Sibiha: Akuzat ruse për një sulm ndaj rezidencës së Putinit janë të rreme dhe dëmtojnë përpjekjet për paqe
- Ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Andrij Sibiha sot ashpër hodhi poshtë pretendimet e Moskës për një sulm të dyshuar ukrainas ndaj rezidencës së presidentit rus Vladimir Putin, duke vlerësuar se këto manipulime dëmtojnë drejtpërdrejtë procesin konstruktiv të paqes.
Kiev, 30 dhjetor 2025 (MIA) - Ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Andrij Sibiha sot ashpër hodhi poshtë pretendimet e Moskës për një sulm të dyshuar ukrainas ndaj rezidencës së presidentit rus Vladimir Putin, duke vlerësuar se këto manipulime dëmtojnë drejtpërdrejtë procesin konstruktiv të paqes.
Sibiha u bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të përmbahet nga reagime zyrtare ndaj këtyre pretendimeve, duke theksuar se Rusia deri më tani nuk ka paraqitur asnjë dëshmi relevante.
"Ka kaluar pothuajse një ditë, ndërsa Rusia ende nuk ka paraqitur asnjë dëshmi të besueshme për akuzat e saj për një 'sulm të supozuar ukrainas ndaj rezidencës së Putinit'. As nuk do të paraqesin, sepse diçka e tillë nuk ekziston. Kurrë nuk është kryer një sulm i tillë", shkroi Sibiha në rrjetin social X.
Ai shprehu zhgënjim dhe shqetësim për deklaratat zyrtare të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Indisë dhe Pakistanit, të cilat shprehën shqetësim lidhur me incidentin në Moskë.
Shefi i diplomacisë ukrainase kujtoi "historinë e gjatë të pretendimeve të rreme" të Rusisë, duke përmendur si shembull garancitë e Kremlinit nga fillimi i vitit 2022 se nuk do ta sulmonte Ukrainën. Sipas tij, fjalët e Moskës nuk duhet të merren kurrë si të mirëqena, pasi ato shpesh i akuzojnë të tjerët për atë që vetë planifikojnë të bëjnë. qa/
Foto: arkivi