Trampi: Evropa nuk është më ajo që ishte dikur, po mos të ishim ne në Danimarkë do të flitej gjermanisht dhe japonisht
- Menjëherë pas mbërritjes në Davos, presidenti amerikan Donald Trampi mbajti fjalim në Qendrën e Kongresit, në të cilin filloi duke thënë se ishte "mirë të mbahet fjalim midis miqve, por edhe midis disa armiqve".
- Post By Ajrije Rexhepi
- 15:41, 21 janar, 2026
Davos, 21 janar 2026 (MIA) - Menjëherë pas mbërritjes në Davos, presidenti amerikan Donald Trampi mbajti fjalim në Qendrën e Kongresit, në të cilin filloi duke thënë se ishte "mirë të mbahet fjalim midis miqve, por edhe midis disa armiqve".
"Unë jam në pushtet një vit, ekonomia është në rritje, nuk ka inflacion, kufijtë e rrezikshëm janë të mbyllur. ShBA janë në mes të kthesës më dramatike ekonomike në histori. Një vit më parë, ne ishim një vend i vdekur nën udhëheqjen e të majtëve radikalë. Tani jemi vendi më i fuqishëm. E gjithë kjo është një lajm i shkëlqyer. ShBA janë motori ekonomik i planetit. Nëse ne biem, bini edhe ju. Ajo që më habiti më shumë ishte sa pak kohë u desh që e gjithë kjo të ndodhte", tha Trampi.
Sipas presidentit amerikan, i cili është në një luftë verbale me liderët e vendeve kryesore evropiane, kryesisht për shkak të situatës me Grenlandën, "disa pjesë të Evropës sot janë të panjohura. E dua Evropën dhe dua që ajo të shkojë në drejtimin e duhur, por nuk po shkon. Qeveritë menduan se rritja mund të arrihej përmes imigracionit të pakontrolluar. Rezultati ishte një deficit i madh dhe migrimet më masive. Pjesë të mëdha të botës po shemben para syve tanë. Të gjithë ekspertët parashikuan se modeli im do të çonte në një recesion. Ne i kemi provuar të gjithëve se gabojnë", vazhdoi Trampi.
"Evropa nuk është ajo që ishte dikur. Mund ta diskutojmë, por në të vërtetë nuk ka asgjë për të diskutuar", shtoi ai.
"Liderët aspak nuk kuptojnë se çfarë po ndodh, ndërsa ata që e kuptojnë nuk po bëjnë asgjë", shtoi ai.
"Nuk dua të ofendoj askënd", vazhdoi Trampi, por shtoi se miqtë e tij po kthehen nga pjesë të Evropës dhe thonë se nuk e njohin më. Ata përmendin "migrimin masiv të pakontrolluar" dhe deficitet rekord buxhetore dhe tregtare.
Trampi në fjalim e sulmoi Danimarkën, duke thënë se pa to të gjithë sot do të flisnin gjermanisht dhe japonisht, duke i quajtur mosmirënjohëse..
"Jemi shumë të shqetësuar për Evropën. Është e tmerrshme ajo që po i bëjnë vetes", tha Trampi.
"Kam respekt të madh për qytetarët e Danimarkës dhe Grenlandës. Por, çdo anëtare e NATO-s duhet të jetë në gjendje të mbrojë territorin e saj. Ne jemi e vetmja fuqi, një fuqi e madhe, që mund ta bëjë këtë. E pamë Danimarkën të binte brenda gjashtë orë në Luftën e Dytë Botërore. Ata nuk patën asnjë shans, por u përpoqën. Luftuam për të shpëtuar Danimarkën, atë copë të madhe dhe të bukur akulli", thotë Trampi. "Pa ne, sot të gjithë do të flisnin gjermanisht dhe japonisht. Pastaj ia dhamë Grenlandën Danimarkës, çfarë gabimi, sa mosmirënjohës janë", shtoi ai.
Foto: EPA