• четврток, 26 септември 2024

Kundërthëniet e kandidates bullgare për eurkomisaren Zaharieva

Kundërthëniet e kandidates bullgare për eurkomisaren Zaharieva

Bruksel, 24 shtator 2024 (MIA) - Pas nominimit të ish-zëvendëskryeministres bullgare dhe ministre e Punëve të Jashtme, për drejtësi dhe për zhvillim rajonal, Ekaterina Zaharieva për komisare për startape, hulumtim dhe inovacione në Komisionin e ri evropian, në opinion dolën disa kundërthënie dhe skandale nga e kaluara e saj, që mund ta përballin me dëgjimin e rëndë në Europarlament.

Një nga ato "skelete në sirtar" të Zaharievës është skandali korruptues i vitit 2018 lidhur me ndarjen e pasaportave bullgare për shtetasit e huaj në këmbim për rryshfet prej 5.000 eurove. Në atë kohë Zaharieva ishte ministre e Drejtësisë në Qeverinë e ish-kryeministrit Bojko Borisov.

Skandali kryesisht ndërlidhej me partinë nacionaliste VMRO-Lëvizja nacionaliste bullgare (VMRO-BND), e cila në atë periudhë ishte partnere e koalicionit e partisë Qytetarët për zhvillim evropian të Bullgarisë (GERB) e Borisovit dhe Zaharievës, por i tërë rasti ende nuk ka epilog gjyqësor.

"Mëkati" i dytë që i përshkruhet Zaharievës janë lidhjet e përfolura biznesore të anëtarëve të familjes së saj me biznesmenin maqedonas, Orce Kamçev, të cilin ajo në vitin 2019, kur ishte shefe e diplomacisë bullgare, e propozoi konsull nderi të Bullgarisë në vend, me çka ai do të merrte edhe imunitet diplomatik nga ndjekja gjyqësore.

Por, për shkak të skandaleve lidhur me Kamçevin, i cili në vitin 2023 ishte vendosur edhe në "listën e zezë" amerikane për përzioerje në korrupsion, ai në fund nuk u bë konsull nderi bullgar.

Në vitin 2021, lideri i partisë Koncepti maqedonas, Petar Bogoevski, akuzoi se Kamçev ka paguar tetë milionë euro për të siguruar mbrojtje nga ndjekja gjyqësore me ndihmën e autoriteteve bullgare, përmes skemës me të cilën ndërlidhej edhe emri i bashkëshortit të Zaharievës.

Gazetari hulumtues bullgar, Nikollaj Stajkov nga organizata joqeveritare "Fondi për luftë kundër korrupsionit" në deklaratë për portalin e Brukselit "Euraktiv" pohon edhe se në bazë të e-maileve të publikuara të nënkryetarit të Parlamentit rus, Aleksandar Babakov, mund të konkludohet se Zaharieva "e ka ndihmuar Rusinë të përfitojë në infrastrukturë strategjike".

BËhet fjalë për gazpërçuesin "Rrjedha turke", ndërtuar në periudhën prej vitit 2019 deri në vitin 2021 në kohën kur Borisov ishte kryeministër bullgar, përmes të cilit gazi rus bartej deri dhe përtej Bulglarisë. Pasi që Qeveria e Kiril Petkovit e refuzoi kërkesën e Moskës për pagesë të gazit rus në rubla, Rusia e ndaloi dërgesën e energjensit për Bullgarinë, por përmes gazpërçuesit vazhdoi distribuimi i gazit për Serbinë, Hungarinë dhe Austrinë.

"Euroaktiv" tentoi të marrë përgjigje nga Zaharieva lidhur me akuzat për ndërlidhjen e saj me skandalin korruptues për ndarje të shtetësisë për të huajt, për lidhjet biznesore me Kamçevin dhe për rolin e saj në ndërtimin e "Rrjedhës turke", por kandidatja bullgare për eurokomisare nuk iu përgjigj pyetjeve.

Përndryshe, Zaharieva në opinionin e Maqedonisë së Veriut është e njohur edhe për qëndrimet e ashpra lidhur me vendin. ab/

Foto: МIА arkivi

Остани поврзан