Zëvendëskryeministri Sali takoi ambasadoren e Gjermanisë, Dreksler
- Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zhvilloi takim me ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë, Petra Dreksler.
- Post By Fami Bajrami
- 14:50, 28 janar, 2026
Shkup, 28 janar 2026 (MIA)- Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zhvilloi takim me ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë, Petra Dreksler.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit diskutuan për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë, me theks të veçantë në bashkëpunimin e suksesshëm në fushën e investimeve dhe zhvillimit ekonomik. Ministri Sali vlerësoi lart rolin e Gjermanisë si një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë, duke theksuar kontributin e investimeve gjermane në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua procesit të eurointegrimeve, ku ministri Sali shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme të Gjermanisë ndaj aspiratave evropiane të Maqedonisë së Veriut. Ai riafirmoi përkushtimin institucional për vazhdimin e reformave dhe përmbushjen e standardeve evropiane.
Ambasadorja Dreksler konfirmoi mbështetjen e Gjermanisë për rrugëtimin evropian të vendit, si dhe gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Foto: Kabineti i ministrit për Çështje evropiane