• e enjte, 16 prill 2026

Trampi kërkon hapa konkretë nga NATO për Ngushticën e Hormuzit

Trampi kërkon hapa konkretë nga NATO për Ngushticën e Hormuzit

Uashington, 9 prill 2026 (MIA) – Presidenti amerikan Donald Tramp pret që aleatët e NATO-s të ndërmarrin hapa “konkretë” për të ndihmuar në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit pas bisedimeve me Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rute, deklaroi zëdhënësja e NATO-s.

Zëdhënësja e NATO-s, Alison Hart tha se Rute ka informuar partnerët mbi bisedimet në Uashington.

“Është e qartë se SHBA-ja pret angazhime dhe veprime konkrete për të siguruar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit”, tha ajo.

Sipas "Blumberg", duke cituar një zyrtar të lartë të NATO-s, Uashingtoni pret që aleatët evropianë të prezantojnë plane konkrete brenda pak ditësh, ndërsa në mënyrë të ngjashme publikoi edhe revista gjermane "Shpigel".

Rute u ka thënë disa shteteve anëtare se Trampi kërkon që në afat prej disa ditësh angazhime konkrete për të siguruar Ngushticën, deklaruan për "Rojters" dy diplomatë evropianë, transmeton BTA.

"Ne e kuptojmë zhgënjimin e Uashingtonit, por ata nuk u konsultuan me aleatët as para dhe as pas luftës," tha njëri nga diplomatët. "NATO nuk do të marrë pjesë në luftën kundër Iranit, por aleatët janë të gatshëm të ndihmojnë në gjetjen e zgjidhjeve afatgjata për Ngushticën e Hormuzit," shtoi burimi diplomatik.

Rute deklaroi se lideri amerikan është i zhgënjyer me shumë aleatë në Aleancë.

Tramp vazhdimisht e ka kritikuar NATO-n si një aleancë në letër dhe se Evropa mbështetet në garancitë amerikane të sigurisë, pa ofruar mbështetje të mjaftueshme për operacionin amerikano- izraelit kundër Iranit.

Irani e bllokoi Ngushticën e Hormuzit në fillim të marsit si përgjigje e sulmeve nga SHBA dhe Izraeli, duke ndërprerë në mënyrë efektive furnizimet me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm nga Gjiri dhe duke shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve globale.

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR