Të paktën 16 persona janë plagosur gjatë të shtënave në një shkollë në Turqi, sulmuesi vetëvritet
- Të paktën 16 persona, mes të cilëve dhe nxënës, janë plagosur gjatë të shtënave në një shkollë në qytetin turk Siverek, në provincën juglindore Shanliurfa të Turqisë, njoftoi televizioni shtetëror turk TRT Haber.
- Post By Ramize Qamili
- 11:56, 14 prill, 2026
Siverek, 14 prill 2026 (MIA) - Të paktën 16 persona, mes të cilëve dhe nxënës, janë plagosur gjatë të shtënave në një shkollë në qytetin turk Siverek, në provincën juglindore Shanliurfa të Turqisë, njoftoi televizioni shtetëror turk TRT Haber.
Sulmuesi ishte një ish nxënës në shkollë dhe kreu vetëvrasje kur e kuptoi se do të kapej, kumtoi guvernatori i qarkut, Hasan Shildak.
Motivi për të shtënat që ndodhën këtë mëngjes është ende i paqartë. Dihet se sulmuesi ka lindur në vitin 2007, ka mësuar në shkollë deri në klasën e nëntë, pas çka është transferuar në një shkollë tjetër. Sipas raportimeve, sulmuesi ka përdorur një pushkë gjuetie.
Sipas informacioneve nga botimi onlajn i gazetës "Huriet", dëshmitarët okularë kumtuan se u morën pengje, mes të cilëve kishte dhe nxënës. Një pjesë tjetër e nxënësve të cilët ndodheshin në ndërtesë u përpoqën të shpëtonin duke u hedhur nga dritaret.
Fillimisht, sulmuesi, i cili ishte fshehur në vetë shkollën, refuzoi të dorëzohej pasi u paralajmërua nga ekipet e policisë të dërguara në vendngjarje. Pastaj, u angazhuan forcat speciale.
Guvernatori i Shanliurfës kumtoi se për momentin vazhdon mjekimi spitalor i 12 nga të plagosurit. Katër prej tyre janë mësimdhënës, 10 janë nxënës, një është nënpunës policorë, ndërsa një është punonjës në mensën e shkollës. rq/
Foto: Anadolu