Zgjedhje për rektor të ri në UCM më 28 prill, kandidatë janë Biljana Angelova dhe Darko Danev
- Pas dy javësh, më 28 prill, në njësitë në përbërjen e Universitetit "Shën Cirili dhe Metodi" - Shkup, nga ora 12 deri në 14, me votim të fshehtë, do të zgjidhet rektori i UCM për mandatin 16 shtator 2026 - 15 shtator 2029.
- Post By Ramize Qamili
- 13:24, 14 prill, 2026
Shkup, 14 prill 2026 (MIA) - Pas dy javësh, më 28 prill, në njësitë në përbërjen e Universitetit "Shën Cirili dhe Metodi" - Shkup, nga ora 12 deri në 14, me votim të fshehtë, do të zgjidhet rektori i UCM për mandatin 16 shtator 2026 - 15 shtator 2029.
Në garë janë dy kandidatë - rektorja aktuale, prof. dr. Biljana Angelova, e cila është profesoreshë e rregullt në Institutin e Ekonomisë në Shkup, dhe prof. dr. Darko Danev, profesor i rregullt në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Shkup. Ata kanë aplikuar për pozicionin e rektorit të ri të UCM-së dhe kanë dorëzuar dokumentacion të plotë që vërteton se i plotësojnë kushtet e shpalljes publike.
Nesër është dita e fundit e afatit për dorëzimin e kundërshtimeve ndaj listës së kandidatëve për zgjedhjen e rektorit, të përcaktuar më 8 prill, pas përfundimit të shpalljes për aplikimet e kandidatëve, i cili zgjati prej 16 mars deri më 7 prill.
Nga Komisioni Zgjedhor i Universitetit (KZU) për MIA-n thanë se aktivitetet po zhvillohen sipas orarit dhe se do të vazhdojnë të punojnë sipas afatit kohor për zbatimin e veprimeve të nevojshme për zgjedhjen e rektorit të UCM-së. Nuk presin kundërshtime për listën e përcaktuar të kandidatëve, dhe nëse ato vijnë, do të vendoset në tre ditët e ardhshme të punës (16, 17 dhe 20 prill) dhe pastaj, më 21 prill, në ueb faqen e UCM-së do të publikohen programet e punës, të dhënat biografike dhe bibliografike të kandidatëve për rektor.
Foto: MIA / printskrin UCM