• четврток, 26 септември 2024

Gashi, Milloshoski dhe Llukarevska në takim me përfaqësues të Gjykatës Evropiane të Revizorëve

Gashi, Milloshoski dhe Llukarevska në takim me përfaqësues të Gjykatës Evropiane të Revizorëve

Shkup, 24 shtator 2024 (MIA) - Laima Lucia Andrikiene, anëtare e Gjykatës Evropiane të Revizorëve, ka vizituar sot Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku realizoi takim të përbashkët me Kryetarin Afrim Gashi, me nënkryetarin e Kuvendit dhe kryetarin e Komisionit për Çështje Evropiane, Antonijo Milloshoski, dhe me kryetaren e Komisionit për Financim dhe Buxhet, Sanja Llukarevska.

Në takim, siç njoftoi pres-shërbimi qeveritar morën pjesë edhe ambasadori evropian Mihalis Rokas, si dhe Tomas Makevicius dhe Pjetro Puriçella nga Gjykata Evropiane e Revizorëve.

Në fokus të diskutimit ishte Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe përfitimet e pritshme nga zbatimi i tij në procesin e integrimit europian të rajonit dhe konkretisht të vendit tonë. 

Në këtë kontekst, u shkëmbyen mendime për agjendat reformuese të vendeve të rajonit, miratimi i të cilave në institucionet e BE-së është parakusht për realizimin e ndihmës financiare.

Theks i veçantë iu kushtua kritereve në pjesën e sundimit të së drejtës, si dhe mundësive për rritje ekonomike dhe për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve dhe administratës në vendet e rajonit, si aspirante për anëtarësimin e plotë në BE.

Gashi theksoi se për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, si dhe për gjithë rajonin, është me rëndësi të madhe të ndjehet ndihma konkrete nga BE-ja në kuptimin financiar, si nxitje për përkushtimin e mëtutjeshëm për zbatimin e reformave.  

Milloshoski vuri në dukje se Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor sjell përfitime për të dyja palët, përkatësisht për vendet e rajonit dhe për Bashkimin Evropian, si një lloj entuziazmi i mëtutjeshëm për integrimin evropian.

Deputetja Llukarevska tha se në Kuvendin e RMV-së, pavarësisht prejardhjes politike të deputetëve, në përgjithësi nuk ka dallime në lidhje me anëtarësimin e vendit në BE, andaj Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është me rëndësi të veçantë për forcimin e mëtejmë të atij konsensusi. mb/

Foto: Kuvendi i RMV-së

Остани поврзан