Xhej - Di Vens me paralajmërim për Teheranin para fillimit të bisedimeve në Islamabad
- – Nënpresidenti i SHBA-së, Xhej – Di Vens, sot e paralajmëroi Teheranin që të mos “luaj” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, para shkuarjes së tij për Islamabad në bisedime për armëpushim në Iran.
- Post By Fitore Curri
- 20:28, 10 prill, 2026
Islamabad, 10 prill 2026 (MIA) – Nënpresidenti i SHBA-së, Xhej – Di Vens, sot e paralajmëroi Teheranin që të mos “luaj” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, para shkuarjes së tij për Islamabad në bisedime për armëpushim në Iran.
Presidenti Donald Tramp i ndau detyrë Vensit, i cili konsiderohet si një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, por edhe skeptik në lidhje me ndërhyrjet e huaja ushtarake, të gjejë rrugëdalje nga lufta gjashtëjavëshe. Para se të hyjë në aeroplanin “Er Fors tu”, Vens shprehu optimizëm mesatar për ndërmjetësimin e ardhshëm në kryeqytetin pakistanez.
"Ne presim bisedime pozitive, por do ta shohim. Nëse iranianët janë të gatshëm të negociojnë me vullnet të mirë, ne do t'u shtrijmë dorën. Por nëse ata përpiqen të na manipulojnë, ekipi negociator nuk do të jetë aq i hapur", deklaroi Vens.
Vens, gjithashtu, tha se Trampi “na dha udhëzime mjaftueshëm të qarta” për atë si duhet të zhvillohen bisedimet, por nuk dha më shumë hollësi. Nuk u përgjigj në pyetjet e gazetarëve që udhëtuan me të.
Udhëtimi realizohet në kushte të armëpushimit të brishtë dhe dallimeve të mëdha mes kërkesave të Iranit dhe atyre të SHBA-së dhe Izraelit.
Përveç Vensit, në delegacion janë edhe i dërguari i posaçëm Stiv Uitkof dhe Xhared Kushner. Ata paraprakisht morën pjesë në bisedime indirekte për programin bërthamor iranian dhe për ndikimin rajonal të Teheranit, para përshkallëzimit të luftës që filloi më 28 shkurt. fc/
Foto: Arkivi