet ndaj zgjedhjeve të nëntorit.

“Shumë aktorë të huaj preferojnë njërin ose tjetrin kandidat dhe këtë e kanë shprehur në komunikime të fshehta, ose të hapura si dhe në akte influencuese. Ne jemi kryesisht të shqetësuar me aktivitetet e mundshme të Kinës, Rusisë dhe Iranit”, tha Evanina.

Kina e konsideron Presidentin Tramp “të paparashikueshëm” dhe nuk do rizgjedhjen e tij, tha Evanina. Kina ka zgjeruar përpjekjet e influencës para zgjedhjeve, duke u munduar të ndikojë tek politikat amerikane dhe t’u bëjë presion figurave që i konsideron si kundërshtare të Pekinit, tha zyrtari amerikan.

“Megjithëse Kina do të vazhdojë të peshojë përfitimet dhe rreziqet e veprimeve agresive, publikisht retorika e saj është bërë më kritike ndaj administratës aktuale në lidhje me reagimin ndaj KOVID-19, mbylljen e konsullatës kineze në Hjuston si dhe akte të tjera”, shkruan në deklaratë Evanina.

Për sa i përket Rusisë, zbulimi amerikan arrin në përfundimin se Moska po përpiqet të “denigrojë” Bajdenin dhe përkrahësit e tij që i shikon si anti-rusë. Evanina tha se kritikat ndaj Bajdenit duket se burojnë që nga koha kur ai ishte nënpresident, lidhur me politikat e tij ndaj Ukrainës dhe kundërshtimin e tij ndaj politikave të brendshme të presidentit Putin.

Evanina veçoi ligjvënësin ukrainas pro-rus Andri Derkaq, duke e akuzuar se po përhap “pretendime për korrupsion” dhe po publikon tekste të telefonatave të përgjuara në përpjekje për të minuar Bajdenin dhe demokratët.

Poashtu, ai paralajmëroi se ashtu si në fushatën e 2016, kur shërbimet e zbulimit arritën në përfundimin se Rusia u përpoq të ndihmonte fushatën e Trumpit përballë rivales Hillari Klinton, ka prova se agjentët rusë po mbështesin presidentin Tramp.

“Disa aktorë që kanë lidhje me Kremlinin po përpiqen të ndihmojnë kandidaturën e Trampit përmes medias sociale dhe televizionit rus”, tha Evanina.

Sipas analizës së Evanina, Irani përpiqet të minojë institucionet demokratike amerikane si dhe të përçajë Amerikën para zgjedhjeve.

“Përpjekjet e Iranit në këtë drejtim përqendrohen në aktivitet online, si përhapja e dizinformimit përmes internetit, në median sociale dhe përhapja e materialeve nga palë të tjera anti-amerikane,” shkruan Evanina.

“Teherani nxitet pjesërisht nga bindja se nëse rizgjidhet Presidenti Tramp do të vazhdojë presioni amerikan ndaj Iranit në përpjekje për të nxitur ndryshim regjimi në këtë vend,” shkruan drejtori i kundërzbulimit amerikan, Bill Evanina.

Shtëpia e Bardhë reagoi dje duke thënë se SHBA-ja nuk do të lejojnë ndërhyrje në procesin zgjedhor amerikan. Përmes një deklarate, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Xhon Uliot, tha se qeveria amerikane është gati për t’iu përgjigjur kërcënimeve duke përdorur të gjithë instrumentet e fuqisë kombëtare.

“Zgjedhjet e lira dhe të drejta janë gur-themeli i demokracisë amerikane. Presidenti Tramp dhe administrata e tij vazhdojnë të demonstrojnë një angazhim të vazhdueshëm për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve”, shkruan Uliot, pas deklaratës së shefit të kundërzbulimit amerikan, Bill Evanina, mb/

Провери го и ова

Close
Back to top button
Close
Close