• петок, 27 септември 2024

Mexhiti dhe Ginovska paralajmëruan kontrolle të forta të ajrit, të parat në "goditje" kapacitetet më të mëdha industriale

Mexhiti dhe Ginovska paralajmëruan kontrolle të forta të ajrit, të parat në

Shkup, 26 shtator 2024 (MIA) - Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti dhe drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor (ISHMJ) Ivana Ginovska, sot, në prag të muajve të ardhshëm të vjeshtës dhe dimrit, paralajmëruan kontrolle të përforcuara të cilësisë së ajrit. Kontrollet do të fillojnë, siç thanë ata, nga kapacitetet më të mëdha prodhuese industriale dhe të parat do të jenë ato në rajonin e Shkupit.

Ekipet e punës do të kryejnë inspektime në terren dhe mbikëqyrje të lejeve të integruara ekologjike të lëshuara. Qëllimi, theksoi Mexhiti, është të kontrollohet harmonizimi i kushteve në lejen me funksionimin e kapaciteteve. Sipas tij, Qeveria dëshiron të fillojë me kohë aktivitetet për zbutjen e pasojave të ndotjes.

"Përcaktimi ynë strategjik është të veprojmë në burimet e ndotjes. Nisur nga fakti se cilësia e ajrit nuk mund të zgjidhet brenda natës, dhe as nuk është problem lokal apo problem i një ministrie të vetme, aktivitetet për përmirësimin e situatës me ndotjen e ajrit do të përpiqemi të jenë gjithëpërfshirëse, të ndahen dhe të koordinohen me të gjitha institucionet përkatëse", theksoi ministri.

Ginovska theksoi se në muajt e vjeshtës dhe të dimrit tashmë janë planifikuar inspektime të rregullta te subjektet me leje ekologjike të integruara A. 

"Gjatë inspektimeve, përveç ekipeve tona, do të marrin pjesë edhe punonjës të Ministrisë së Mjedisit Jetësor që përgatisin miratimet për lejet. Për inspektimet e kryera, ISHMJ do të informojë rregullisht opinionin. Do të hartohet edhe një strategji për zbatimin e legjislacionit për një periudhë gjashtëvjeçare sipas rajoneve dhe rretheve me qëllim për të optimizuar burimet", tha drejtoresha.

Risi, thekson, është se do të ketë ekipe inspektuese të përziera - inspektorët nga një qytet apo rajon do të kryejnë inspektime në qytete dhe rajone të tjera për të forcuar integritetin dhe për të përmirësuar cilësinë e inspektimeve.

Ajo informoi se ISHMJ përballet me mungesë të stafit, për këtë arsye ka kërkuar punësim dhe ka plan të miratuar për punësimin e tre inspektorëve të rinj. Për vitin e ardhshëm, Inspektorati parasheh edhe nëntë punësime, por kjo, tha Ginovska, do të varet nga buxheti. ls/

Foto/video: MIA

Остани поврзан