• e diel, 01 shkurt 2026

Shqipëria këtë vit nis prodhimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake

Shqipëria këtë vit nis prodhimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake

Tiranë, 26 janar 2026 (MIA) - Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu njoftoi se Shqipëria këtë vit do të fillojë prodhimin e municioneve, pajisjeve ushtarake, dronëve dhe sistemeve anti-dronë, automjeteve të emergjencës dhe uniformave ushtarake.

Gjatë prezantimit të paketës së re ligjore për importin, eksportin dhe tranzitin e armëve të zjarrit, Vengu deklaroi se janë nënshkruar 6 marrëveshje për të krijuar 6 kompani të përbashkëta publiko-private përmes kompanisë shtetërore KAYO.

"Komisioni Parlamentar për Evropë dhe Punë të Jashtme shqyrtoi projektligjin "Për importin, eksportin dhe tranzitin e armëve të zjarrit, pjesëve të tyre kryesore dhe municioneve", ku në fokus ishte edhe zhvillimi i industrisë së mbrojtjes vendase. Gjatë fjalës së tij, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu njoftoi se aktualisht janë nënshkruar gjashtë marrëveshje për krijimin e gjashtë kompanive të përbashkëta publike-private, nëpërmjet kompanisë shtetërore KAYO dhe gjashtë operatorëve privatë", raportuan mediat.

Ai theksoi se Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me Agjencinë e Industrisë së Mbrojtjes, ka hyrë në një fazë të re, e cila synon të garantojë një zinxhir furnizimi të qëndrueshëm për të gjitha nënproduktet e prodhimit ushtarak.

"Kjo është e nevojshme për përputhshmëri të plotë me standardet e NATO-s dhe politikat e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit tonë. Buxheti i mbrojtjes për këtë vit është rreth 58 miliardë lekë (592 milionë euro) dhe do të përdoret për të ringjallur industrinë e mbrojtjes", theksoi ministri. sa/

Foto: Vengu Fejsbuk

QËNDRONI TË LIDHUR