• e martë, 24 mars 2026

Tramp: Nuk kemi nevojë për ndihmën e askujt

Tramp: Nuk kemi nevojë për ndihmën e askujt

Uashington, 17 mars 2026 (MIA) - Presidenti amerikan, Donald Tramp, pasi që një numër i madh vendesh perëndimore refuzuan kërkesën e tij për ndihmë ushtarake në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, në "Truth Social" njoftoi se "Nuk kemi nevojë për ndihmën e askujt".

Ai deklaroi se SHBA-ja është e informuar nga shumica e aleatëve të NATO-s se nuk duan të përfshihen në "operacionin ushtarak amerikan kundër regjimit terrorist të Iranit në Lindjen e Mesme", edhe pse të gjithë pajtohen se Teherani nuk duhet të posedojë armë bërthamore.

Ai përsëriti se ushtria, marina, forca ajrore dhe mbrojtja ajrore iraniane janë shkatërruar dhe se udhëheqësit iranianë "nuk ekzistojnë më dhe nuk do të përbëjnë më kurrë një kërcënim për ne, aleatët tanë në Lindjen e Mesme apo në botë".

"Meqenëse kemi arritur një sukses kaq të madh ushtarak, nuk kemi më nevojë ose nuk duam ndihmë nga vendet e NATO-s, NUK KEMI NEVOJË PËR TË! E njëjta gjë vlen edhe për Japoninë, Australinë apo Korenë e Jugut. Në fakt, duke folur si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendit më të fuqishëm në botë, NUK KEMI NEVOJË PËR NDIHMËN E ASKUJT", theksoi Tramp në platformën e tij sociale. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR