• e diel, 01 shkurt 2026

Virkunen: Me Strategjinë e re për vizat propozohet fleksibilitet më i madh për qëndrimin e transportuesve nga Ballkani Perëndimor në BE

Virkunen: Me Strategjinë e re për vizat propozohet fleksibilitet më i madh për qëndrimin e transportuesve nga Ballkani Perëndimor në BE

Bruksel, 29 janar 2026 (MIA) - Shqetësimet e ngritura nga operatorët e transportit nga Ballkani Perëndimor janë të rëndësishme dhe jemi të vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat përballen transportuesit, deklaroi zëvendëskryetarja ekzekutive e Komisionit Evropian për sovranitetin teknologjik, sigurinë dhe demokracinë, Hena Virkunen, gjatë prezantimit të Strategjisë së BE-së për vizat, strategji evropiane për azilin dhe menaxhimin e migracionit të miratuara në seancën e sotme të Kolegjit të komisarëve.

"Me këtë strategji të vizave ne adresojmë edhe këtë çështje, prandaj propozojmë të shqyrtojmë fleksibilitet më të madh për ta, sigurisht pa rrezikuar sigurinë dhe në të njëjtën kohë pa ndryshuar rregullat, madje as kur bëhet fjalë për udhëtimin pa viza", tha Virkuneni.

Ajo thekson se kur bëhet fjalë për punëtorët ndërkufitarë, të cilët kalojnë kufirin çdo ditë në të njëjtën vendkalim, ka përjashtime dhe fleksibilitet, por kjo nuk vlen për disa profesione të tjera, ku janë identifikuar edhe sfida, siç janë shoferët e kamionëve, sportistët dhe artistët.

"Por, ne po e shqyrtojmë këtë dhe në këtë strategji për vizat tani i rikthehemi këtij problemi", shtoi Virkuneni, pa dhënë masa konkrete.

Ajo theksoi se me Sistemin e ri të hyrje/daljes (EES) nuk janë vendosur rregulla të reja kur bëhet fjalë për kohëzgjatjen e një qëndrimi të shkurtër në zonën Shengen pa viza dhe mbetet mundësia e një qëndrimi deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore.

"Politika e vizave është një mjet strategjik për sigurinë dhe konkurrueshmërinë e Evropës. Një sistem modern, i sigurt dhe efikas i vizave forcon sigurinë dhe besimin midis partnerëve, ndërkohë që ndihmon gjithashtu në tërheqjen e profesionistëve të kualifikuar, ideve dhe investimeve inovative, si dhe mbështet pozicionin e Evropës si një destinacion për talentët", ka thënë Virkunen.

Sipas Komisarit evropian për për Punë të brendshme dhe migracion, Magnus Bruner, mënyra se si BE-ja menaxhon qasjen në territorin e saj është një zgjedhje strategjike.

"Një politikë e besueshme e vizave është një mjet i fuqishëm që mbron interesat e BE-së dhe sigurinë e zonës Shengen. Me këtë strategji, ne tregojmë se Bashkimi Evropian është gati të formësojë mobilitetin sipas kushteve tona, duke forcuar kapacitetin tonë për të mbrojtur kufijtë tanë dhe për të ruajtur integritetin e Shengenit, ndërkohë duke tërhequr aftësitë që ekonomia dhe shoqëritë tona kanë nevojë për të avancuar", shtoi Bruner.

Sipas Virkunenit, BE-ja gjatë viteve të fundit ka bërë përparim të konsiderueshëm në menaxhimin e migracionit dhe azilit dhe tani është koha për të zbatuar plotësisht Paktin e azilit dhe migracionit.

"Duhet ta mbajmë reduktimin e mbërritjeve të paligjshme, duke promovuar në të njëjtën kohë rrugët ligjore drejt BE-së. Të dyja janë të nevojshme që sistemi ynë të funksionojë dhe që shoqëritë dhe ekonomitë tona të avancojnë", tha Virkunen.

Dokumenti përcakton një sistem të fuqishëm, të drejtë dhe të adaptueshëm për azil dhe migracionin, një model më efikas të kthimit dhe riatdhesimit, si dhe mundëson mobilitet të fuqisë punëtore për të rritur konkurrueshmërinë.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR