Zelenski: Data apo lokacioni i raundit të ri të negociatave paqësore mund të ndryshojë
- Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski tha se data apo vendi i mbajtjes së raundit të ardhshëm të negociatave mes Ukrainës dhe Rusisë, me ndërmjetësim të SHBA-së, për përfundim të luftës në Ukrainë, mund të ndryshojë, kumtoi sot kabineti i Zelenskit.
- Post By Arta Bunjaku
- 11:34, 30 janar, 2026
Kiev, 30 janar 2026 (MIA) - Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski tha se data apo vendi i mbajtjes së raundit të ardhshëm të negociatave mes Ukrainës dhe Rusisë, me ndërmjetësim të SHBA-së, për përfundim të luftës në Ukrainë, mund të ndryshojë, kumtoi sot kabineti i Zelenskit.
"Data apo lokacioni mund të ndryshojë sepse, sipas mendimit tonë, diçka po ndodhë në situatën mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Dhe ai zhvillim i ngjarjeve me siguri mund të ndikojë në kohën dhe vendin e takimit", tha Zelenski.
Raundi i ri i negociatave, sipas paralajmërimeve, duhej të mbahej në Abu Dabi të dielën, por Zelenski tha se nuk e din kur do të mbahet takimi i ardhshëm.
"Është shumë me rëndësi, të gjithë me të cilët dakordohemi, të jenë të pranishëm në takim, sepse të gjithë presin inforata kthyese", tha Zelenski.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio të mërkurën deklaroi se të dërguarit kryesorë të presidentit amerikan Donald Tramp, Stiv Uitkof dhe Xhared Kushner, të cilët morën pjesë në raundin e kalaur të negociatave, nuk do të marrin pjesë në takimin në Abu Dabi, i cili është planifikuar për në fundjavë.
Lidhur me integrimet evropiane, Zelenski tha se Ukraina do të jetë teknikisht e përgatitur për t'iu bashkuar Bashkimit Evropian në vitin 2027, duke shtuar se sigurimi i qasjes "së shpejtë" në Union është pjesë e rëndësishme e garancave të sigurisë pasi qëtë përfundojë lufta me Rusinë. Zelenski tha se deri në fund të vitit 2026 Ukraina do t'i zbatojë hapat kryesorë, të nevojshëm për anëtarësim në BE. Ai theksoi se qeveria ukrainase është e përkushtuar në reformat e domosdoshme.
Në Abu Dabi më 23 dhe 24 janar u mbajt takimi trepalësh për arritjen e zgjidhjes paqësore për Ukrainën, në të cilin morën pjesë delegacioni ukrainas, amerikan dhe ai rus, dhe kjo ishte përballja e parë e drejtpërdrejtë e delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë. Bisedimet trepalëshe në Abu Dabi e hapën rrugën për takim të presidentit rus me atë ukrainas, Vlladimir Putin dhe Volodimir Zelenski, në një të ardhme shumë të afërt, transmetoi portali amerikan Aksios, duke iu referuar deklaratës së një funksionari amerikan. ab/
Foto: Zelenski në Fejsbuk