• e shtunë, 31 janar 2026

Zelenski: Bisedimet tripalëshe ishin konstruktive, javën e ardhshme mund të ndodhin takime të reja në EBA

Zelenski: Bisedimet tripalëshe ishin konstruktive, javën e ardhshme mund të ndodhin takime të reja në EBA

Kiev, 24 janar 2026 (MIA) - Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski sot deklaroi se bisedimet trilaterale mes delegacioneve të Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së në Abu Dabi ishin "konstruktive", se në to u diskutuan parametra për përfundimin e luftës dhe se javën e ardhshme mund të mbahen takime të reja.

Në kumtimin në Telegram, Zelenski gjithashtu tha se përfaqësuesit ushtarakë ukrainas identifikuan listë të çështjeve të diskutimit në takimin e ardhshëm potencial me përfaqësues të Rusisë dhe SHBA-së, transmeton Ukrinform.

"Gjëja kryesore në të cilën u përqendruan diskutimet ishin parametrat e mundshëm për përfundimin e luftës. Me të vërtetë e vlerësoj shumë atë që ekziston ndërgjegjësimi për nevojën që Amerika të monitorojë dhe kontrollojë procesin e përfundimit të luftës dhe ruajtjen e sigurisë së vërtetë. Pala amerikane e ngriti çështjen e formateve të mundshme për miratimin e parametrave për përfundimin e luftës dhe rrethanat e sigurisë të nevojshme për këtë", tha Zelenski.

Ai shtoi se pas takimit, që përfundoi sot në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, të gjitha palët u dakorduan të raportojnë mbi çdo aspekt të negociatave në kryeqytetet e tyre dhe të bien dakord për hapat e mëtejshëm me liderët e vendeve të tyre.

"Ushtria ka hartuar një listë çështjesh për një takim të mundshëm të ardhshëm. Nëse ka gatishmëri për të ecur përpara dhe Ukraina është gati, takime të mëtejshme do të mbahen, potencialisht javën tjetër. Pres me padurim raportin e menjëhershëm të delegacionit (ukrainas) pas kthimit të tij", tha Zelenski.

Delegacionin ukrainas në negociata e udhëhoqi sekretari i Këshillit për sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, Rustem Umerov, përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së Stiv Uitkof, këshilltari i Shtëpisë së Bardhë Xhared Kushner, sekretari i Armatës amerikane, Den Driskol, ndërsa delegacioni rus përfshinte përfaqësues të inteligjencës ushtarake dhe armatës. ab/

foto: МIА arkivi

 

QËNDRONI TË LIDHUR