Tokio: Bombardues amerikanë u bashkohen aeroplanëve luftarakë japonezë në demonstrimin e forcës pas stërvitjeve kinezo-ruse
- Bombarduesit amerikanë që posedojnë koka bërthamore fluturuan mbi Detin e Japonisë së bashku me aeroplanë luftarakë japonezë, bën të ditur Tokio.
- Post By Fami Bajrami
- 10:17, 11 dhjetor, 2025
Tokio, 11 dhjetor 2025 (MIA) - Bombarduesit amerikanë që posedojnë koka bërthamore fluturuan mbi Detin e Japonisë së bashku me aeroplanë luftarakë japonezë, bën të ditur Tokio.
"Japonia dhe SHBA riafirmuan vendosmërinë e tyre për të parandaluar çdo përpjekje të njëanshme për të ndryshuar status kuo-në me forcë dhe shpallën gatishmërinë e Forcave të vetëmbrojtjes (së Japonisë) dhe trupave amerikane", informoi Ministria e Mbrojtjes e Japonisë në kumtesën e sotme për shtyp.
Fluturimi i dy bombarduesve strategjikë amerikanë B-52, së bashku me tre aeroplanë luftarakë japonezë F-35 dhe tre F-15 ka qenë demonstrimi i parë i pranisë ushtarake amerikane që kur Kina filloi stërvitjet e saj në rajon javën e kaluar.
Kjo vjen pas një fluturimi të përbashkët të bombarduesve strategjikë kinezë dhe rusë mbi Detin e Kinës Lindore dhe Paqësorin perëndimor të martën, si dhe stërvitjeve të veçanta që përfshinin një aeroplanmbajtëse kineze që e detyruan Japoninë të paralajmërojë aeroplanët e saja luftarake. Tokio kumtoi se aeroplanët luftarakë kinezë ishin shënjestër e radarëve.
Pekini i mohon akuzat e Tokios, duke thënë se aeroplanët luftarakë japonezë që fluturonin pranë aeroplanmbajtëses kërcënuan operacionet e saj ajrore në jug të Japonisë.
Incidenti shkaktoi kritika nga SHBA të cilët thanë se incidenti "nuk kontribuon në paqen dhe stabilitetin rajonal" dhe përsëritën se aleanca e tyre me Japoninë mbetet "e palëkundur".
Edhe Japonia dhe Koreja e Jugut janë nikoqir të trupave amerikane, ndërsa Japonia është nikoqir i pranisë më të madhe ushtarake amerikane jashtë SHBA-së duke përfshirë një grup aeroplanmbajtësesh dhe një forcë ekspedite të marinës.
Foto: arkivi