Universiteti i Tetovës përfaqësohet në Simpoziumin Ndërkombëtar “Education, Humanism and Artificial Intelligence”
- Një delegacion nga Universiteti i Tetovës mori pjesë në “Simpoziumin e 12-të Ndërkombëtar Horizontet Humane / Festivali i 8-të Ndërkombëtar i Artit Posbashkëkohor” me temë qendrore “Education, Humanism and Artificial Intelligence", theksohet në komunikatën e UT-së, të cilën MIA e transmeton në formë integrale.
12 dhjetor 2025
Një delegacion nga Universiteti i Tetovës mori pjesë në “Simpoziumin e 12-të Ndërkombëtar Horizontet Humane / Festivali i 8-të Ndërkombëtar i Artit Posbashkëkohor” me temë qendrore “Education, Humanism and Artificial Intelligence", theksohet në komunikatën e UT-së, të cilën MIA e transmeton në formë integrale.
Delegacioni i UT-së u udhëhoq nga Prorektorja për Financa, Prof. Dr. Aida Yzeiri - Baftijari, ndërsa pjesë e ekipit ishin edhe dekani i Fakultetit Pedagogjik Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, prodekania për arsim, Prof. Dr. Besa Havziu - Ismaili, Prof. Dr. Makfirete Ameti dhe Mr. Sc. Memet Selmani. Në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, Prof. Dr. Besa Havziu - Ismaili ishte folëse kryesore dhe prezantoi kumtesën me temë: “Edukimi midis reformave dhe humanizimit.”
Gjatë qëndrimit në simpozium përveç prezantimit të punimeve shkencore, delegacioni i UT-së realizoi takim pune me Prof. Dr. Fatih Mutlu Özbilen - anëtar i Komitetit Organizues nga Çanakkale Onsekiz Mart University, Republika e Turqisë, si dhe me dekanin e Fakultetit të Edukimit, Prof. Dr. Mustafa Özdemir.
Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës tashmë ka një bashkëpunim të konsoliduar në bashkorganizimin e konferencave shkencore ndërkombëtare. Në këtë takim u diskutua edhe për zgjerimin e këtij bashkëpunimi, duke u fokusuar në sfidat që sjell inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi në arsim. Palët ranë dakord që ky bashkëpunim i ri të fillojë në semestrin veror të vitit akademik 2025/26.
Universiteti i Tetovës vazhdon të jetë i pranishëm në platforma të rëndësishme akademike ndërkombëtare, duke kontribuuar me ide, bashkëpunime dhe perspektiva që synojnë modernizimin e arsimit dhe forcimin e rolit të tij në epokën digjitale.
Foto: Arkivi i MIA-s