Siljanovska Davkova: Është e tmerrshme të numërohen viktima të reja çdo 8 Mars, si është e mundur që institucionet janë imune ndaj sinjaleve paralajmëruese
- Është tronditës fakti se në vitin 2025 ka pasur 4.745 denoncime të dhunës në familje dhe gjashtë raste të vrasjeve, e për dy muaj në vitin 2026 – katër raste të femicidit. Këto shifra alarmuese janë pasqyrë e një shoqërie në të cilën kërcënohet e drejta më themelore e njeriut – e drejta për jetë. Nuk citoj statistika, por vërej disfatën e parandalimit institucional dhe veprimit me kohë. Pas numrave fshihen historitë e jetës, tragjeditë familjare, ëndrrat e parealizuara. Kjo u theksua nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova në seancën plenare në Kuvend "Të drejtat dhe mundësitë e grave - arritjet dhe perspektivat", e cila mbahet çdo vit me rastin e Ditës ndërkombëtare të gruas më 8 Mars.
- Post By Sara Ademi
- 19:07, 5 mars, 2026
Shkup, 5 mars 2026 (MIA) - Është tronditës fakti se në vitin 2025 ka pasur 4.745 denoncime të dhunës në familje dhe gjashtë raste të vrasjeve, e për dy muaj në vitin 2026 – katër raste të femicidit. Këto shifra alarmuese janë pasqyrë e një shoqërie në të cilën kërcënohet e drejta më themelore e njeriut – e drejta për jetë. Nuk citoj statistika, por vërej disfatën e parandalimit institucional dhe veprimit me kohë. Pas numrave fshihen historitë e jetës, tragjeditë familjare, ëndrrat e parealizuara. Kjo u theksua nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova në seancën plenare në Kuvend "Të drejtat dhe mundësitë e grave - arritjet dhe perspektivat", e cila mbahet çdo vit me rastin e Ditës ndërkombëtare të gruas më 8 Mars.
"Çdo 8 mars është e frikshme të numërohen viktima të reja, të paraqiten statistikat më të fundit, të debatohen politikat, të miratohen strategji, të theksohen të njëjtat probleme, të paraqiten statistika brutale, të propozohen masa dhe veprime të propozuara më parë, por që nuk janë ndërmarrë. Dhe këtë 8 mars, menjëherë pas vdekjes së pakuptueshme të Ivanës dhe Katjës, më është e vështirë ta përjetoj si Ditën e gruas! Simbolika e festës humbi në errësirën e realitetit të ashpër, të pakonceptueshëm dhe të papranueshëm", tha presidentja.
Ajo theksoi se momenti qenësor është ai i denoncimit dhe nëse një grua përballet me një burrë që e frymëzon me mirëkuptim, mbështetje, siguri dhe shpresë, ajo do të inkurajohet të luftojë për veten e saj, por nëse takohet me një profil, për të cilin fyerja dhe rrahja janë pjesë e komunitetit, ajo do të dyshojë në efektet e hapit të ndërmarrë dhe do të vuajë. Prandaj, theksoi Siljanovska Davkova , oficerët e trajnuar dhe të sensibilizuar të policisë, punonjësit socialë dhe gjykatësit janë shpëtimtarë aktivë ose bashkëpunëtorë pasivë në veprën.
"Vallë akoma nuk kemi kuptuar dhe mësuar se femicidi nuk është shpërthim i papritur zemërimi, por kulmi dhe fundi i një procesi të gjatë, torturues të presionit psikologjik, manipulimit, torturës, frikës, pasigurisë dhe pak dëshira dhe shpresë. Deri kur post festum do të lamentojmë dhe vajtojmë, në vend që të parandalojë me kohë dhe të sanksionojë në mënyrë përkatëse dhe t'i gëzohemi me viktima potenciale, por të shpëtuara? Çfarë ndodhi me detyrimin kushtetues për kujdesin dhe mbrojtjen e veçantë të familjes? ”, pyeti Siljanovska Davkova.
Presidentja nga foltorja parlamentare pyeti se si është e mundur që institucionet janë imune ndaj sinjaleve paralajmëruese, pse sistemi i mbrojtjes sociale, policia, prokuroria dhe gjyqësori nuk reagojnë me kohë dhe deri kur do të ndryshojmë ligjet në vend të atyre që nuk i zbatojnë?
"Vallë akoma nuk kemi formuar aleancë të natyrshme, të pathyeshme të punonjësve socialë, punonjësve të policisë, hetuesve të dhunës në familje, mësimdhënësve, mjekëve, gazetarëve, OJQ-ve, përfaqësuesve falas juridikë dhe gjykatësve?Pyes: A vlen dhe sa vlen jeta e një gruaje? A nuk ishte Katja pjesë e së ardhmes sonë dhe a nuk kishte Ivana të drejtën e lumturisë?", tha Presidentja.
Ajo theksoi se nuk është e mjaftueshme të parashikohet në Kodin Penal vepra penale e femicidit, kur aq shpesh vjen deri te rikualifikimi, nëse kompetentët nuk veprojnë sipas detyrës zyrtare, ndonëse ndryshimet në Kodin penal e lejojnë atë, nëse preferohet dënimi me kusht, në vend të dënimit më të lartë?
"Pse shpesh, sundimi i së drejtës shndërrohet në sundimin e burrave të dhunshëm? Nuk mjafton të nënshkruash një dokument dhe ta ratifikosh atë, duke festuar arritjen. Normat nuk ekzistojnë vetvetiu, por rregullojnë gjendjet jetësore, përmes rregullave të sjelljes, në mënyrë që të bien në një gjendje hobesiane. Angazhimet e Konventës së Stambollit nuk realizohen përmes masave ad-hok dhe angazhimeve deklarative, por përmes një sistemi të koordinuar, institucional dhe juridik, i cili merr parasysh drejtësinë dhe etikën dhe zhvillon një kulturë politike pjesëmarrëse të subjekteve të barabarta njerëzore që respektohen dhe kanë detyrime të përbashkëta ndaj fëmijëve", tha Siljanovska Davkova.
Me ratifikimin e saj, përkujton ajo, shteti u angazhua të krijojë sistem gjithëpërfshirës dhe funksional të parandalimit, mbrojtjes dhe sanksionimit, duke u bazuar në kuptimin se dhuna ndaj grave është e lidhur me pabarazinë strukturore.
"Pyetja kryesore është nëse dhe si e zbatojmë atë dhe nëse zvogëlohet cenueshmëria, respektivisht siguria e grave? Në vitin 1995, në Konferencën e katërt botërore për gratë në Pekin, shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara miratuan Deklaratën dhe platformën për veprim, dokument që vendosi barazinë gjinore si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm dhe paqe. Ishte një mesazh i qartë se të drejtat e grave nuk janë një agjendë e veçantë, por pjesë e agjendës universale të të drejtave të njeriut. Por, ishte e çuditshme kur, në festimin e 30 vjetorit në OKB në vitin 2025, një nga rekomandimet ishte: aplikimi i Dokumenteve të Pekinit", theksoi Presidentja.
Ajo tha se kohërat e luftës janë të pandashme nga dhuna dhe se gratë dhe vajzat janë viktimat më të shpeshta dhe më të prekshme të luftës, ndërsa lufta thellon dhe radikalizon pabarazinë.

"Nëse historia na mëson se kontributi i grave është nënvlerësuar sistematikisht, atëherë sot duhet të pyesim veten: Kush po e formëson strukturën e re të fuqisë? Jetojmë në një kohë kur fuqia rishpërndahet dhe merr forma të reja, më delikate. Nuk është vetëm në institucionet që shohim, por edhe në algoritmet që përdorim, në platformat që ndërmjetësojnë mes qytetarëve dhe shërbimeve, në sistemet e inteligjencës artificiale që marrin vendime apo ndikojnë në to. Teknologjia po bëhet arkitektura e re e fuqisë, ndërsa pjesëmarrja në krijimin e saj do të thotë pjesëmarrje në formësimin e së ardhmes", tha Siljanovska Davkova.
Në shtetin e Maqedonisë, siç theksoi ajo, më shumë se gjysma e studiuesve janë gra, gjë që përfaqëson potencial serioz intelektual.
"Njohuria ekziston, por rruga drejt pozicioneve vendimmarrëse dhe drejt qendrave ku përcaktohen rregullat ende nuk është e arritshme në mënyrë të barabartë. Prandaj, pjesëmarrja e grave në pushtetin lokal dhe qendror nuk është vetëm çështje e përfaqësimit sasior, por tregues thelbësor i pjekurisë dhe i cilësisë së vendimeve publike. Politikat nuk janë norma abstrakte, por mekanizma konkretë që formojnë kushtet e jetesës: shtëpinë, arsimin, sigurinë, sigurinë ekonomike dhe mirëqenien e përditshme", tha Presidentja.
Si rrjedhojë, shtoi ajo, kur empatia femërore si aftësi për të njohur cenueshmërinë sociale, përgjegjësia e nënës si një vetëdije për pasojat afatgjata integrohet në proceset e vendimmarrjes, si dhe mendja dhe njohuritë, të ndërtuara përmes përvojës profesionale dhe jetësore, krijohen politika me thellësi më të madhe analitike, ndjeshmëri etike dhe qëndrueshmëri sociale.
"Mos lejoni që festimi i 8 marsit të reduktohet në një formë protokolli që do të shterojë kuptimin e tij me gjeste simbolike dhe fjalë të rastit. Trëndafilat që do të zbukurojnë dhomën sot do të fillojnë në heshtje të humbasin freskinë e tyre nesër, ndërsa vëmendja që zgjat një ditë nuk është e mjaftueshme. Gratë nuk presin trimëri të përkohshme, festive, të lidhur me festën, por siguri të qëndrueshme që rrjedh nga një sistem i qëndrueshëm, funksional dhe i drejtë", theksoi Siljanovska Davkova.
Me buqetat në dorë, theksoi presidentja, ia vlen të përkujtojmë se ideja e barazisë shpesh u formua në kundërshtim me kushtet, si një lule e vogël në mes të dimrit.
"Kur Meri Vullstonkraft formuloi barazinë si çështje të arsyes dhe ligjit, ajo hapi një arsye dhe të drejtë që më vonë do të thellohej nga Rosa Luksemburgu, Klara Cetkin, Bety Fridan dhe Kejt Millet, duke dëshmuar se përparimi nuk buron nga simbolika, por nga mendimi dhe veprimi kritik. Në këtë frymë, më lejoni, me respekt të sinqertë për kontributin, njohuritë dhe këmbënguljen e grave, të uroj 8 Marsin dhe të riafirmoj angazhimin e përbashkët për të ndërtuar shtetin si një vend të denjë dhe të sigurt për të jetuar në të cilin të drejtat dhe dinjiteti i çdo gruaje janë të paprekshme", konkludoi Presidentja Gordana Siljanovska Davkova nga foltorja parlamentare.
Foto: Printskrin