• e diel, 01 shkurt 2026

Trampi e paralajmëron Irakun të mos e kthejë Al-Malikin si kryeministër

Trampi e paralajmëron Irakun të mos e kthejë Al-Malikin si kryeministër

 Uashington, 28 janar 2026 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Trampi dje kërcënoi se do të tërheqë mbështetjen e ShBA-së për Irakun nëse ish-kryeministri Nuri al-Maliki kthehet në funksion, raportoi DPA.

 "Për shkak të politikave dhe ideologjive të çmendura [të Al-Malikit, nëse zgjidhen, ShBA-ja nuk do ta ndihmojnë më Irakun dhe, nëse nuk jemi aty për të ndihmuar, Iraku ka ZERO shanse për sukses, prosperitet apo liri", tha Trampi në një postim në platformën e tij Truth Social.

 "Herën e fundit që Maliki ishte në pushtet, vendi u zhyt në varfëri dhe kaos total. Kjo nuk duhet të lejohet të ndodhë përsëri", tha Trampi, duke shtuar se Iraku do të bënte "një zgjedhje shumë të keqe duke riemëruar Nuri al-Malikin si kryeministër", raportoi agjencia gjermane.

Rreth dy muaj e gjysmë pas zgjedhjeve parlamentare në Irak, aleanca shiite në pushtet  fundjavën e kaluar nominoi al-Malikin si kandidatin e saj për kryeministër. 

 Parlamenti irakian dje duhej të zgjidhte president të ri, i cili më pas do të emërojë kryeministrin. Megjithatë, sipas raportimeve të medias, zgjedhja e presidentit u shty për shkak të mosmarrëveshjeve rreth kandidatit.

Al-Maliki, 75 vjeç, ishte shef i qeverisë  së Irakut nga viti 2006 deri në vitin 2014 pas rënies së diktatorit shumëvjeçar Sadam Husein. 

Kritikët - përfshirë përfaqësues të administratës së atëhershme amerikane - e kanë akuzuar, mes tjerash, si përgjegjës për suksesin e grupit ekstremist militant Shteti Islamik për shkak të keqmenaxhimit të tij. 

 Shumica në Irak e konsiderojnë një nga politikanët më të korruptuar në vend. Al-Maliki dhe aleanca e tij e partisë shiite kanë lidhje të ngushta me Iranin fqinj.

Më shumë se 20 vjet pas pushtimit amerikan dhe përmbysjes së Huseinit, dhe viteve të sundimit terrorist të Shtetit Islamik në disa pjesë të vendit, stabiliteti në Irak mbetet i brishtë. Edhe ShBA edhe Irani po përpiqen të imponojnë ndikimin e tyre në vend, kujton DPA. 

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR